Lajme të tjera
BREAKING NEWS

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok Çupi lëshon ‘bombën’: Presidentit t’i hiqet …

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok
x

Sport

Theodhor Masllavica: Jemi në vit olimpik, na duhet bashkim e jo ndarje për t’i sjellë Shqipërisë medaljen e parë olimpike

Theodhor Masllavica: Jemi në vit olimpik, na duhet bashkim e jo ndarje

Viti 2019 ishte mjaft i vështirë për sportet në Shqipëri, pasi shumë objektiva të mjaft federatave nuk u arritën. Dhe kur flasim për objektivat vëmendja shkon tek kualifikimi olimpik, ku deri tani ka siguruar “Tokio-2020” atletja Luiza Gega dhe besohet se është i konfirmuar edhe shtangisti Briken Calja. Pra atletika dhe peshëngritja e kanë siguruar pjesëmarrjen, kurse sportet e tjera duken me pak shanse ta arrijnë një objektiv të tillë në muajt që mbeten deri në verë. Duhet thënë që peshëngritja është i vetmi sport që ia doli të sigurojë medalje të shumta e me vlerë nga aktivitetet ndërkombëtare, duke ruajtur kështu “elitarizmin” e saj dhe padyshim krenarinë e sportit tonë në veprimtaritë sportive ndërkombëtare. Ky vit parashikohet të jetë i vështirë, gjithashtu, por për presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Theodhor Masllavica, ka mundësi reale që Shqipëria të kthehet nga Olimpiada me një medalje që do të ishte e para për ne në Lojërat Olimpike. Dhe shpresat, kuptohet, janë tek Briken Calja. Gazeta “Sot”, intervistoi kreun e shtangës shqiptare, i cili, duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit në KOKSH, thotë se sporti ynë më shumë se kurdoherë tjetër ka nevojë për bashkim e jo për ndarje që të realizojë objektivat e tij. Këto e shumë çështje të tjera, vijnë këtë fundjavë për lexuesit e veçmas për dashamirësit e shtangës.

 

-Më së pari duam të dimë një përshtypje tuajën rreth arritjeve që pati peshëngritja gjatë vitit 2019. Ishin shumë medalje ndërkombëtare, 37 në total, a jeni i kënaqur nga prezantimi i shtangistëve tanë në garat kombëtare e ndërkombëtare?

 Në të vërtetë kemi pasur rezultate të mira, qofshin arritje me medalje nga aktivitetet ndërkombëtare, por edhe disa rekorde kombëtare, duke dëshmuar që ky sport ka peshën e tij në Shqipëri dhe nuk është rastësor që është sport elitar. Sidoqoftë, unë si president i federatës prisja më shumë. Prisja më shumë nga Europiani i Bakusë (Azerbajxhan), por edhe Botërori i Tajlandës, që ishin dhe dy aktivitetet kryesore të vitit që shkoi. Prisja dy medalje në Europian nga Krenar Shoraj, por prisja medalje dhe nga Endri Karina. Por garat e peshëngritjes jo gjithmonë shkojnë “vaj”, prandaj duhet të kënaqemi me kaq. Më duhet të them që fati nuk ishte me ne.

-Po në Botëror, ç’ne që prisnit më shumë? Ne e dimë që Botërori është nivel shumë i lartë, janë më të mirët e planetit, nuk është e lehtë. Çfarë prisnit konkretisht?

Brikeni u paraqit mjaft mirë, por ne si staf i ekipit kombëtar prisnim më shumë, deshëm një medalje më të mirë. Sidoqoftë, rezultati dhe pozicioni janë premtues dhe të nivelit të lartë. E meqë po flisnim për vitin 2019, dua të nënvizoj, po ashtu, që prisja më tepër nga të rinjtë. Rezultatet e tyre nuk ishin aty ku unë pretendoja. Kurse paratërinjtë u prezantuan më mirë dhe siç e dini dhe ju patën rezultate më të mira dhe me medalje, sidomos nga aktiviteti i fundit.

-Duke bërë një bilanc të arritjeve, ju vetë si president federate çfarë note do t’i vinit shtangës shqiptare për vitin 2019?

