BREAKING NEWS

Ervin Bushati i jep mesazhin e fortë Bashës dhe Kryemadhit: Pas gabimit të pafalshëm që...

Ervin Bushati i jep mesazhin e fortë Bashës dhe Kryemadhit: Pas
x

Sport

Theodhor Masllavica: Zgjedhjet të pashmangshme, të mbajmë dopingun larg shtangës

Theodhor Masllavica: Zgjedhjet të pashmangshme, të mbajmë

Peshëngritja është sporti individual më cilësor në Shqipëri, dëshmuar me rezultatet e larta të shtangistëve tanë në garat kombëtare dhe ndërkombëtare e sidomos me numrin e konsiderueshëm të medaljeve të fituara në veprimtaritë e rëndësishme sportive të peshëngritjes në rang europian e botëror. Vitet e fundit është bërë një progres jo i vogël në luftën kundër dopingut, dëshmuar me rezultat, pasi nuk ka asnjë rast të dalë pozitiv, por situata duket të jetë ndezur disi, pas fjalëve të përhapura në disa media për një rikthim të ish-presidentit të FSHP-së, Elez Gjoza, si kandidaturë për president të kësaj federate. Natyrisht rregulloret dhe statutet e federatave i kanë të përcaktuara hapat në raste zgjedhjesh, por frika e një njolle dopingu në peshëngritje është ende e freskët. Për këto zhvillime, gazeta “SOT”, intervistoi kreun e federatës së shtangës, Theodhor Masllavicën, i cili shpalosi jo vetëm punën e tij, por edhe gjendjen e këtij sporti në kuadër të përgatitjeve për në Lojërat Olimpike të Tokios, që siç dihet janë shtyrë për në vitin 2021.

-Në media qarkullojnë fjalë për një rikthim të ish-presidentit Elez Gjoza si kandidat në zgjedhje për kreun e federatës. Cili është komenti juaj dhe kur është caktuar data për zhvillimin e zgjedhjeve në peshëngritje?

Zgjedhjet janë parashikuar të zhvillohen në nëntor, por nuk përjashtohet mundësia që të bëhen edhe më parë, por për këtë do të vendosë kryesia e federatës. Këto janë zgjedhje të zakonshme të peshëngritjes, pasi, sikurse e dini, unë u zgjodha dy vjet më parë president i FSHP-së nga zgjedhjet e jashtëzakonshme. Kurse tani do të kemi zgjedhje normale, zgjedhje që organizohen gjithmonë në prag të Lojërave Olimpike. Pati një problem këtë vit, për shkak se pandemia frenoi shumë veprimtari sportive dhe shtyu me një vit Olimpiadën. Për t’u kthyer tek pyetja juaj, unë dëshiroj të ketë zgjedhje normale e të fitojë platforma më e mirë. Unë personalisht do të kandidoj dhe nëse komuniteti i peshëngritjes e sheh të arsyeshme të më votojë le ta bëjë këtë. Natyrisht, unë kam argumentet e mia që kam punuar mirë, që i kam mbajtur premtimet. Rivalët, kushdo qofshin, janë të hapur të vijnë të konkurrojnë e të ballafaqojnë platformat e tyre.

-Ku bazohet platforma juaj në këto zgjedhje?

Platforma ime përmban disa pika, që lidhen me mbajtjen e premtimeve gjatë kohës që e kam drejtuar këtë federatë, por kryetema lidhet me antidopingun. Besoj se kjo është arma më e fortë e imja. Unë erdha në krye të federatës me një premtim madhor, për të shkulur dopingun nga ky sport. Dhe në dy vjet ne nuk kemi regjistruar asnjë rast me doping. Mbi 80% të premtimeve dhe të projekteve të FSHP-së janë realizuar. Të gjitha do të ishin bërë, por pandemia na kushtëzoi shumë gjatë muajve të fundit. Por si kemi mundur ne të largojmë dopingun nga shtanga? Për këtë kemi shpenzuar shumë nga buxheti vjetor, duke bërë kontrolle të vazhdueshme dhe janë shpenzime që kapin shifrën e 19 milionë lekëve. E kemi mposhtur dopingun duke bërë kontrolle të herëpashershme dhe për këtë ndihemi krenarë. Arma e dytë më e fortë e jona është se kemi pasur në fokus sportistin. Po ashtu, ne bëmë maksimumin në infrastrukturë, aq sa nuk ishte bërë më parë. Dhe arma e tretë janë rezultatet e sportistëve tanë, sidomos medaljet e shumta ndërkombëtare, medalje të pastra, pa doping, që ia shtuan suksesin Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Nëpërmjet këtyre arritjeve unë dal ballëlart para komunitetit, pasi kam mbajtur premtimet. E përsëris, kemi fituar luftën me dopingun, kemi vënë në majën e interesit sportistin, duke e financuar dhe ndihmuar të arrijë rezultatet e larta dhe kemi fituar medalje të nivelit europian e botëror, medalje krejt të pastra. Këtu dua të veçoj sportistët tanë elitarë që i kanë përmbushur, në tërësi, objektivat e tyre dhe jemi të kënaqur që financimi ynë ia ka vlejtur. Por, në këtë kuadër, dua të veçoj edhe një tjetër arritje të këtyre dy viteve, që është ristrukturimi i marrëdhënieve ndërkombëtare të federatës tonë. Kjo kërkoi shumë kohë, por ia dolëm. E kemi realizuar këtë me punë dhe kemi pasur një bashkëpunim të frytshëm me federatën europiane e botërore dhe me shumë federata të rajonit. Është një besim i sinqertë dhe bashkëpunim që largoi hijet e errëta që ekzistonin më parë si pasojë e damkës së dopingut.

