BREAKING NEWS

Reagon Ambasada e Francës me ‘notë proteste’ MJP për deklaratat e forta të kryeministrit: Rama po sulmon vendet mike dhe aleate, Bashkimi Evropian është donatori më i madh në Shqipëri

Reagon Ambasada e Francës me ‘notë proteste’ MJP për
x

Sport

Teuta e pakënaqur nga rezultatet, sjell Plakun në vend të Hebajt

Teuta e pakënaqur nga rezultatet, sjell Plakun në vend të Hebajt

Teuta konsiderohej në fund të merkatos së verës si një prej skuadrave favorite për titull, nisur nga kontigjenti cilësor që dispononte, emrat e spikatur në grup, investimin dhe vazhdimësinë e trajnerit Edi Martini pas një sezoni të kaluar shumë të frytshëm, ku fituan kupë e superkupë, po morën pjesë edhe në Europë. Për këtë arsye ishte krijuar një klimë besimi në radhët e “djemve të detit”, ku ekipi shpresonte të marrë shpejt kryesimin dhe të rrisë pretendimet për titull, i cili për herë të fundit ishte në Durrës në vitin 1994. Trajneri Martini po përpiqet të bëjë maksimumin për të futur në hullinë e rezultateve pozitive të qëndrueshme ekipin, por pikërisht në rezultate Teuta nuk ka qëndrueshmëri, gjë që e vërtetoi edhe në ndeshjet e fundit, ku humbi shansin t’i afrohej Vllaznisë kryesuese. Skuadra nuk arrin dot të fitojë rregullisht, gjë që i nevojitet të bëjë përpara në sulm. Për këtë arsye erdhën edhe lëvizjet e fundit, ku u largua Rubin Hebaj e në vend të tij klubi solli një lojtar me përvojë si Sebino Plaku.

Ikën Hebaj, vjen Plaku, Teuta rrit pretendimet në treg

Siç thamë, sulmi i Teutës ka nevojë për ndryshime dhe duket se lëvizjen që e sjellin ndryshimin po bëhen me shpejtësi në kampin durrsak. Kështu, një sulmues largohet dhe një tjetër afrohet. Teuta e zëvendëson shumë shpejt Rubin Hebajn me një ekspert të kampionatit shqiptar siç është Sebino Plaku. Durrsakët janë skuadra e 13-të në Shqipëri për sulmuesin 35-vjeçar i cili do të përpiqet të ndihmojë Teutën me eksperiencën e tij në këtë pjesë të dytë të sezonit pas aventurës te Kastrioti. Plaku do të jetë pjesë e Teutës për 6 muajt e ardhshëm me shpresën se në fund do të shpallet kampion i Shqipërisë me skuadrën e drejtuar nga Edi Martini. “KF Teuta me kënaqësi komunikon marrëveshjen me futbollistin, Sebino Plaku. Drejtuesit e klubit dhe sulmuesi kanë gjetur akordin për bashkëpunim lojtari është prezantuar në ambientet e stadiumit “Niko Dovana” në pranin e shefit të klubit Enid Furxhi dhe tashmë është pjesë e bluve. Plaku në Durrës vjen nga ekipi i Kastriotit. Sulmuesi do të bashkohet sot me ekipin në stërvitje, ndërsa është përforcimi i parë i Teutës në këtë afat kalimtar. KF Teuta i uron mirëseardhje Sebino Plakut, duke i dëshiruar suksese dhe sa më shumë me fanellën e skuadrës tonë”, shkruan klubi durrsak.

Hebaj drejt Shkëndijës së Tetovës

Shkëndija e Tetovës është detyruar të ndërhyjë në merkato për shkak të largimit të Valon Ahmedit drejt Shaktar Soligorsk, teksa së fundmi për tetovarët ka dalë në skenë emri i Rubin Hebaj. Sipas asaj që raporton “Infosport”, shkodrani është preferencë e tetovarëve, mirëpo ish-lojtari i Teutës ka edhe oferta të tjera që po shqyrton. Në rast se Shkëndija ia del të bindë Hebaj, atëherë kjo do të ishte një goditje me shumë vlera për skuadrën që drejton Ernest Gjoka, pasi me cilësitë e tij, kuqezinjtë do të përforcoheshin edhe më shumë në garën për titullin kampion. Tashmë, mbetet për t’u parë në vazhdim si do të rrjedhin situatat, megjithatë Shkëndija e ka bërë të ditur qëllimin e saj.

Grupi

Nuk është vetëm sulmi që ka pasur probleme, pasi dhe repartet e tjera kanë ndjerë një farë trysnie në pjesën e parë të sezonit. Por Teuta është e vendosur që të rikuperojë pikët e lëna rrugës duke bërë një merkato aktive dhe që do të sjellë elementët e duhur për të bërë diferencën. Në tregun vendas nuk ka shumë të tillë, por mund të gjenden lojtarë me përvojë edhe jashtë vendit, ose lojtarë të nivelit të Kombëtares që nuk e kanë gjetur ende destinacionin e duhur.