BREAKING NEWS

Italia vazhdon të thyejë koronavirusin ,1109 të shëruar dhe 2107 të infektuar

Italia vazhdon të thyejë koronavirusin ,1109 të shëruar dhe
x

Sport

Uzuni: në verë largohem nga Lokomotiva e Zagrebit drejt Europës, Kombëtarja më motivon

Uzuni: në verë largohem nga Lokomotiva e Zagrebit drejt Europës,

Myrto Uzuni është një djalosh i thjeshtë i Kombëtares së Futbollit të Shqipërisë. E nisi nga zero, duke kaluar në Superiore me Laçin, e më pas duke marrë ftesë nga Lokomotiva e Zagrebit, me të cilën po luan edicionin e dytë të plotë të tij. Në kampionatin kroat Uzuni ka spikatur, duke marrë vëmendjen edhe të Dinamos së Zagrebit, por së fundmi ai ka zbuluar për tifozët dhe dashamirësit e tij se ka qenë shumë pranë Majorkës në Spanjë por për shkaqe ende të pazbardhura ky transferim nuk është arritur, gjë që i ka mbetur peng lojtarit të kombëtares tonë. I ftuar në emisionin “Zona Gol” Myrto Uzuni foli për momentin e shkëlqyer që kalon me Lokomotivën e Zagrebit në kampionatin kroat, për bisedimet dhe kalimin e mundshëm te Majorka në La Liga që nuk u realizua si dhe për kombëtaren shqiptare. “Kam qenë në bisedime me drejtorin dhe presidentin e Majorkës. Ka qenë gjithçka e mbyllur, nuk e kuptova në momentin e fundit pse u prish. As sot as kësaj dite nuk e di arsyen. Dinamo e Zagrebit është klub i madh. Ka pasur interesim për mua në këto 1 vit e gjysmë që jam në Kroaci. Mendoj që deri në verë do lëviz”, u shpreh sulmuesi kuqezi në një lidhje me emisionin në fjalë. Padyshim që Uzuni ka ambicie që të lërë gjurmë me Lokomotivën edhe këtë edicion dhe në verë të bëhet pjesë e një klubi më cilësor, ku brenda kampionatit kroat alternative e vetme është Dinao e Zagrebit, kurse jashtë Kroacisë ai lakmon një kampionat në top-5 ligat e mëdha europiane dhe Spanja dhe Italia shihen si mundës reale. Ndoshta në Serie B, ose Segunda Divizion si fillim, për të arritur më pas majat.

Kombëtarja, motivim i madh

Sulmuesi Myrto Uzuni, i cili po luan në nivel të lartë në kampionatin kroat, nuk la jashtë vëmendjes as ekipin kombëtar, ku ai prej më shumë se një viti është pjesë e kuqezinjve dhe madje ka mundur të fitojë një vend në formacion, si me trajnerin Kristian Panuçi, ashtu dhe me teknikun e tanishëm, veteranin italian Edi Reja. Këtë vëmendje Uzuni e ka fituar me djersë, pasi ai punon fort në stërvitje dhe kur është në radhët e ekipit përfaqësues jep maksimumin e tij, duke u dalluar për përkushtimin e madh në programin stërvitor dhe në skemat taktike të trajnerit. Kjo e ka bërë atë të fitojë respektin e stafit dhe ta meritojë aktivizimin në përfaqësuese. Uzuni nuk e fsheh se Kombëtarja është motivim për të. Madje Uzuni falënderoj presidentin e Laçit, Pashk Laska, që ia dha mundësinë, duke i besuar një fanellë titullari tek kurbinasit, ku më pas uzuni e shfrytëzoi për të spikatur dhe kaluar në kampionatin kroat. Ngjitjen e njëpasnjëshme në karrierë Uzuni e sheh në sajë të punës, por ai insiston se të rinjtë duhen mbështetur. “Kombëtarja është kënaqësia më e madhe për çdo futbollist. Gjej mundësinë të falënderoj presidentin e Laçit i cili besoi shumë te mua. Uroj t’ia kem shpërblyer. Çunat e rinj nuk kanë nevojë për rrogën mujore në atë moshë. Duhet t’i ngjisësh shkallët një e nga një. Transferimi te Majorka mund të ishte fati im. Nuk e dimë çfarë mund të ndodhte. Mendoj që ne lojtarët duhet të japim më të mirën për klubin. Kush është më në formë mendoj se e meriton ftesën në Kombëtare”, nënvizoi Uzuni.

Tifoz me Juventusin

Myrto Uzuni nuk e fsheh që është tifoz me Juventusin, madje e ka ndjekur “Zonjën e Vjetër” edhe në stadium. Duke dalë jashtë objektivave të tij e duke folur për skuadrën me të cilën është tifoz, Uzuni tha se Juventusi do ta fitojë edhe këtë vit titullin kampion në Itali. “Unë jam tifoz i Juventusit. Dje kam ndjekur Juventusin. Mendoj që do e fitojë kampionatin edhe këtë vit”, shtoi në fund Uzuni. Lojtari po kalon momente të mira me Lokomotivën kroate dhe do të tregojë vlerat e tij edhe në Kombëtare në duelet miqësore që përfaqësuesja do të ketë në muajin mars.