BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Sport

Titulli i Teutës kalon nga Tirana, Shehi: Jemi në garë, në Durrës shkojmë për 3 pikë

Titulli i Teutës kalon nga Tirana, Shehi: Jemi në garë, në

Kategoria Superiore kthehet sot në fushë me duelet e xhiros së 29-të të saj, një javë e mbushur me duele direkte që mund të rezultojnë vendimtare për fatet e sezonit. Një nga takimet më të rëndësishme të javës së 29-të do të luhet këtë të shtunë në orën 16:00 në Durrës mes Teutës dhe Tiranës. Fituesja e Kupës dhe e Superkupës përballë kampiones në fuqi. “Djemtë e detit” synojnë t’i marrin pikërisht fronin bardhebluve në kampionat. Prej një viti Teuta ka patur një ecuri shumë të favorshme kundër Tiranës. 6 ndeshje pa u mposhtur përballë kryeqytetasve, ndër të cilat 5 fitore e 1 barazim. Në 3 sfidat e këtij sezoni ka fituar 2 dhe barazuar një, teksa i morri bardhebluve Kupën e Superkupën duke i fituar të dyja finalet. Skuadra e Edi Martinit ka një seri të konsiderueshme pathyeshmërie në kampionat. 11 janë ndeshjet pa humbje për durrsakët në Superiore, ndërsa fitoret radhazi janë 3 për Teutën. Në takimin ndaj Tiranës nuk do të jetë një prej lojtarëve kryesorë që është Lorenco Vila. Sulmuesi ka plotësuar numrin e kartonëve, gjithsesi Martini ka alternativa që mund ta zëvendësojnë, siç është Gruda i cili bëri mirë në Korçë, teksa Dejvi Bregu është njeriu ku i ka kthyer sytë trajneri përsa i përket realizimit të golave. Ndërkoha Tirana vjen nga dy barazime të njëpasnjëshme dhe duhet të ndryshojë kurs për të siguruar një vend në paraeliminatoret e Conference League. Trajneri Orges Shehi pritet t’i besojë sërish në sulm treshes Torassa, Cale, Seferi. Bardheblutë nuk fitojnë ndaj Teutës që nga 2 shkurti i 2020-ës, kurse fitorja e fundit e 26 herë kampionëve në “Niko Dovana” daton më 14 Prill të 2019-ës. Një sfidë shumë e rëndësishme, si për Teutën që ka si objektiv të mbajë kreun po ashtu edhe për Tiranën që kërkon të evitojë përjashtimin nga gara për Europën.

Shehi: Në Durrëss shkojmë për 3 pikë

Sfida ndaj Teutës krijon nostalgji për Orges Shehin, i cili si trajner i Tiranës do të sfidojë skuadrën ku ka hedhur hapat e parë si futbollist. Në intervistën para ndeshjes numri 1 i bardhebluve foli për gjendjen e Seferit, për kundërshtarin e radhës, por edhe për objektivat për të cilat është ende në lojë Tirana. “Gjendja e Seferit është e mirë, vetëm në ditët e para nuk është stërvitur, pastaj ka vazhduar normalisht, edhe ditën e sotme do të jetë në fushë për t’u stërvitur normalisht për të qenë i gatshëm nesër. Në kushtet që jemi prej pandemisë, nuk kemi ç’bëjmë. Në ndeshjen e shkuar ndaj Teutës kisha fatin e keq dhe nuk isha në krye të ekipit. Sigurisht është tjetër ndjesi të jesh aty. Është një ndeshje që na karikon shumë sepse luajmë ndaj vendit të parë. Kam një karrierë të gjatë me shumë vite mbi supe dhe sigurisht që do përballem me ekipe, që kam luajtur. Ka nostalgji, por jemi profesionistë dhe do bëjmë maksimumin. Janë një skuadër e mirë dhe shifrat i japin të drejtë. Kanë lojtarë shumë cilësorë dhe është i drejtë konstatimi se janë një skuadër hermetike, por ne do bëjmë maksimumin për të marrë pikët sepse është e domosdoshme. Të gjithë tifo për ne? Në bëjmë tifo për veten tonë sepse duhet të kishim marrë më shumë në dy ndeshjet e shkuara. Sigurisht futbolli ka edhe fatin dhe shpresoj që nesër ta kemi në anën tonë. Mendojmë vetëm për veten tonë dhe nuk shohim askund përveç se para. Javët sa vijnë dhe pakësohen dhe kur jep maksimumin dhe nuk fiton ndeshjen, pikët të vënë në vështirësi”, tha Shehi. Më pas ai komentoi objektivin, ku tha se janë plot ndeshje në lojë dhe që Tirana do të bëjë maksimumin e saj. “Ka ende javë në lojë dhe jemi brenda objektivave dhe të shohim ndeshje pas ndeshje. Duam të luajmë si me Kukësin, por këtë herë e duam fatin në anën tonë. Kemi bërë punë të mirë të gjithë, kemi marrë rezultate të mira, por nuk mjaftohemi sepse Tirana nuk ka limite. Do provojmë maksimumin, duke ruajtur ekuilibrat dhe duke pasur rrjedhshmëri në lojë. Do punojmë të mos ndëshkohemi nga detajet e vogla dhe atë që japim në fushë, ta marrim mbrapsht pas ndeshjes”, përfundoi Shehi.