BREAKING NEWS

Prokurorë të huaj zbarkojnë në SPAK me ligj, ndërkombëtarët marrin në patronazh gjurmimin e parave të korrupsionit dhe burgosjen e politikanëve

Prokurorë të huaj zbarkojnë në SPAK me ligj,
x

Sport

Vlerësimi i kuqezinjve në Itali, Gjimshiti e Kumbulla janë “ok”, Strakosha merr kritika

Vlerësimi i kuqezinjve në Itali, Gjimshiti e Kumbulla janë

Kombëtarja është shortuar në eliminatoret e Botërorit me Anglinë, Hungarinë, Poloninë, Andorrën dhe San Marinon. Duket një short i vështirë, por në kampin kuqezi besojnë se mund ta arrijnë një objektiv të rëndësishëm, duke u fokusuar tek vendi i dytë, që do të ishte një arritje e madhe në këtë fazë, nisur dhe nga vështirësia e grupit. Trajneri Edi Reja po monitoron ecurinë e lojtarëve, në mënyrë që të seleksionojë në kohën e duhur ata më në formë. Për komentin vëmendja është tek lojtarët që luajnë në Serie A italiane, atje ku luajnë futbollistët që përbëjnë bërthamën e përfaqësueses, nisur nga portierët Berisha e Strakosha, mbrojtësit Ismajli, Gjimshiti, Dermaku, Veseli e padyshim Hysaj e Kumbulla, mesfushorët Memushaj e ndonjë tjetër, por edhe sulmues si Vrioni e ndonjë tjetër. Me pak fjalë, në Itali luajnë shumica e lojtarëve titullarë të Kombëtares. Në ndeshjet e ditës së mërkurë në Serie A, disa prej tyre luajtën jo vetëm titullarë, por patën minutazh të plotë. Pati prej atyre që morën “fletëlavdërimi”, por edhe lojtarë që morën kritika, sikurse ishte rasti i Strakoshës. Kështu, disa prej futbollistëve të përfaqësueses shqiptare kanë qenë protagonistë të mesjavës në futbollin italian, duke zbritur në fushën e lojës me skuadrat e Serisë A e duke marrë vlerësime të rëndësishme. Spikat mbi të gjithë Berat Gjimshiti i cili vlerësohet si i pazëvendësueshëm te Atalanta nga portali i “Eurosport”, ndërsa nuk mungojnë kritikat për Thomas Strakoshën e rikthyer në fushë. Atalanta mundi 3-0 Parmën dhe Gjimshiti ishte ndër më të mirët në fushë me notën 6,5. “Nga të paktët nga të cilët Gasperini nuk heq dorë. Luan me kujdes, shumë mirë në leximet e diagonaleve”, shkruan “Eurosport”. Notë pozitive, 6, për Marash Kumbullën, edhe pse luajti zëvendësues. “Hyn në ndeshje me hapin e duhur, duke i paraprirë Simi pak metra para portës”, shkruhet për mbrojtësin për atë që shfaqi në fushë në ndeshjen që Roma fitoi 3-1 ndaj Krotones. Më pas vijnë kritikat për Strakoshën, i cili ka marrë notën 5,5 pasi gaboi në rastin e golit të shënuar nga Fiorentina në fitoren 2-1 të Lacios. “Me një gabim të tijin rihap ndeshjen. Jo optimal rikthimi i tij në fushë si titullar”, shkruhet për portierin. Në fund Ismajli, i cili për pak u bë protagonisti më negativ i një mesjave historike për Specian që mundi Napolin në fushën e këtij të fundit. Ai është vlerësuar me notën 5 për ndeshjen ku u ndëshkua me karton të kuq. “Krahu i tij i hapur është një pakujdesi që Specia këtë herë nuk e paguan, por që mund të kishte kushtuar shtrenjtë. Edhe një pikë në barazimin 1-1 do të kishte ndihmuar skuadrën”, është komenti i “Eurosport”.

Ismajli mori të kuq, gazetarët sportivë i dalin në mbrojtje pas moviolës

Ardian Ismajli dje ka regjistruar kartonin e tij të pare të kuq në futbollin italian, të cilit i është bashkuar për herë të pare në këtë sezon. Lojtari u ndëshkua brenda pak minutash dy herë me karton të verdhë në sfidën që Specia fitoi 2-1 ndaj Napolit, duke lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë. Por “Gazzetta dello Sport”, mendon se gjyqtari Mariani është gabuar kur i ka nxjerrë mbrojtësit shqiptar kartonin e kuq. Në moviolën e zakonshme që bëhet për ndeshjet e kampionatit, ajo i ka vënë notën 5,5 gjyqtarit duke u ndalur pikërisht të dënimi i futbollistit të përfaqësueses shqiptare. “Bind më pak i verdhi i dytë e si rrjedhojë i kuqi që iu dha Ismajlit për një goditje me krah ndaj Petanjas në një përplasje ajrore. Duket i tepruar kartoni i verdhë për mungesë kujdesi”, shkruhej në vlerësimin për gjykimin e ndeshjes. Një ngushëllim i vogël për Ismajlin i cili për shkak të këtij kartoni të kuq do të jetë i detyruar që të humbasë edhe një ndeshje shumë të rëndësishme në fundjavë, atë ndaj Sampdorias që është rivale në luftën për mbijetesë në Serinë A.