Dua t’i vë notën 10, por që të arrish këtë shkallë maksimale duhet të kishim qenë në perfeksion, gjë që nuk ka ndodhur. Por jam i mendimit që e meritojmë notën 9, pasi shtanga konkurroi, u angazhua në maksimum, solli shumë medalje dhe ky ishte një prej viteve më “pjellorë” sa u takon medaljeve nga aktivitetet ndërkombëtare, shënuam disa rekorde kombëtare për të rritur e për moshat, patëm larmishmëri prezantimi dhe padiskutim rezultate në progres. Këto na japin sadisfaksion dhe e parë në këtë formë mendoj se e meritonim notën 9. Mos harrojmë se në aktivitete të rëndësishme shkuam pa doktor, pa fizioterapist, që janë të domosdoshëm, kështu që, duke marrë parasysh edhe sakrificën, rezultatet janë vërtet të mira.

-Një nga çështjet që nuk i shmangemi dot ka të bëjë me dopingun. Ndoshta ky mund të quhet edhe basti juaj i fituar si president federate, pasi e kishit premtim elektoral. Sa ka fituar peshëngritja shqiptare nga reforma juaj antidoping?

Ky ka qenë një nga premtimet e mia të hershme dhe besoj se kemi marrë hapat e duhur për ta eliminuar këtë fenomen nga peshëngritja shqiptare. Dhe këto hapa të kujdesshëm na kanë dhënë të drejtë, pasi sot jemi të pastër, kryelartë dhe të kujdesshëm. Por nuk duhet të harrojmë koston e kësaj reforme, e cila vetëm gjatë vitit 2019 ka kushtuar 12 milionë lekë. Kjo tregon që të kesh sport të pastër duhet të kesh një buxhet të mirë për kontrollin antidoping. Madje besohet se këtë edicion, meqë jemi në vit Olimpiade, buxheti për antidopingun të rritet deri në 15 mln lekë, një shumë e madhe për kapacitetet tona financiare.

-Së shpejti nisin aktivitetet e mëdha, që kanë edhe vlerë për Olimpiadën. Më i pari nga aktivitetet e rëndësishme është Europiani. Çfarë keni projektuar?

Synimi ynë prioritar në këtë fazë është tek Briken Calja dhe Erkand Qerimaj, për të evituar “djegien” e tyre. Ata do të jenë me siguri në Europian. Brikeni e ka siguruar, por ne duhet të evitojmë çdo pengesë që lind rrugës, ndërsa Erkandit i duhen edhe pak pikë që të sigurojë praninë në Olimpiadë. Unë i kam ndjekur dy ditë më parë në palestër dhe ata kanë formë të mirë dhe rezultate të larta. Madje flasim për rezultat që janë rekord kombëtar. Olimpiada është aktivitet madhor, por Europiani do të jetë testi i vërtetë para saj.

-Nga bisedat me teknikë të shtangës shprehet optimizmi që mund të kualifikohet edhe një femër, me ftesë olimpike nga federata botërore...

Më lejoni t’ju sqaroj në lidhje me këtë çështje. Peshëngritja shqiptare nuk mund të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios me më shumë se dy sportistë, pasi është e dënuar. Dhe numri i është caktuar si kufizim për shkak të rasteve të përsëritura të dopingut nga vitet e kaluara. Ky dënim i hiqet shtangës tonë pas Olimpiadës së Tokios (të dënuar nga olimpiada e shkuar në Olimpiadën e tanishme). E thënë ndryshe, synimi ynë është të shkojmë me këta dy sportistë (Caljen dhe Qerimajn), të tjerët nuk kanë asnjë shans, pasi vetë federata botërore nuk na lejon.

-Në tërësi masiviteti ka rënë në shumicën e disiplinave sportive, por peshëngritja ruan statusin “elitar” falë disa kokrrave. A ka shtanga ndonjë grup të rinjsh që mund të zëvendësojnë brezin aktual të kampionëve?

Planet tona si federatë janë të çojmë në Europianin disa prej të rinjve si Bishanakun, një shtangist të trajnerit Çela, një shtangist të trajnerit Nebiaj, ku shpresojmë që të arrijnë në zonën e medaljeve. Natyrisht, vëmendja jonë është më shumë tek të rriturit në Europian, ku pretendojmë zonën e medaljeve me Godellin, Qerimajn, Shorajn e Caljen. Sa i takon Krenar Shorajt, nuk është për Olimpiadë, por nëse ai garon në peshën trupore 89 kg në Europian ka shanse për zonën e medaljeve.

