BREAKING NEWS

ZYRTARE/ Kuvendi zgjedh kryetarin e ri të KLSH-së

ZYRTARE/ Kuvendi zgjedh kryetarin e ri të KLSH-së
x

Sport

Tare angazhohet fuqishëm për të sjellë Kumbullën tek Lacio, Gjimshiti fiton bastin me Strakoshën edhe në “Eursport”

Tare angazhohet fuqishëm për të sjellë Kumbullën tek

Lacio humbi duelin e saj mbrëmjen e së mërkurës ndaj Atalantës dhe iu largua ndjeshëm objektivit të saj për të fituar titullin kampion në Serinë A italiane, por kjo nuk po e pengon klubin bardhekaltër të studiojë si duhet merkaton dhe pritshmëritë prej saj, e bindur se mund të bëjë lëvizjet e duhura dhe të afrojë elementët e duhur për sezonin e ri. Kështu, raportohet nga mediat italiane se Igli Tare është angazhuar fuqishëm për të sjellë shqiptarin Marash Kumbulla në radhët e Lacios, një lëvizje për të cilën Lacio është gati të sakrifikojë të paktën 25 mln euro. Nuk është vetëm shifra, por fakti se lojtari është në fokusin e shumë klubeve të mëdha europiane dhe padyshim një lojtar në ritje profesionale të dukshme, evidentuar në të gjitha analizat e specialistëve të njohur italianë që i kanë vënë mbrojtësit tonë notën “10” thuajse në të gjitha ndeshjet ku ka qenë i pranishëm në fushë.

Tare dhe Lotito angazhohen personalisht për të sjellë Kumbullën tek Lacio

Që Marash Kumbullën e kërkojnë tek Lacio e konfirmojnë gazetarë të njohur sportivë në Itali. Kështu, gazetari i njohur në çështjet e merkatos, Xhanluka Di Marcio, ka deklaruar se pritet që të ketë një takim mes presidentit të Lacios, Klaudio Lotito dhe atij të Veronës, Seti. Sipas gazetarit, lacialët kanë ftuar presidentin e Veronës në Romë dhe kjo do të thotë se kryeqytetasit janë të bindur se oferta e tyre është më e mirë se e Interit. Aktualisht, zikaltrit kanë vendosur në tavolinë 25 milionë euro, ndërsa tashmë mbetet për t’u parë shifra e Lacios. Ndërkohë, ajo që bën edhe më serioze këtë situatë është edhe angazhimi personal i presidentit Lotito, i cili zakonisht nuk përfshihet në negociata të drejtpërdrejta duke qenë se deri më tani, drejtori Tare i ka përmbushur pritshmëritë. Kumbulla në këtë sezon ka treguar se zotëron një potencial të lartë, duke mahnitur me paraqitjet e tij jo vetëm klubet italiane si Interi, Lacio, Juventusi e Fiorentina, por edhe klube jashtë Italisë si Dortmund.

Vlerësimi/ Eurosport: Gjimshiti fitoi derbin ndaj Strakoshës, në Kombëtare ka surpriza

Mbrëmjen e së mërkurës, në Serinë A italiane, Atalanta triumfoi ndaj Lacios me rezultatin 3-2, duke i shkaktuar një disfatë të rëndë për objektivat e këtij sezoni kryeqytetasve. Në fushë zbritën edhe dy futbollistët e kombëtares, Berat Gjimshiti dhe Tomas Strakosha. Në vlerësimin pas ndeshjes nga ana e “Eurosport” ka qenë mbrojtësi ai që ka pasur notën më të lartë, teksa gardiani lacialëve u penalizua edhe nga një gabim në golin e tretë të pësuar. Gjimshiti, nota 6- “Një ndeshje me dy fytyra. Në pjesën e parë të takimit nuk ishte mjaftueshëm mirë, por korrigjon në të dytën teksa ishte shumë mirë. Ia doli të anulonte kundërshtarin e tij, Kaisedon”. Një vlerësim deri diku i argumentuar edhe për Strakoshën, megjithëse rrjeti i njohur ndërkombëtar e bën përgjegjës për golin e fundit që i shkaktoi humbjen Lacios në këtë përballje. “Strakosha, nota 5- Mirë në pjesën e parë, më pas në të dytën surprizohet nga “silura” e Malinovskit. Dhe, në fund nuk është i saktë te goli i Palominos. Gabon kohën në dalje dhe në këtë formë mbrojtësi kundërshtar përfiton, një gabim i rëndë që kushton”, shkruhet në njoftimin e “Eurosport”. Në lidhje me performancën e tyre mund të thuhet se e përgjithshmja është mirë dhe për Kombëtaren është shumë pozitive. Gjimshiti është rritur shumë në performancën e tij, aq sa edhe mediat italiane e kanë çmuar me notë të lartë dhe prej disa ditësh e kanë futur në listën e atyre mbrojtësve që ka pasur një sezon të shkëlqyer. Pak ditë më parë, “Tottomercatoweb” e quante “mbrojtës grabitqar”, dhe mjaft të efektshëm sidomos në ndeshjet e mëdha dhe ndaj rivalëve të fuqishëm. Pra Gjimshiti po kalon momentet më të mira në karrierën e tij, kurse Strakosha ende po rritet dhe, pavarësisht ndonjë gabimi, ai është padyshim një nga pikat e forta të Lacios.