BREAKING NEWS

Shpërthim i fuqishëm në një hotel pranë QSUT, dyshohet për tritol

Shpërthim i fuqishëm në një hotel pranë QSUT, dyshohet
x

Sport

Tirana dështon sërish, në “Selman Stërmasi” feston Kukësi

Tirana dështon sërish, në “Selman Stërmasi”

Superiorja u rikthye dje në fushë, madje me rezultate surprizë dhe që u pasua me një ngjeshje akoma më të madhe të skuadrave në renditje, duke e bërë këtë edicion mjaft interesant sa i takon rrugëtimit drejt titullit. Në kryeqytet kanë festuar kuksianët, sepse dueli në “Selman Stërmasi” me Tiranën u mbyll me rezultatin 1-3. Në sfidën ku pritej kthesa e bardhebluve dhe lënia pas krahëve e humbjes së dy javëve më parë në Korçë, kryeqytetasit u panë në fushë vetëm 45 minuta dhe më pas panë t’u përmbysej avantazhi fillestar. Takimi nisi me Tiranën më kërkuese, që pas zbritjeve në gjysmëfushën kuksiane, arriti të kalojë në avantazh falë fantazistit shkodran Edon Hasani, që u gjend në vendin e duhur për të shtyrë në rrjetë një top të ardhur në zonë. Minutat në vijim loja ishte e balancuar, me Kukësin që nuk arriti të vërë në vështirësi Ilion Likën dhe Tiranën që tentoi të gjejë golin e dytë, por pa arritur të shkojë rrezikshëm në zonën kundërshtare. Pjesa e dytë pati një tablo krejt tjetër, me verilindorët e Duros që erdhën në fushë të transformuar dhe të bindur në përmbysjen e rezultatit, ndërsa goli i barazimit erdhi në minutën e 65-të, kur Shkurtaj mposhti Likën me një penallti të ekzekutuar në formë “panenka”. Vetëm 10 minuta më vonë ishte sulmuesi anësor Enis Gavazaj, që mposhti për herë të dytë Ilion Likën dhe i dha avantazhin Kukësit, ndërsa në minutën e 80-të ishte Kristal Abazaj ,që ekzekutoi saktë një goditje dënimi dhe dërgoi topin për herë të tretë në rrjetë. I zhgënjyer Julian Ahmataj, që merr kështu humbjen e dytë në vetëm 5 ndeshje në pankinën bardheblu dhe për më tepër takimin e radhës e pret Partizani, në një derbi ku do të bëjë llogaritë edhe me mungesën e Kale, që plotësoi numrin e kartonëve. Feston në krahun tjetër Shpëtim Duro, pasi Kukësi i tij është i plotë dhe ka filluar të luajë e të dominojë, teksa me fitoren e sotme mban vendin e dytë, por tani vetëm një pikë larg Partizanit kryesues.

Duro: Tirana e dobët, Kukësi ka vend për përmirësime

Trajneri i Kukësit, Shpëtim Duro, foli pas ndeshjes me Tiranën rreth lojës dhe rezultatit, duke përgëzuar lojtarët e tij për fitoren. “Ishte një moment jo vigjilent në momentin që pësuam golin, por duhet pranuar që pjesët e para nuk i kemi pasur të mira, pasi skuadra ka hyrë me vonesë në lojë. Ndoshta kjo ka ardhur për shkak të presionit që kemi pasur për të marrë rezultat, por duhet të punojmë edhe në këtë aspekt. Ne kemi një skuadër me shumë lojtarë që janë bërë bashkë këtë verë dhe për më tepër, në fillim të sezonit patëm shumë probleme edhe me dëmtimet. Me kalimin e javëve lojtarët po njihen më mirë dhe kemi punuar me organikë të plotë, që na ka lejuar të stërvitemi mirë dhe të gjejmë formën maksimale”, theksoi Duro. Më pas ai komentoi edhe vështirësitë e Kukësit për të marrë maksimumin përballë ekipeve të vogla. “Përsëri do kemi vështirësi edhe me ekipet e vogla, por kryesore është fusha jonë, që nuk luajmë krah tifozëve tanë. Të luash 2 herë në Lushnjë, një herë në Shkodër apo Elbasan, pa tifozë, është një element i rëndësishëm. Dëgjoja edhe unë tifozët e Tiranës në stadium, 4-5 kuksianë. Ky është një element me rëndësi në përkrahjen e skuadrës. Nuk dua të kaloj në eufori. Do kemi probleme edhe me skuadrat dytësore. Do luftojmë deri në fund për objektivat”, shtoi ai.

Ahmataj: Kam lojtarë me përgatitje fizike të dobët

Trajneri i Tiranës, Julian Ahmataj, që u votëbesua nga presidenti Refik Halili dy javë më parë, tani gjendet sërish në pozita të vështira, pasi pësoi humbje ndaj Kukësit. Ai kritikoi sjelljen e skuadrës së tij. “Skuadra e nis mirë dhe luan, arrin të krijojë e të shënojë, ndërsa më pas gjithçka erdhi duke u sfumuar, çka më bën të mendoj se lojtarët nuk kanë përgatitjen e duhur fizike për të përballuar 90-minutëshin. Me këtë nënkuptoj që lojtarë të caktuar nuk janë stërvitur mjaftueshëm për shkak të dëmtimeve dhe kjo ka ndikuar në rendimentin e dhënë në fushë. Për këtë arsye kemi përdorur edhe shumë lojtarë nga akademia. Zëvendësimet e detyruara na bënë që të mos ndryshonim diçka në lojën tonë, pasi kishim vetëm një zëvendësim, që duhej ta shtynim sa më shumë. Më pas erdhi ajo penallti, që përveçse solli barazimin, ndikoi edhe në gjendjen psikologjike të skuadrës”, u shpreh Ahmataj.

 

Adriatik BALLA