BREAKING NEWS

“Le të vijnë me tanke”, nuk përmbahet Ilir Meta: Ja përgjigja që do marrin. Para se të më shkarkojnë ata mua...

“Le të vijnë me tanke”, nuk përmbahet Ilir Meta: Ja
x

Sport

Teuta ndryshon zv/trajnerët 24 orë para Kupës, Partizani ëndërron kualifikimin

Teuta ndryshon zv/trajnerët 24 orë para Kupës, Partizani

Kupa e Shqipërisë do të kthehet këtë të mërkurë me duelet e kthimit të turit paraçerekfinal, ku vëmendja e gjitha do të jetë tek ndeshja Partizani-Besëlidhja. Kujtimet e Partizanit nga edicioni i shkuar janë pompoze vetëm në kampionat, por jo në kupë, ku të kuqtë po vijojnë të vuajnë. E megjithatë, ata e kanë në dorë vetë kualifikimin për më tej edhe këtë sezon, pavarësisht se kanë pësuar disfatë në duelin e parë me Besëlidhjen e Lezhës, në kuadër të turit paraçerekfinal. Disfata 3-0 në favor të lezhjanëve bën që t’i shkojnë djersë të ftohta trajnerit Adolfo Sormani, të cilit i “lëkundet” karrigia dhe një tjetër disfatë apo eliminim nga kupa mund të sjellë surpriza për pankinën. Me pak fjalë, Partizanit i duhet të reflektojë thellë në fushë dhe Sormani ka preferuar të mos flasë shumë për këtë duel, por ka nxituar gjatë ditëve që ka pasur në dispozicion të përgatisë skuadrën në fazën ofensive, duke qenë i ndërgjegjshëm se Besëlidhja do të vijë në kryeqytet për t’u mbrojtur. Lezhjanët janë “mprehur” për tu kualifikuar dhe për këtë objektiv kanë folur së fundmi si presidenti ashtu dhe trajneri Elvis Plori. Duan të kalojnë partizanin madje kanë ambicie për të shkuar deri në finalen e Kupës së Shqipërisë. Por përballë do të kenë sot “Demat e kuq”, të cilët janë të “uritur” dhe duan të fitojnë me patjetër, madje me goleadë, për të lënë pas shijen e hidhur të ndeshjes së parë në Lezhë, ku humbën 3-0. A do të zbatojë Sormani taktikën e sulmit total në këtë ndeshje? Kjo mbetet për t’u parë, por gjatë gjithë këtyre ditëve në stërvitjen e të kuqve është folur për një “uragan” ndaj Besëlidhjes, me synimin e qartë për të gjetur shpejt golin e epërsisë dhe shënimin e sa më shumë golave, që të mundësohet përmbysja e madhe. Shanset duken thjesht matematike, por Partizani do ta provojë forcën e tij ofensive pikërisht sot.

Teuta ndryshon staf 24 orë para ndeshjes në Kupë

Ndërsa skuadrat po ideojnë lojën e tyre taktike në fushë për duelet e kthimit të turit paraçerekfinal të Kupës së Shqipërisë, një pjesë e ekipeve kanë probleme serioze të brendshme dhe duket se një situatë e tillë ka kapur “Djemtë e detit”, të cilët 24 orë para ndeshjes së kthimit në kupë, përballë Erzenit (ndeshja e parë është fituar nga skuadra durrsake 3-1), ka ndryshuar një pjesë të mirë të stafit, me idenë e rinovimit të ideve dhe freskimit të drejtimit, por pa prekur pozitat e trajnerit Edi Martini. Në fakt Barazimi ndaj Luftëtarit fundjavën e kaluar nuk është pritur mirë nga presidenca e Teutës që ka bërë disa ndryshime në stafin teknik. Siç njofton vetë klubi i Teutës janë shkarkuar nga detyra dy ndihmësit e Edi Martinit Gentjan Begeja dhe Alfred Osmani, ndërkohë që vendin e tyre në skuadër e kanë marrë dy ish-lojtarë të “djemve të detit”, Bledar Hodo dhe Bledian Rizvani. “KF Teuta ka zyrtarizuar edhe dy anëtarët e rinj të stafit teknik, që do të jenë Bledar Hodo dhe Bledian Rizvani, të cilët kompletojnë stafin blu sepse gjejnë aty edhe përgatitësin atletik, Eduard Salillari. Edi Martini do të ketë si krahun e djathtë në pankinë një emër të njohur të futbollit durrsak, pikërisht Bledar Hodo. Ndërsa trajneri i portierëve, do jetë Bledian Rizvani. KF Teuta me këtë rast falënderon Gentian Begejan, dhe Alfred Osmanin, për emocionet dhe punën e tyre me ekipin gjatë kësaj kohe që ishin pjesë e Teutës dhe i urojmë suksese në karrierën e tyre”, njofton klubi i Teutës. Sot në Kupë ekipi i Martinit do ta ketë relativisht të lehtë, pasi e ka fituar duelin e parë, por duhet vëmendje dhe trajneri shkodran i Teutës e di mirë këtë. Nga ana tjetër, ambiciet e Teutës në kampionat janë për një vend nderi në renditje, në mënyrë që të sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Europës. fakt është se pozita aktuale e Teutës e lejon atë të mendojë dhe për titullin kampion, e ndoshta me objektiv të fortë dhe në Kupën e Shqipërisë.