-Pak kohë më parë federata juaj solli një teknik të huaj për seminaret e peshëngritjes. A ia ka vlejtur?

Nuk besoj se do të vijojmë më me këtë, pasi nga 20 veta në seminar vetëm 4 veta u angazhuan, të tjerët jo. Pra nuk u dalluan as 20%. Në fakt, ky projekt (nga federata botërore) do të vazhdojë, por në një formë tjetër, pasi ne kemi nevojë për bazë materiale. Kemi kërkuar pedanë, të cilën nuk e kemi, një tabelë elektronike e pajisje të tjera që i shërbejnë bazës materiale, kurse seminar tjetër si viti i shkuar nuk do të bëjmë gjatë 2020-s. Por duhet bërë një dallim në këtë pikë, pasi ne si federatë kemi planet tona rreth seminareve, pasi një të tillë e planifikojmë me gjyqtarët, në mënyrë që të rrisim nivelin e arbitrimit.

-A jeni ju i kënaqur me gjendjen e bazës materiale të peshëngritjes në të gjithë Shqipërinë?

Unë kam bërë herë pas here ture vëzhgimi në qytete të ndryshme dhe atje ku e kam parë të nevojshme edhe kam shpërndarë bazë materiale, por në tërësi gjendja është e mirë. Në Berat kanë nevojë dhe do të bëjmë diçka për shtangën e këtij qyteti, por siç thashë gjendja nuk është e keqe.

-E megjithatë bastioni i peshëngritjes mbetet aks nga Durrësi në Elbasan, apo jo?

Ky është një konstatim që vlen, pasi këtu kanë dalë shumë shtangistë, mjaft cilësorë. Kjo tregon se këtu punohet dhe ka elementë, por unë nuk do të lija pas edhe qytetet e tjera që pavarësisht numrit të paktë të sportistëve, e kanë traditën e peshëngritjes, si në Shkodër etj. Në disa klube në Shqipëri peshëngritja po ringrihet.

-Veteranët kanë shkruar histori dhe kërkojnë më shumë respekt. Keni ndonjë aktivitet për nder të tyre?

Respekti ynë për figurat e peshëngritjes nuk shteron kurrë, ata e kanë derën e hapur në federatë, janë krenaria jonë. Ne i ftojmë shpesh në gara dhe duke qenë të çmuar i angazhojmë herë pas here në aktivitete të tilla për tu dhënë kurajo të rinjve.

-Nuk i largohemi dot temës më të nxehtë, asaj që ka të bëjë me buxhetin. Sporti po vuan në një farë mase nga fondet e pakta grant. Si paraqitet gjendja e shtangës për këtë vit?

Jo vetëm për peshëngritjen, por për çdo sport buxheti është “thembra e Akilit”. Të gjithë mund të flasin, mund të thonë çfarë të duan, por unë i çova djemtë në aktivitetet ndërkombëtare të tre muajve të fundit me paratë e xhepit tim. Nga shtatori e deri në dhjetor sportistët i kam çuar në gara me shpenzimet e mia. Merreni me mend vetë se sa shpenzime duhen për një skuadër kombëtare në një turne në Azi e gjetkë. Nga institucionet morëm premtime shumë, por deri tani nuk na kanë kaluar asnjë qindarkë.

-Është dhe kjo marrëdhënia e tensionuar në KOKSH që e vuan sporti...

KOKSH na premtoi 10 mijë euro, por deri tani nuk na ka dhënë asgjë. Pa para nuk mund të bësh sport cilësor. Jemi në vit olimpik, por që Shqipëria të fitojë medaljen e parë olimpike ne si struktura e institucione nuk duhet të jemi të ndarë, pasi kështu nuk shkojmë gjëkundi, përkundrazi, na duhet bashkim, që të fokusohemi tek objektivi. Me Briken Caljen mund të pretendojmë një medalje olimpike dhe janë plotësisht shanset. Që të ndodhë kjo, që të sjellim medaljen e parë olimpike për Shqipërinë, duhet të jemi të bashkuar.

Intervistoi: Adriatik BALLA