BREAKING NEWS

“Nuk ka arsye që ta mbajmë pagën minimale aty, por...”, Rama jep lajmin fantastik për shqiptarët

“Nuk ka arsye që ta mbajmë pagën minimale aty,
x

Sport

Uzuni e Broja në top-formë, Manaj zhgënjen me Barçën B

Uzuni e Broja në top-formë, Manaj zhgënjen me Barçën

Lojtarët e rinj të Kombëtares janë shpresa e kuqezinjve në eliminatoret e Botërorit Katar-2022. Një pjesë kanë arritur nivele të kënaqshme. Por ka dhe të tjerë që ende nuk po e gjejnë vetveten, sikurse ndodh me sulmuesin Rei Manaj, i cili është pjesë e Barcelonës B, e në ndeshjen e fundit të saj humbi një rast flagrant me portën e boshatisur, duke bërë më të vështirën, duke e nxjerrë topin jashtë. Ndërkohë, Myrto Uzuni ka bërë progres dhe është shndërruar në titullar bazë tek Ferencvaroshi hungarez, një lojtar që meritoi ftesën e trajnerit Edi Reja në Kombëtare dhe besohet e në eliminatoret e ardhshme do të jetë pikë e fortë e kuqezinjve. Madje së fundmi ai ka gjetur kohën të mbështesë moralisht ish-shokun e skuadrës tek Lokomotiva e Zagrebit, Indrit Tucin, i cili dëmtoi ligamentet. Ndërkohë, ka lajme të mira për Armando Brojën, i cili është kthyer nga dëmtimi. Në tërësi, të rinjtë kuqezi po kalojnë formë të mirë.

Broja e rinis me shkëlqim tek Viteshe

Armando Broja shkëlqeu ditën e djeshme për Viteshen duke qenë se në sfidën ndaj Emen në transfertë, sulmuesi i kombëtares shënoi një gol, por edhe asistoi. Një ndjesi e cila Brojës i kishte munguar duke qenë se ka qenë në “bokse” si pasojë e një dëmtimi. Ndërkaq, pas ndeshjes, 19-vjeçari në pronësinë e Çelsit ishte i lumtur për rikthimin, ndërsa vuri theksin se edhe pse vinte nga dëmtimi, sërish nuk kishte diferencë me të tjerët. “Jam shumë i lumtur të luaj përsëri. Nuk është e thjeshtë. Ka një ndryshim shumë të madh, pasi stërvitesha veçmas, qëndroja në shtëpi, ndërsa sot isha në fushë. Pavarësisht se vij nga një dëmtim, cilësia ime nuk ka shumë diferencë me lojtarët e tjerë. E përsëris edhe një herë, jam shumë i lumtur. Tanane më dha një pas të mirë dhe unë shënova. Unë bëra më të mirën time. Rikthimi në formë? Rëndësi ka që unë jam rikthyer në fushë dhe jam me fat”, u shpreh Broja.

Uzuni në formë tek Ferencvarosh, mesazh edhe për Tucin

Ka qenë një fazë përgatitore e pafat për Indrit Tucin me Lokomotivën e Zagrebit. Sulmuesi i Shpresave ka pësuar një dëmtim në ligamentet e gjurit dhe për pasojë nuk mund të shmangë dot ndërhyrjen kirurgjikale. Dëmtime të tilla të bëjnë të qëndrosh për një kohë të gjatë jashtë fushe, ndaj edhe sezoni për Tucin konsiderohet i mbyllur para kohe, teksa më shumë rëndësi do të ketë faza përgatitore në mënyrë që ai të kthehet në 100%. Ndërkaq, pas lajmit për dëmtimin e futbollistit shqiptar, ka ardhur edhe një mesazh mbështetës nga ana e Myrto Uzunit. Lojtari i Ferencvarosh, nëpërmjet rrjeteve sociale i ka dhënë kurajo mikut të tij me të cilin ka qenë bashkëlojtar te Lokomotiva, duke i kërkuar të kthehet edhe më i fortë.

Manaj zhgënjen tek Barça B, nuk shënon me portën bosh

Rei Manaj ka qenë ditën e sotme në fushë për ndeshjen që Barcelona B luante në transfertë ndaj Gjimnastik. Rezultati nuk ishte i mirë për blaugranët e sulmuesit të kombëtares duke qenë se u mposhtën me rezultatin 3-1. Por, përshtypje ka bërë edhe një episod që përfshin Manajn, i cili në minutën e 51 të fraksionit të dytë humbi një rast të pastër shënimi. Me portën e boshatisur, futbollisti shqiptar nuk arriti të devijonte në rrjetë sferën, duke e dërguar shumë larg kuadratit. Një rast që solli dëshpërim te tijtë të cilët mund të rihapnin takimin, por mundësia e shpërdoruar ishte fatale. Megjithatë, në botën e futbollit, edhe emrat më të njohur kanë gabuar raste flagrante si Manaj.

Hysaj 90 minuta në fushë në fitoren e Napiolit, 11 minuta për Rrahmanin

Napoli ka marrë fitoren e dytë radhazi në Serinë A, teksa ka mposhtur lehtësisht 6-0 Fiorentinën. Ndërkohë, 90 minuta ishin të rezervuara për Elseid Hysajn, ndërsa trajneri Gatuzo i dhuroi 11 minuta në fushë edhe Amir Rrahmanit. Duhet thënë se Hysaj u vlerësua me notë të mirë dhe i bëri si duhet detyrat taktike në fushën e lojës, duke marrë përgëzimet e trajnerit Xhenaro Gatuzo, kurse Rrahmani pati pak minuta që të mund të bëhej një vlerësim i saktë. Por në ato 18 minuta që luajti ishte mjaft korrekt me lojën e tij në shërbim të grupit.