BREAKING NEWS

Ulet numri i të infektuarve në vend, Ministria tregon sa persona kanë dalë pozitiv me Covid-19 në 24 orët e fundit (BILANCI)

Ulet numri i të infektuarve në vend, Ministria tregon sa persona
x

Sport

Tiranës i largohet një “gjeneral”, Gentian Muça zgjedh të luajë në Kosovë për Prishtinën

Tiranës i largohet një “gjeneral”, Gentian Muça

Tirana po përgatitet për ndeshjen ndaj Jang Bojs, që do ta luajë ditën e enjte në kuadër të “play-off”-it në Ligën e Europës, një ndeshje që është përcaktuese për fazën e grupeve. Një sukses i bardhebluve u jep atyre të drejtën të shkojnë në grupe të këtij aktiviteti, gjë që do të ishte një arritje historike, në të kundërt e mbyllin aventurën europiane për këtë sezon. statistikat e skuadrave shqiptare përballë zviceranëve nuk janë premtuese. Në tre raste të mëparshëm, Skënderbeu, Vllaznia dhe Besa nuk ia kanë dalë të triumfojnë. Kujtojmë sfidën e korçarëve pikërisht ndaj Jang Bojs ku në Zvicër u mposhtën 2-1, ndërsa në Shqipëri ndeshja përfundoi 1-1. Nga ana tjetër, Vllaznia është përballur me Thun në vitin 2011. Në Zvicër shkodranët janë mposhtur me rezultatin 2-1, ndërsa në Shkodër ndeshja u mbyll në një barazim pa gola, 0-0. Sakaq, është edhe precedenti i Besës me Grasshoper në Kupën Intertoto në vitin 2008. Në Zvicër, kavajasit pësuan një disfatë me rezultatin 2-1, ndërsa në Shqipëri, u mposhtën gjithashtu me rezultatin 0-3. Në total, ekipet shqiptare ndaj atyre zvicerane në gjashtë ndeshje në total kanë pësuar 10 gola, ndërsa ia kanë dalë të shënojnë katër. Një fakt pozitiv që mund t’i japë më shumë kurajo Tiranës, është fakti se Skënderbeu, Besa dhe Vllaznia ia kanë dalë të shënojnë në Zvicër, edhe pse në fund kanë humbur.

Muça largohet dhe përfundon në Kosovë

Ditën e djeshme, krejt papritur, si rrufe në qiell të hapur, Tirana njoftoi se kishte ndërprerë bashkëpunimin me kapitenin Gentian Muça, pas një kërkese të vetë këtij të fundit për t’u larguar nga bardheblutë, pasi kohët e fundit kishte humbur vendin në formacion. Mbrojtësi 33-vjeçar, i cili ishte një nga pikat më të forta të Tiranës së sezonit të fundit, kishte rinovuar kontratën vetëm në fillim të muajit gusht, ndërsa ditën e djeshme bardheblutë dhanë lajmin e largimit, të shoqëruar edhe me një mesazh të vetë mbrojtësit. Burime mediatike konfirmojnë se lojtari ka vendosur të largohet për të shkuar në një skuadër ku të ketë mundësi të luajë rregullisht, pasi ka 33 vite mbi supe dhe pankina do t’ia shkurtonte karrierën futbollistike. Aktualisht Muça është në një fazë të avancuar bisedimesh me klubin e IPKO Superligës, Prishtinën, ndërsa edhe vetë presidenti i këtyre të fundit, Remzi Ejupi deklaroi në emisionin “Zona Gol” në “Supersport”, se zyrtarizimi mund të vijë shumë shpejt. Te Prishtina Muça do të gjente edhe dy emra të tjerë të njohur të Superiores, Sabien Lilaj dhe Glendi Mici, të cilët iu bashkuan kryeqytetasve në ditët e fundit të muajit gusht me synimin për të ndërtuar një skuadër të denjë për të garuar për titullin kampion. Ndërkohë mbrojtësi është kontaktuar edhe nga klubet e Superiores si Kukësi e Vllaznia, por duket se vetë Muça e ka marrë vendimin e tij dhe pritet të transferohet në Kosovë, ku do të ketë mundësinë të luajë si titullar.

Tirana përkujton fitoren më të thellë në Europë

Ndërkohë që Gentian Muça është larguar përfundimisht nga bardheblutë dhe pritet të prezantohet në Prishtinë, në kampin bardheblu po mendojnë për ndeshjen në Ligën e Europës kundër Jang Bojsit të Zvicrës. Kështu, data 1 tetor që përkon me ditën e enjte, mund të rezultojë shumë speciale për Tiranën dhe ambientin bardheblu. Kjo për arsye se kampionët e Shqipërisë do të luajnë ndeshjen e “play-off” për të marrë pjesë në grupet e Ligës së Europës, teksa përballen në transfertë më zviceranët e Jang Bojs. Një kundërshtar i vështirë, megjithatë Tirana do të provojë të bëjë një surprizë të bukur. Por, deri sa të vijë dita e enjte, kryeqytetasit kanë kujtuar fitoren më të thellë që kanë arritur në historinë e tyre europiane, e cila është arritur fiks si sot 31 vite më parë. Bëhet fjalë për ndeshjen e sezonit 1989-1990 ndaj Sliema Uandërers, të cilën bardheblutë e fituan me rezultatin 5-0. Ekipi në atë kohë drejtohej nga një legjendë si Shyqyri Rreli, ndërsa golat e suksesit të Tiranës përballë maltezëve erdhën nga Agustin Kola (2 gola), Sinan Bardhi, Skënder Hodja dhe Florian Riza.