Sport

Teutës i vjen shansi të shkëputet në kryesim, Kukësi rrezikon të hedhë në erë objektivat e sezonit

Teutës i vjen shansi të shkëputet në kryesim, Kukësi

Teuta do të ketë një duel relativisht më të lehtë këtë fundjavë krahasuar me rivalët e tjerë që synojnë titullin, pasi do të përplaset me skuadrën e vendit të fundit, Apoloninë. Do të jetë një neshje e vështirë, në fakt, në transfertë, ku durrsakët nuk kanë rrugë tjetër veçse të fitojnë për të qenë brenda objektivave dhe një fitore në Fier këtë fundjavë do ta sillte atë më afër objektivave madhore sezonale. Ndërsa Vllaznia e Laçi do të përplasen kokë më kokë, ku njëra prej tyre mund edhe të digjet në këtë rrugëtim për kreun, Partizani do të ketë përballë skuadrën e Bylisit, një “mace e zezë” për skuadrën e “demave të kuq”. Tirana do të jetë në Korçë përballë Skënderbeut, sfidë shumë e vështirë për bardheblutë, nisur dhe nga pozitat e Skënderbeut në këtë kampionat, prandaj marrja e pikëve maksimale duket të jetë e vështirë. Në këto rrethana, Teuta është skuadra që mund të bëjë diferencën dhe të marrë e vetme kryesimin pas javës së 27-të.

Teuta dhe Vllaznia, shans për t’u shkëputur

Teuta dhe Vllaznia në krye me 46 pikë, të ndjekura nga Laçi dhe Partizani me nga 44, dhe Tirana në kuotën e 41 pikëve. Një kampionat si ky është i vështirë të gjendet në vitet e fundit, për rivalitetin në krye të tabelës dhe një luftë për titull më të hapur se kurrë. Jo thjesht matematikisht, por me shanse reale për ta synuar, plot 5 skuadra, të gjitha me pikat e tyre të forta dhe ca më pak të forta, të pesta të investuara në maksimum, e madje-madje pa pretendentë klasikë të së shkuarës si për shembull Kukësi. Gjithçka do të vendoset në fazën e fundit, në një sprint final që pritet të dhurojë shumë emocione e spektakël, jo vetëm për aspektin teknik të skuadrave me organika të ndërtuar për objektiva madhorë, por edhe për dyndjen në kreun e tabelës së klasifikimit ku çdo javë mund të sjellë përmbysje të mëdha, duke rritur njëkohësisht presionin mbi pretendentët për të përjetuar çdo ndeshje si një finale më vete. Spikat padyshim shtimi i radhëve të pretendentëve me skuadra si Teuta, Vllaznia e Laçi, që i bashkohen dyshes tradicionale të kryeqytetit Tirana e Partizani, me ambicie reale e forcë të provuar në fushën e blertë, duke ofruar për çdo javë të paktën nga një ndeshje direkte për kreun, verdikti i të cilës mund të peshojë në gjithë sezonin. Ajo e kësaj fundjave, Laçi-Vllaznia një supersfidë më vete, me derbin e veriut që vjen si një përballje që vendos kreun e klasifikimit, natyrisht me tabu të reja për tu thyer, për Vllazninë që kërkon titullin një e veçantë, ajo për të fituar pas plot 7 vitesh në fushën kurbinase.

Kukësi rrezikon të hedhë në erë objektivat e sezonit

Kukësi, nga një skuadër me pretendime për të fituar të dy trofetë sezonalë, kupë e kampionat, është katandisur në një pikë sa rrezikon të hedhë në erë objektivat madhore e madje të futet në zonën e mbijetesës.. Nga edicioni i shkuar, kur blutë e mbyllën në vendin e dytë, ka patur shumë ndryshime, por kjo nuk është diçka e re tek Kukësi, sepse ikjet e ardhjet masive tek Kukësi kanë ndodhur gjithmonë, madje edhe pas sezonit kur skuadra u shpall kampion, atëherë çfarë e ka gjetur këtë ekip?! Ndoshta presidenti i nderit i angazhuar me politikë e ka lënë skuadrën pak më shumë të qetë se sa duhet, prurjet e merkatos së verës , por edhe ato të janarit nuk kanë bërë një diferencë të jashtëzakonshme, përjashto Agim Ibraimin, mbrojtja fut ujë nga të gjitha anët dhe këtë e tregojnë numrat, sepse më shumë se Kukësi kanë pësuar vetëm 2 skuadrat e fundit. Që do të ketë një ndryshim rrënjësor sezonin tjetër, kjo as nuk diskutohet, një situatë të tillë Kukësi nuk e ka përjetuar që në kohën kur në 2012-ën erdhi për herë të parë në Superiore. A ka anë pozitive, po edhe ka, për shembull faza sulmuese nuk është se ka funksionuar duke qenë se vetëm dy ekipe kanë shënuar më shumë, Partizani e Laçi, megjithatë nuk mjafton, përveçse anën teknike ku ekipi ka shfaqur mangësi, Kukësi ka deficite edhe në aspektin karakterial, duket ndonjëherë si skuadër e dorëzuar, dhe një ekip i dorëzuar mund të rrezikojë edhe turpin e madh.