BREAKING NEWS

Gati 4 mijë testime! Ja sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri, zbulohen zonat më 'të nxehta'

Gati 4 mijë testime! Ja sa raste të reja me COVID u regjistruan
x

Sport

Vllaznia e pandalshme në rrugën drejt titullit, Kukësi del “offside”

Vllaznia e pandalshme në rrugën drejt titullit, Kukësi del

Java e 14-të e Kategorisë Superiore startoi dje, me dy ndeshjet e para, për të vijuar sot me tre takime të tjera. Kryendeshja e kësaj jave u luajt mbrëmë në “Elbasan Arena”, midis Kukësit dhe Vllaznisë, dy skuadra pretendente për titull, një ndeshje që mori vëmendje maksimale. Shkodranët vinin në këtë përballje me entuziazëm të lartë dhe me dëshirën e hakmarrjes, pasi Kukësi ishte skuadra që i kishte mundur në fazën e parë të kampionatit. Dhe situata foli në favor të tyre, pavarësisht se verilindorët bënë përpjekje maksimale për t’i ikur krizës ku janë zhytur. Tensioni në fund tek Kukësi ishte aq i madh sa e mbylli ndeshjen me 10 vetë, kurse shkodranët, e fituan takimin 1-0, duke marrë tri pikë në fushë të vështirë dhe me këtë sukses jo vetëm mbajnë kreun e renditjes, por ngjiten dhe më shumë, plot 9 pikë para vendit të dytë që mbahet nga Teuta, një avantazh që u mundëson kuqebluve të ecin në rrugën e duhur të titullit. Gjithçka mund të thuhet për këtë Vllazni, por pas 14 javësh garë ajo e ka në dorë vetë fatin e titullit të këtij sezoni. Ecuria e deritanishme ka qenë tej parashikimeve dhe e shkëlqyer, me një lojë brilante dhe me rezultate që u shkojnë për shtat lojtarëve të një grupi që punon fort në stërvitje dhe në lojërat zyrtare.

Ndeshja

Vllaznia shfaqet dominuese në lojë që në fillim të takimit, por rastin e parë të artë e pati Kukësi me Leiran, goditjen e të cilit më kokë e priti mbi vijën fatale Zogoviç. Në fundit e pjesës së parë për pak bën mrekullinë nga distanca Fjoart Jonuzi i Kukësit. Tentativa e tij shkoi ngjitur me shtyllën, aty ku kryqëzohet me traversën. Vllaznia, falë presionit të vazhdueshëm, e zhbllokoi takimin në minutën e 58-të me Arlind Kalajën, që shtyu nga një distancë e afërt topin që nuk mundi ta kontrollonte Tafa pas goditjes së Markut nga jashtë zonës. Festë e çmendur e kuqebluve, me të gjithë pjesëtarët e stolit që pushtojnë fushën prej entuziazmit. 10 minuta më vonë Vllaznia iu afrua golit të dytë me Demir Ymerin, goditja fluturimthi e të cilit përfundoi ngjitur me shtyllën. Me fat ekipin shkodran në të 70-tën, teksa në zhvillimet e një këndoreje Hetemaj goditi shtyllën. Asgjë nuk ndryshoi në minutat e mbetura, me Vllazninë që merr hak ndaj Kukësit për humbjen e fazës së parë, por ç’është më e rëndësishmja ruan distancën prej 9 pikësh me ndjekësen më të afërt, Teutën. Sa i takon Kukësit, ndodhet në krizë dhe me këtë humbje rrezikon të dalë jashtë objektivave.

Teuta merr tri pikë për të konsoliduar vendin e dytë

Trajneri Edi Martini kishte deklaruar dy ditë më parë se fitorja ndaj Bylisit ishte e domosdoshme dhe një detyrim për Teutën, e cila ka ambicie për titull këtë sezon. skuadra e ka humbur duelin direkt me Vllazninë, por në Durrës besojnë se në 22 javët e mbetura nga ky edicion e kanë shansin të përmbysin epërsinë e shkodranëve, pavarësisht se kjo do të jetë shumë e vështirë përballë një skuadre të motivuar dhe që po ecën me ritëm të çmendur. Ndërkohë, dje, në kuadër të xhiros së 14-të të Superiores, Teuta bëri detyrën ndaj Bylisit në “Niko Dovana”, ku fitoi me rezultatin 2-0. Skuadra e Martinit realizoi nga një gol në çdo pjesë, për të siguruar tri pikë të rëndësishme, që kthejnë qetësinë në kampin durrsak pas humbjes me Vllazninë. Golin e parë Teuta e shënoi në minutën e 28-të me Lorenzo Vilën, i cili përfitoi nga rreshtimi i gabuar i mbrojtjes, duke mposhtur portierin mik. “Djemtë e Detit” mbyllën llogaritë me ballshiotët në minutën e 66-të me golin fantastik të Idi Grudës, që shpërtheu në krahun e djathtë dhe përballë Pano Qirkos nuk gaboi, duke tundur rrjetën. Sot do të luhen tri takimet e tj4era të javës së 14-të, ku spikat Skënderbeu-Partizani, një duel që vitet e fundit ka ngjallur emocion dhe rivalitet shumë të fortë, kurse Tirana do të presë Kastriotin në duelin direkt për pozicione më të mira në renditje. Një tjetër ndeshje interesante është ajo mes Apolonisë dhe Laçit, ku kurbinasit synojnë vendet e para të kampionatit dhe shihen favoritë.