BREAKING NEWS

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i përgjigjet Sali Berishës

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i
x

Sport

Valë shkarkimesh në Superiore, Partizani shkarkon Lerdën, Teuta shkarkon Shkëmbin

Valë shkarkimesh në Superiore, Partizani shkarkon Lerdën, Teuta

Java e 15-të e Kategorisë Superiore solli jo vetëm përmbysjen e Partizanit në kryesim, i cili u mund në derbi ndaj Tiranës 1-2, por edhe marrjen e kryesimit nga dy ekipe të veriut, si Kukësi dhe Laçi, që regjistruan dje fitore të thella ndaj rivalëve të tyre. Partizani humbi në derbi dhe kjo bëri që presidenti Gazmend Demi të humbasë besimin tek tekniku italian Franko Lerda, që dje pasdite e shkarkoi edhe zyrtarisht. Por vala e shkarkimeve u shtri më vonë rreth mbrëmjes në Durrës, atje ku presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu shkarkoi trajnerin Bledi Shkëmbi, pas disfatës së rëndë në Kurbin përballë Laçit (4-0). Dy trajnerë të shkarkuar brenda një ore, duke dëshmuar se sa i paqëndrueshëm është “institucioni” i trajnerit në futbollin shqiptar dhe njëherësh se sa e brishtë është bërë gara këtë edicion, ku distanca midis vendit të parë e të tetë në renditje është vetëm 6 pikë, praktikisht një garë e hapur për titullin për 8 ekipe.

Humbi derbin me Tiranën, Demi s’ia përton shkarkimin Lerdës

Humbja në derbi me Tiranën, edhe pse vinte pas afro gjashtë vitesh, ka lënë pasoja tek skuadra e kuqe. Nuk është vetëm disfata 1-2, por edhe loja jo në lartësinë e emrit të kampionëve në fuqi dhe sidomos e krahasuar me rivalin që ishte dukshëm më i mirë në fushën e lojës. Për këtë arsye Partizani nuk e ka kapërdirë dot humbjen dhe presidenti Gazmend Demi dje ka marrë vendimin për të bërë ndryshime në pankinë, pra ka larguar trajnerin. Mbrëmë vonë erdhi edhe njoftimi zyrtar. Kështu, Franko Lerda nuk është më trajneri i Partizanit. Humbja 1-2 në derbi me Tiranën i ka kushtuar shtrenjtë trajnerit italian, i cili është shkarkuar sot nga presidenti Demi. Nëpërmjet një postimi të shkurtër në faqen zyrtare klubi i kuq njofton largimin e Lerdës, të cilit i uron suksese të mëtejshme në karrierë. 52 vjeçari pasoi Skënder Gegën, i cili u largua në përfundim të sezonit, pasi i shpalli të kuqtë kampionë pas 26 vitesh. Klubi i Futbollit Partizani njofton se Presidenti Gazment Demi ka mbyllur ditën e sotme bashkëpunimin me trajnerin Franko Lerda. Presidenti Demi i uron trajnerit Lerda suksese të mëtejshme në karrierën e tij sportive”, shkruhet në komunikatën e klubit të kuq për mediat, një qëndrim i shkurtër pa shumë përmbajtje por që ka në thelb largimin për shkak të humbjes së derbit. Shihet qartë nga ecuria e grupit dhe humbja e terrenit në renditje se dy humbjet radhazi të të kuqve nuk kanë kënaqur stafin drejtues që duke marrë shkas sidomos nga loja jo në nivelet e kërkuara të ekipit, ka vendosur që të largojë teknikun e afruar gjatë verës. Trajnerit i është komunikuar dje vendimi i presidentit të klubit, duke ndërprerë marrëveshjen e nënshkruar mes palëve. Tani pritet të mësohet emri i trajnerit te ri që do të drejtojë të kuqtë në vijimësi, nëse klubi do të zgjedhë një të përkohshëm deri në fund të edicionit, apo nëse do të zgjedhë që tani teknikun me të cilin pritet të vijojë sezonin.

Teuta shkarkon Shkëmbin, i uron “suksese në jetë”

Nuk është vetëm Lerda i Partizanit që e pësoi nga disfata në derbi me Tiranën, por një tjetër “kurban” në pankinat e Superiores u bë dje dhe është fjala për Bledi Shkëmbin e Teutës, që u shkarkua pas disfatës së rëndë në Kurbin përballë Laçit, 4-0. Ishte një humbje që nuk u përtyp dot nga presidenti Edmond Hasanbelliu dhe klubi durrsak në tërësi, prandaj shkarkimi ishte i paevitueshëm. Njoftohet vetë nga klubi durrsak në profilin e tij në rrjetet sociale se Teuta dhes dhe trajneri korçar kanë ndërprerë bashkëpunimin për shkak të rezultateve të dobëta, që kulmuan me humbjen e thellë 4-0 ndaj Kukësit. Shkëmbi e mori detyrën në qershor të vitit 2018 dhe në përfundim të sezonit të parë arriti të siguronte një vend në Europa League. Luhatjet e mëdha në rezultate në këto 15 javë të para, i detyruan drejtuesit e Teutës që të merrnin vendimin për ta larguar 40-vjeçarin, që në 8 ndeshjet e fundit kishte marrë vetëm dy fitore. Në ditët në vijim pritet të mësohet emri që do të zëvendësojë Shkëmbin në krye të Teutës. “Falënderojmë trajnerin në fjalë për kontributin e dhënë gjatë kohës që ishte pjesë e jona. Ne i urojmë Shkëmbit suksese në jetë dhe në karrierë”, shkruan klubi durrsak në faqen e tij në internet. 

Adriatik BALLA