-Cila është marrëdhënia juaj me institucionet sportive sot në Shqipëri?

Unë flas me fakte dhe fakti është se ne kemi një raport institucional efikas me MARS-in, ku diskutojmë projekte sportive me interes për peshëngritjen dhe ata na kanë mbështetur. Por mbetet ende shumë për t’u bërë me afrimin e sponsorëve, edhe pse ka disa sponsorë që janë afruar dhe kanë dhënë kontributin e tyre. Por edhe në këtë drejtim, pandemia na solli ç’akordim. Sidoqoftë, shpresojmë që në kohën e përshtatshme të rikuperojmë pozitat tona edhe në këtë drejtim.

-Cilët janë rivalët tuaj në zgjedhjet e ardhshme?

Po flasim para kohe për këtë gjë. Është ende herët për të dhënë emra, pasi akoma nuk ka nisur procesi dhe s’ka asnjë kandidaturë zyrtare, por opinioni do të njihet me këtë hap pas hapi dhe në varësi të rregullores e statutit të FSHP-së. Praktikisht nuk kemi asnjë të dhënë për ndonjë kandidaturë të mundshme për president të federatës. Sidoqoftë, të gjithë ata që dëshirojnë mund të kenë shansin e tyre dhe mbi bazën e platformave që do të paraqiten të fitojë më i miri dhe ai që i shërben më shumë peshëngritjes. Unë do të dëshiroja shumë që platformat të fokusohen tek sportisti dhe pavarësisht kush fiton, duhet që vëmendjen të mos e marrin presidentët, por pikërisht sportistët, sepse sportistët janë ata që garojnë dhe përcjellin imazhin e sportit shqiptar në botë. Çdo platformë që ka në fokus sportistin është e mirëpritur, por duhet të kuptojmë që dopingu nuk do të ketë më vend në komunitetin e peshëngritjes.

-Pse mendoni se e keni mbështetjen e komunitetit sportiv të shtangës shqiptare?

Unë e gëzoj këtë mbështetje, patjetër që e gëzoj. Mos harroni, e mora drejtimin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes me 30 sportistë, sot kemi të regjistruar 110 të tillë. Kemi shtuar aktivitetet sportive dhe kemi kompletuar me bazë materiale disa palestra. Nuk e mohoj që edhe federata botërore na ka dhënë një ndihmë në këtë drejtim, një ndihmë në bazë materiale që shkon në 6 mijë dollarë. Në fakt, në këtë marrëdhënie me federatën botërore ne kemi kërkuar një program të posaçëm për zhvillimin e peshëngritjes shqiptare, një program të standardizuar që do ta certifikonte punën profesioniste në shtangën shqiptare dhe njëherësh do ta afronte këtë menaxhim apo garat tona, me të njëjtin standard që organizohen edhe Europiani apo Botërori i shtangës.

-Deri tani ju keni folur vetëm për arritje, a thua se sporti në Shqipëri nuk ka kurrfarë problemi. A ka ndonjë mangësi në peshëngritjen shqiptare?

Pyetja juaj është me vend, por ju siguroj që gjithçka sa thamë nuk është mburrje, përkundrazi, është një punë që e kemi detyrim ta bëjmë. Nuk kemi bërë hatanë, kemi bërë vetëm detyrën tonë që na e ngarkon përgjegjësia, por e kemi bërë me një frymë entuziazmi, pasi mbi gjithçka ky sport është pasion dhe krenari. A ka mangësi? Sigurisht që ka, mangësi të tilla që i ka sporti ynë në tërësi. Sa më takon mua, në këtë kuadër dua të veçoj fizioterapistin për ekipin kombëtar. Ende nuk e kemi. I kam mbajtur të gjitha premtimet, por kjo është një mangësi. Ta themi troç: Kombëtarja ka nevojë për një mjek fizioterapist. Pse nuk e kemi realizuar? Sepse kjo kërkon sforco financiare, por janë edhe çështje burokratike.

