BREAKING NEWS

“FBI”-ja shqiptare nis punën më 1 shtator, zbardhen detajet ku do të jetë selia

“FBI”-ja shqiptare nis punën më 1 shtator, zbardhen
x

Sport

Tirana bën goditjen e madhe për Champions, afron për dy vite Avdijajn e Shpresave

Tirana bën goditjen e madhe për Champions, afron për dy vite

Tirana nuk ka pritur fundin e sezonit për të bërë lëvizjet e saj në treg. Ditë më parë ishte vetë presidenti Refik Halili që vizitoi Kosovën, duke vënë në shënjestër disa futbollistë të kampionatit kosovar, me idenë që ata mund të ishin një e ardhme e skuadrës bardheblu gjatë sezonit të ardhshëm. Ndërkohë, po me një kosovar në fokus, dje klubi bardheblu zyrtarizoi një futbollist që është pjesë e Kombëtares së 21-vjeçarëve, një element i së ardhmes, përderisa është dhe pjesë e Shpresave. Ka ardhur pikërisht Albion Avdijaj, lojtar i skuadrës së Alban Bushit në Kombëtare. Duke marrë një sulmues, Tirana duket se i vë “vizën” Majkëll Ngosë, i cili kishte shfaqur rebelime gjatë javëve të fundit dhe nuk kishte lënë sinjale të mira për një qëndrim në kampin bardheblu. Me këtë lëvizje Tirana i vë nën presion lojtarët që janë të dyzuar apo që nuk kanë gjetur mirëkuptim për rinovimin e kontratës me klubin.

Ardhja e Albion Avdijajt

Pasi arriti të fitojë titullin kampion, që vinte pas një mungese të gjatë 11-vjeçare, Tirana ka nisur menjëherë të mendojë për sezonin e ardhshëm, ku krahas kampionatit, do të provojë të bëjë një performancë të mirë edhe në Kupat e Europës. Kështu ditën e sotme bardheblutë kanë arritur marrëveshjen me sulmuesin Albion Avdijaj, i cili ka mbërritur në kryeqytet dhe ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me Tiranën dhe që prej të shtunës do të vihet në dispozicion të trajnerit Egbo. Sulmuesi 26-vjeçar është rritur në akademinë e Zyrihut në Zvicër dhe gjatë karrierës së tij ka veshur fanellat e Grashopersit në tre periudha të ndryshme, Volfburg II, Debrecenit dhe së fundi danezëve të Viborg. Albion Avdijaj numëron edhe dy takime me Shqipërinë U21, në periudhën kur trajner ishte i mirënjohuri Skënder Gega, ndërsa ka arritur të shënojë edhe një gol me fanellën kuqezi, në një miqësore ndaj Suedisë U21. Afrimi i sulmuesit 26-vjeçar është mjaft i rëndësishëm për bardheblutë, të cilët rrezikojnë që në fund të sezonit të humbin si Michael Ngo’o, ashtu edhe Ernest Muçin, ndaj e kishin të nevojshme afrimin e një futbollisti për të shtyrë topin në rrjetë.

Europa / Eliminatoret e skuadrave shqiptare luhen me ndeshje teke

Tirana do të mund të luajë në Ligën e Kampioneve, si fituese e kampionatit në Shqipëri. Prania në Champions do të thotë më shumë të ardhura që vijnë nga UEFA, por këtë herë nuk do të ketë fitime nga publiku, pasi ndeshjet do të luhen pa praninë e tifozëve si pasojë e frikës së infektimit dhe përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Nga ana tjetër nuk do të ketë ndeshje me vajtje ardhje në asnjë kompeticion gjatë fazës paraeliminatore dhe këtë e bëri të qartë edhe dje qeveria europiane e futbollit, pra UEFA, e cila ka qenë e qartë për këtë shqetësim që në fillimet e përhapjes së pandemisë. Kështu, UEFA ka zyrtarizuar sot datat për sezonin e ri të Europa Leagues, kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në rang klubesh, teksa gjithçka do të startojë më 20 gusht me raundin para-eliminator. Vetëm një javë më vonë, më 27 gusht do të luhet turi i parë eliminator, ndërsa më 17 dhe 24 shtator do të luhen edhe raundi i dytë e i tretë eliminator dhe më 1 tetor do të jetë radha e ndeshjeve “play-off”- për në grupe. E veçanta e eliminatoreve të këtij viti është se ndryshe nga sezonet e kaluara ku është luajtur me sistem vajtje-ardhje, do të vendosen me vetëm një ndeshje në fushë asnjanëse, pasi koha është e limituar për shkak të çrregullimeve që solli pandemia. Faza e grupeve do të zhvillohet normalisht dhe do të startojë më 22 tetor, për t’u mbyllur më 10 dhjetor. Më pas gjithçka do të vijojë si në sezonet e kaluara, me takimet që pritet të startojnë në shkurt, për turet me eliminim. E thënë ndryshe, skuadrat shqiptare do të luajnë në Europë me vetëm tek ndeshje në fazën paraeliminatore.