BREAKING NEWS

Vjen lëvizja që nuk pritej/ Basha bën ndryshimin në minutat e fundit, kush është ish-deputeti dhe emri i njohur demokrat që u riktheu pasi mbrëmë u la jashtë listave

Vjen lëvizja që nuk pritej/ Basha bën ndryshimin në minutat
x

Sport

Teuta afrohet me 4 pikë ndaj Vllaznisë, Skënderbeu merr të tatëpjetën drejt Kategorisë së Parë

Teuta afrohet me 4 pikë ndaj Vllaznisë, Skënderbeu merr të

Java e 19-të e Kategorisë Superiore nisi dje me një ndeshje, Teuta-Skënderbeu, për të vijuar sot me 4 takime të tjera që janë të rëndësishme për fatet e sezonit për disa skuadra. Në të vërtetë gara ka nisur të bëhet interesante, pasi Vllaznia nuk është më dominuesja absolute e kampionatit dhe diferenca me ndjekësit është zbutur pas takimit të djeshëm në Durrës me vetëm 4 pikë, që do të thotë se gara për titull është krejtësisht e hapur. Teuta mundi dje Skënderbeun me shifrat 2-0 dhe mori një trepikësh që e konfirmojnë si pretendente dhe e bën kampionatin të luftuar deri në fund për titullin, por nga ana tjetër, humbja e djeshme e Skënderbeut e vë skuadrën korçare në pozita aspak të mira, në vend të fundit të tabelës së renditjes, me vetëm 12 pikë, praktikisht ekipi i Skënderbeut ka marrë rrugën drejt Kategorisë së Parë.

Teuta i afrohet kreut, gara për titull plotësisht e hapur

Një fitore ku trepikëshi shihej i domosdoshëm dhe në fund “Djemtë e detit” e kanë marrë me meritë, duke u ngjitur në vend të dytë dhe duke u konfirmuar si pretendentë. Në fakt, stadiumi “Niko Dovana” nuk është më “mallkim” për Teutën, e cila fitoi ndeshjen e dytë radhazi në shtëpi, këtë herë ndaj Skënderbeut me rezultatin 2-0 dhe ngjitet përkohësisht në vendin e dytë me 33 pikë, vetëm 4 më pak se Vllaznia kryesuese. Sa i takon lojës, durrsakët e nisën vrullshëm ndeshjen dhe zhvendosën lojën në gjysmëfushën e korçarëve, por pa arritur të shkojnë rrezikshëm te porta e Dajsinanit, pasi Migen Memelli i kishte rreshtuar mirë të tijtë në prapavijë. Megjithatë goli erdhi në minutën e 32-të, teksa pas një depërtimi në zonë, bregu tërhoqi shumë kundërshtarë pranë vetes dhe shërbeu saktë për Vilën në zonë, i cili e pati të lehtë të shtyjë topin në rrjetë me portën e boshatisur. Pas pësimit të golit “ujqërit nisën të dalin nga strofka” dhe të shohin më shpesh nga gjysmëfusha, teksa veçanërisht në fillim të pjesës së dytë i shkuan pranë golit të barazimit, por Teuta ia hodhi paq në dy momente. Vendasit lëshuan shumë dhe vendosën t’i besojnë kundërsulmit, teksa i shkuan pranë edhe golit të dytë, por pa arritur të tregohen të saktë në mundësitë e krijuara në zonën e Dajsinanit, i cili tregoi edhe aftësitë e tij në një grushtim spektakolar, pas një gjuajtjeje fluturimthi të Bregut. Në sekondat e fundit të ndeshjes, mbrojtësi i Skënderbeut, Bajrami bëri një faull mbi vijën e zonës dhe mori kartonin e dytë të verdhë, duke lënë fushën e lojës, ndërsa goditjen e dënimit e mori përsipër Karabeci, i cili shënoi një gol spektakolar, duke vulosur kështu suksesin e durrsakëve. Një fitore që e afron dukshëm me kreun, kurse Skënderbeu ka marrë tashmë të tatëpjetën dhe po e sheh veten të rrëzuar nga kategoria.

Trajnerët

Pas ndeshjes, trajnerët Ed Martini dhe MIgen Memelli, respektivisht të Teutës dhe të Skënderbeut, folën për mediat ku dhanë pikëpamjen e tyre për lojën dhe rezultatin. “Ndaj Apolonisë javën e kaluar nuk luajtëm mirë, por sot në pjesën e parë ishim të shkëlqyer. Dominuam dhe gjetëm një gol, por mund të shënonim më shumë. Në pjesën e dytë Skënderbeu sulmoi më shumë dhe na vuri në vështirësi, por edhe ne kishim shanset tona që ta mbyllnim shumë më shpejt ndeshjen. Sigurisht që mund të bënim më mirë, pasi i kishim rastet për ta vrarë ndeshjen dhe nuk e bëmë këtë. Unë jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës sot, ndonëse në pjesën e dytë pati pak panik, pasi jemi në një fazë ku loja ka rëndësi, por prioritet është marrja e pikëve”, tha ndër të tjera tekniku i Teutës Edi Martini. “Ne jemi skuadra e 5-të apo gjashtë që kemi shënuar më shumë në kampionat, problemin nuk e kemi te shënimi, por si e pësojmë, janë detaje si ai i goli të të parë sot, me Bregun që e shoqëruam deri te asisti. Ne golat do t’i shënojmë, kemi të mirë përpara. Problemi është faza mbrojtëse, detajet po na kushtojnë këto javë. Parë në këndvështirmin se si 4- 5 skuadrat e fundit në raport me njëra-tjetrën, ne kemi cilësi individuale të jashtëzakonshme. Do i marrim një nga një ndeshjen, kemi ndeshjes brenda 4 ditësh me Vllazninë në Korçë, do të mundohem të marrim maksimumin”, u shpreh ndër të tjera tekniku i skuadrës korçare, Migen Memelli.

Java 19

Të premten

Teuta-Skënderbeu

Të shtunën (14:00)

Bylis-Laçi

Kastrioti-Partizani

Vllaznia-Apolonia

Tirana-Kukësi

Renditja

1. Vllaznia       37

2. Teuta          33

3. Partizani      31

4. Laçi             30

5. Tirana          26

6. Kukësi         26

7. Kastrioti      24

8. Apolonia     13

9. Bylis           12

10. Skënderbeu  12