BREAKING NEWS

Më shumë të shëruar sesa raste të reja! Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Më shumë të shëruar sesa raste të reja! Ministria e
x

Sport

Tirana përmbys Apoloninë dhe “kërcënon” kreun, Skënderbeu zhyt në krizë Kukësin

Tirana përmbys Apoloninë dhe “kërcënon” kreun,

Java e 26-të e Superiores u mbyll dje, me një fitore spektakolare të Tiranës, e cila mori tri pikë të merituara dhe tani ndodhet vetëm 5 pikë larg kreut të renditjes, duke u bërë kështu rivalja e pestë e këtij kampionati që synon titullin. Tirana mundi 5-2 Apoloninë në Stadiumin “Air Albania”. Sfidë e bukur që ofroi mundësi të shumta shënimi, sidoqoftë në fund kampionët në fuqi ia dolën mbanë për të përmbysur disavantazhin e pjesës së parë duke shënuar plot katër herë në fraksionin e dytë të lojës dhe Tirana u bë kështu skuadra e dytë në këtë edicion të kampionatit shqiptar që ia del për t’i fituar që të tria ndeshjet e para të këtij sezoni, ndaj ekipit fierak, pas klubit të Vllaznisë. Në takimin e djeshëm, për Apoloninë shënoi dy gola Levendi, kurse për Tiranën shënoi dy gola Batha, një Torasa, një Ismailgeci e golin e fundit e shënoi Kale. Ndërkohë, trajneri Orges Shehi nuk e fshehu dje gëzimin për përmbysjen që Tirana i bëri Apolonisë dhe rezultatin e thellë që korri në këtë ndeshje. Për të Tirana do të jetë deir në fund në garë për titull, pasi tani është afruar ndjeshëm. “Jemi brenda objektivave dhe do të synojmë majën. E kemi marrë skuadrën 16 pikë larg kreut, tani jemi 5 pikë larg. Skënderbeu fitoi sot, na pret një javë shumë e vështirë. Nuk heqim dorë nga objektivat madhore. Kemi edhe dhjetë javë, çdo kundërshtar është i rrezikshëm. Skuadrat nuk kanë diferencë në Superiore, e pëson nga të gjithë nëse humbet pak përqendrimi”, theksoi ndër të tjera trajneri Shehi.

Kukësi në agoni, Skënderbeu fitore shprese

Nuk ka fund kriza e Kukësit në këtë sezon. Jashtë çdo objektivi skuadra e Josës mund ta shohë veten papritur në garën për mbijetesë pasi u mposht edhe nga Skënderbeu i Migen Memellit në Elbasan Arena në një ndeshje të cilën Kukësi e dominoi për pjesën më të madhe të kohës por në fund doli pa asnjë pikë. Vijon momenti pozitiv për korçarët të cilët morën fitoren e 3-të në 4 ndeshjet e fundit të kampionatit duke u ngjitur në kuotën e 22 pikëve, 4 më pak se Bylis i vendit të 8-të. Në këtë fitore të Skënderbeut një meritë të jashtëzakonshme e ka edhe portieri Dajsinani që evitoi disa gola të sigurt. Në Elbasan Arena sfida nisi menjëherë me rast për Kukësin por tentativa e Gashit nga distanca mori kundërpërgjigjen e Dajsinanit. Portieri i talentuar i korçarëve u shfaq në lartësinë e duhur edhe në minutën e 5-të kur ndali goditjen e Gashit i cili provoi nga një pozicion i prirët pas asistit perfekt që mori nga Ibraimi. Në të 23-tën u shfaq edhe Skënderbeu që me një kundërsulm të shpejtë pa portën e Kukësit por Elvi Berisha nuk shfrytëzoi pasimin që mori nga Mensah duke goditur shumë keq. Në të 32-ën Mara provoi nga distanca por tentativa e tij u grushtua nga Tafa. Në të 34-ën fati nuk ishte me Kukësin pasi goditja me kokë e Eze shkoi ngjitur me shtyllën. Tjetër rast i shpërdoruar nga Kukësi në minutën e 40-të, me Eze që pas një rrotullimi të bukur në qendër të zonës nuk gjeti dot kuadratin e portës. Në të 43-ën provoi edhe Agim Ibraimi por as tentative e tij nuk gjeti katërkëndëshin e Dajsinanit. Pjesa e parë u mbyll me një tjetër tentativë të verilindorëve por penalltia në lëvizje e Ibraimit mori kundërpërgjigjen e Dajsinanit që përdori këmbët për të shmangur golin e Kukësit. Në pjesën e dytë ritmi i verilindorëve ra ndjeshëm me Skënderbeun që nisi të shikonte më shumë nga porta e Tafës. Në të 62-ën dalje e shpejtë e Skënderbeut nga e majta e sulmit por krosimi i Berishës nuk shkon në destinacion për Vangjelin por largohet nga një mbrojtës i Kukësit. Në minutën e 71-të provoi skuadra e Josës por goditja me kokë e Eze nuk gjeti kuadratin. Ajo që nuk pritej ndodhi në minutën e 78-të me Skënderbeun që kaloi në avantazh. Pas një kombinimi shumë të bukur mes Mensah dhe Vangjelit sulmuesi ganez u shfaq i vetëm përballë Tafës duke e mposhtur me një goditje tokazi. 0-1 për Skënderbeun që ruajti avantazhin deri në fund duke marrë tre pikë të arta në garën për mbijetesë.