BREAKING NEWS

Asnjë marrëveshje për Zgjedhoren, PD akuzon PS por nuk tërhiqet nga asnjë kusht dhe qeveria teknike

Asnjë marrëveshje për Zgjedhoren, PD akuzon PS por nuk
x

Sport

Tirana nuk ndalet, merr nga Flamurtari edhe Bathën dhe sfidon rivalët me supermerkato

Tirana nuk ndalet, merr nga Flamurtari edhe Bathën dhe sfidon rivalët

Tirana po shndërrohet në skuadra më e suksesshme në tregun e kësaj vere. Kjo për faktin e ka bërë lëvizje të shumta në një kohë të shkurtër, duke formatuar që tani ekipin e sezonit të ri. Janë emra të spikatur që vijnë kryesisht nga Flamurtari i Vlorës, por edhe rinovime brenda klubit me lojtarë të rinj, duke u bërë skuadër pararojë e merkatos së verës. Natyrisht, blerjet kanë qenë të goditura dhe deri tani në shijet e trajnerit Ardian Mema, por këto lëvizje duhen parë edhe si një sfidë që Tirana po u bën klubeve të tjera rivale në kampionat, sidomos Partizanit, pasi disa prej lojtarëve që po afron Tirana kanë qenë më parë pjesë e klubit të kuq. Ndërkohë, dje erdhi edhe goditja e radhës e madhe e Tiranës. Pas firmave me Agustin Torasën dhe Elton Kalenë, klubi bardheblu ka zyrtarizuar marrëveshjen me Idriz Bathën, që sikurse dy të parët, vjen nga radhët e Flamurtarit. Mesfushori ka firmosur kontrate 1-vjeçare, me opsionin për të rinovuar edhe një vit tjetër. “Batha, shkruhet në njoftimin e klubit, - vjen si një përforcim shumë i rëndësishëm për mesfushën bardheblu”. Ish-futbollisti i Flamurtarit, pasi hodhi formën në kontratë, u prezantua në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi”. Pra, në kuadër të merkatos së verës, pavarësisht të kaluarës së tij si futbollisti i Partizanit, Idriz Batha ka pranuar ofertën për t’u bërë pjesë e 24-herë kampionëve të vendit, teksa në sezonin e ri bardheblutë do të kenë synim për të rikthyer klubin në vendet e larta të klasifikimit, duke i dhënë fund vuajtjeve të sezoneve të fundit. Ka qenë vetë klubi i Tiranës, që nëpërmjet faqes zyrtare në Facebook ka njoftuar për firmën me mesfushorin 27-vjeçar. “Idriz Batha është bërë sot zyrtarisht pjesë e Tiranës. Mesfushori ka firmosur një kontrate 1-vjeçare me opsionin për të vazhduar sërish në sezonin pasardhës. Batha vjen si një përforcim shumë i rëndësishëm për mesfushën bardheblu. Ish futbollisti i Flamurtarit pas firmës në kontratë është prezantuar sot në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi”, shkruhej në njoftimin e klubit bardheblu. Ndërkohë, vetë Idriz Batha ka folur për këtë lëvizje dhe referuar “VipSport”, ai e sheh këtë marrëveshje si mundësi në karrierën e tij. “Më bindi projekti që ka Tirana këtë vit dhe synimet që ka. Më pëlqen të jem në kryeqytet sepse më pëlqen të pretendoj për titullin kampion dhe të jem afër familjes”, u shpreh Idriz Batha. Ndërkohë, një nga problemet është edhe lidhja me tifozerinë duke qenë se për vite me radhë ka luajtur me fanellën e Partizanit. I pyetur se si mund të fitojë zemrat e tifozëve, Batha shprehet se me shumë përkushtim mund t’i fitojë. “Unë nuk e di si mund të fitoj zemrat e tifozëve por di që do të jap më shumë se maksimumin për të fituar me Tiranën. Për të fituar zemrat e tifozëve të Tiranës, do të jap maksimumin për ekipin tim dhe shpresoj të renditemi të parët në tabelën e klasifikimit”, shtoi mesfushori. Tirana do të luajë edhe këtë sezon 4 ndeshje derbi në kampionat ku për Bathën do të jetë jo pak e veçantë pasi rikthehet si “ish” në derbi. Megjithatë, vetë gjirokastriti nuk ka shumë koment për derbin. “Sa për ndeshjen ndaj Partizanit, ka kohë deri atëherë”, u shpreh Batha. Me ardhjen e mesfushorit të fuqishëm të Superiores, Tirana ka arsye të krenohet me lëvizjet që ka bërë deri tani. Padyshim, në ditët e ardhshme klubi do të tentojë të bëjë gjëra edhe më të bukura, duke afruar ndonjë sulmues cilësor, pasi Tirana e sezonit të kaluar kishte probleme edhe në këtë repart. Sigurisht që mbrojtja ishte reparti më i dobët, por është në karakterin e Tiranës që të ketë një sulm të fuqishëm dhe për këtë i duhet një emër i spikatur në treg. Me siguri që deri në fund të gushtit presidenti i Tiranës, Refik Halili, do të bëjë të tjera goditje në treg.

Adriatik BALLA