Sport

Surprizat e orës së fundit në merkato, Laçi i vetmi me bilanc pozitiv, ballshiotët me 5 blerje

Surprizat e orës së fundit në merkato, Laçi i vetmi me

Merkato u mbyll në orët e vona të mbrëmjes së 31 janarit, por vetëm dje u mundësuan emrat surprizë që kishin blerë klubet e Kategorisë Superiore, ku padyshim vlen të theksohet se flamurin e lëvizjeve pozitive e mbajnë dy klube që nuk janë favorite për titull, por janë absolutisht pretendente për të siguruar një vend në Ligën e Europës. bëhet fjalë për Laçin dhe Bylisin, skuadra që kanë ecur mirë dhe kanë shanse të rrisin performancën e tyre në pjesën e dytë të sezonit, nisur jo vetëm nga gjendja pozitive që po kalojnë në tërësi, por edhe emrat që morën në këtë merkato dimri. Në fakt, Laçi siguron klubi me bilancin më të mirë në treg deri tani, pasi ka afruar futbollistë., por edhe ka shitur një lojtar që i futi në arkat e veta plot 50 mijë euro. Jo ndonjë shifër kushedi, por për kushtet e klubeve tona diçka premtuese. Nuk duhet harruar se Laçi ka shitur dhe më parë lojtarë ku kujtojmë Myrto Uzunin, i cili tani luan me Lokomotivën e Zagrebit. Së fundmi nga kurbinasit u largua David Domgjoni. Ai u zyrtarizua përfundimisht dje tek klubi i Menemensporit. Ish-mbrojtësi i Laçit është prezantuar te ekipi i ligës së dytë turke ku luan edhe portieri Gentjan Selmani, ndërkohë që është mësuar edhe shifra që ka përfituar Laçit nga shitja e 22-vjeçarit. Siç thamë më sipër, kurbinasit kanë arkëtuar 50 mijë euro ndërkohë që vetë Domgjoni është shfaqur shumë i lumtur për këtë transferim te Menemenspor. “Jam shumë i lumtur që bëhem pjesë e klubit Menemenspor. Shpresoj që besimin e dhënë nga klubi ta shpërblej, duke bërë maksimumin për të arritur objektivat. Faleminderit shumë ekipit të KF Laçi, me në krye presidentin Pashk Laska, trajnerëve me të cilët kam punuar dhe kam mësuar shumë gjëra”, shkruan Domgjoni në Instagram.

Teuta, trajneri Martini i kënaqur me merkaton

Trajneri i Teutës, Edi Martini, është shprehur me nota pozitive për merkaton që ka zhvilluar klubi durrsak. Natyrisht që dëshira absolute të realizuara nuk mund të ketë, por Martini beson se ato pak blerje do të bëjnë diferencë. “Unë besoj se kemi bërë blerjet e duhura. Normale që do t’i jepet mundësia dhe koha pasi dhe gjendja e tyre s’ka qenë në maksimumin e duhur pasi nuk janë afruar që në ditët e para të merkatos dhe kjo ka qenë pak problem për ne pasi nuk janë njohur akoma me grupin. Unë mendoj që kemi bërë një merkato shumë të kujdesshme dhe shpresoj, që ato lojtar që kemi marrë, të na e shpërblejnë në fushën e lojës”.

Ballshiotët, surpriza e madhe e sezonit

Ky sezon ka ende gjysmën e tij për të luajtur, por deri tani Bylisi është surpriza e madhe. Kjo duhet parë në dy drejtime. Së pari në performancë, pasi ka luajtur mirë dhe ka korrur rezultate impresionuese, duke qenë në radhën e ekipeve që lakmojnë titullin. Dhe e dyta në merkato, ku ballshiotët bënë 5 blerje, që besohet se kanë vlerë për objektivat e fundsezonit. Pra Bylisi ka ambicie të luajë në Europa League dhe ky objektiv është evident. Nuk janë emra “big”, por besohet se ballshiotët i kanë rritur pretendimet e tyre pas kësaj merkatoje.

Tirana mjaftohet me Morinën, Vllaznia me Junior, Skënderbeu me trajnerin Daja

Merkato u mbyll pa shumë blerje nga Tirana dhe Partizani, që llogariten edhe si skuadrat kryesore pretendente për titull. Partizani nuk ka bërë shumë goditje, duke i besuar grupit. Madje zyrtarët që në fillim kishin deklaruar që do të ketë pak afrime në funksion të grupit, pra janë brenda kornizës së objektivave të tyre, kurse Tirana afroi Mario Morinën, ish-sulmuesin e saj, duke menduar se ai do të bëjë diferencën e shumëpritur në sulm. Mbetet të shihet se si do të funksionojë Tirana në pjesën e dytë të sezonit. Vllaznia ka bërë gjithashtu lëvizje, jo me emra kushedi, por prezantoi me pompozitet kthimin në Shkodër të brazilianit Junior Silva, që besohet se bën diferencë. Edhe ai mbetet të shihet në fushë, sikurse e gjithë Vllaznia. Skënderbeu vijon të jetë në llogoren e tij, duke menduar më shumë si të mbajë trajnerin Ilir Daja në pankinë, pasi është fakt që skuadra nuk e ka potencialin e viteve të mëparshme. Së fundmi, Kukësi është skuadër që ka pasur lëvizje dalëse dhe hyrëse. Në tërësi emrat nuk janë të bujshëm, por Kukësi ka avantazhin e kryesuesit, grupit të konsoliduar dhe financimit të qëndrueshëm, avantazhe që i japin përparësi në objektivin për titull.