-Një tjetër institucion që ka lidhje të fortë me ju është KOKSH, për vetë natyrën olimpike të sportit tuaj, por edhe nivelit të lartë të sportistëve që ka peshëngritja...

Me KOKSH-in kemi marrëdhënie shumë të mira, madje dhe ndonjë paqartësi që patëm tani nuk ekziston, pasi ky institucion i ka shlyer detyrimet që kishte karshi nesh. Momentalisht marrëdhënia jonë si federatë si me presidentin Bezhani, ashtu dhe sekretarin Bello është e mirë.

-Një pikëpyetje është ngritur ditët e fundit në komunitetin e peshëngritjes. Pse ju si drejtues po nxitoni për të bërë zgjedhje sa më parë?

E përsëris, ne kemi zgjedhje të zakonshme këtë vit, dhe janë parashikuar në nëntor, por, meqë edhe federata europiane zhvillon zgjedhje në tetor, menduam që në një kohë me ata të bëjmë edhe ne zgjedhjet tona. Sidoqoftë, unë e shpreha dhe më lart që këtë vendim do ta marrë kryesia e FSHP-së.

-A jeni i lumtur me punën tuaj në krye të shtangës shqiptare?

Po, jam shumë i kënaqur. Unë e ceka më sipër që i vetmi peng është mungesa e një fizioterapisti për ekipin kombëtar, por në tërësi objektivat e tjerë madhorë i kemi realizuar, e ku kryesorja është fitorja e luftës ndaj dopingut. Ky është padyshim premtim shumë i madh dhe i mbajtur me sukses deri tani. Natyrisht, atje ku punohet ka dhe mangësi dhe si kudo gjetkë edhe ne kemi mangësitë tona. Një tjetër element që desha ta evidentoj këtu ka të bëjë me prezantimin e skuadrës tonë kombëtare në garat e mëdha. Kjo ka të bëjë me veshjen, që e kemi më të mirën, diçka për të cilën kemi marrë edhe komplimente nga vendet rivale. Është mënyrë përfaqësimi edhe kjo, ka të bëjë me imazhin e vendit dhe shtanga e ka prezantuar sportin shqiptar me shumë dinjitet në garat europiane e botërore.

-Nuk mund të lëmë jashtë vëmendjes një shqetësim që nuk është i vogël. Mosha e sportistëve elitarë është problem, nuk jep shpresë për vazhdimësinë, ndërsa nga të rinjtë nuk kemi ende sinjale për kampionë të mëdhenj. Si qëndron ky raport?

Së pari, sportistët tanë elitarë (Calja, Godelli, Qerimaj, Shoraj etj) nuk janë të vjetër, por kanë ende vite përpara për të shfaqur tërë potencialin e tyre. Së dyti, nuk është e vërtetë që nuk kemi sportistë të rinj cilësorë, përkundrazi, janë afro 10 sportistë të nivelit të lartë nga të rinjtë që besohet se janë e ardhme e garantuar e shtangës tonë. Unë dua të veçoj Ferrën, Kofshën,Lagjjen, Bishanakun, Markun etj, e nga vajzat K.Saliajn, e cila duhet përgëzuar për punën e përkushtuar në stërvitje. Disa prej këtyre sportistëve janë në top-5 apo top-7 më të mirët në Europë për moshën e tyre. Pra kemi elementë cilësorë dhe të ardhme në këtë sport.

-Së fundmi, ju keni vendosur të rikandidoni për president, është në të drejtën tuaj. Por, a nuk do të ishte më mirë një ndryshim?

Ndryshimin e kemi sjellë ne, në vetëm dy vite, duke larguar dopingun nga shtanga. Dhe ky projekt duhet të vazhdojë, pasi peshëngritja është në drejtimin e duhur dhe na presin suksese të reja. Nën drejtimin tim kjo federatë i ka kthyer fytyrën shtangës, e ka pastruar atë, kemi sjellë dinjitet dhe normalitet. Nuk ka më dallavere dhe nuk besoj se komuniteti i peshëngritjes do të votojë për të kthyer njerëz që bëjnë pis peshëngritjen. Nuk dua të paragjykoj askënd, as të fyej, por nuk do të pranojmë më që damka e dopingut të pushtojë shtangën shqiptare.

Intervistoi: Adriatik BALLA