BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Sport

Vllaznia tërmet 6-ballë kundër Apolonisë, shkodranët pranë një suksesi historik

Vllaznia tërmet 6-ballë kundër Apolonisë, shkodranët

Kategoria Superiore mbylli dje ndeshjet e javës së 28-të të saj, ku nuk pati surpriza në aspektin e rezultateve, pasi fituan ekipet ë kanë shanse për titull, duke e bërë kampionatin mjaft interesant në këtë periudhë. Ngjeshja e ekipeve në krye të renditjes, ku spikat Teuta, Vllaznia, Partizani dhe Laçi, me diferenca 4 pikë nga vendi i parë në të 4-tin, tregon për rivalitetin dhe njëherësh enigmën që do ta shoqërojë këtë edicion rreth garës për titull.

Vllaznia tërmet 6 ballë ndaj Apolonisë.

Pas “shterpësisë” së javëve të fundit, sulmi i Vllaznisë shfryn në transfertën fierake ndaj Apolonisë dhe dërgon plot 6 herë topin në rrjetë, duke u dhënë fitoren e pastër tenistike 0-6 shkodranëve, që tani ngjiten në krye me 50 pikë, po aq sa ka edhe Partizani. Ndaj një Apolonie të dorëzuar në garën për mbijetesë, kuqeblutë nuk e patën aspak të vështirë dhe zhbllokuan sfidën që në minutën e 15’ me anën e brazilianit Da Silva, që u harrua në zonë nga mbrojtja vendase dhe mposhti portierin Harizaj. Vetëm 8 minuta më vonë ishte sërish braziliani Da Silva që kombinoi bukur me Haris Dilaver dhe sulmuesi boshnjak nuk e pati të vështirë të dërgojë topin në rrjetë për herë të dytë, duke u rikthyer pas shumë muajsh të shënojë gol me aksion. Pjesa e parë do të mbyllej me rezultatin 3-0, teksa pas një krosimi nga këndi, Ardit Hoxhaj u harrua në shtyllën e dytë dhe nga fare pranë, zgjati këmbën e devijoi topin në rrjetën e portës së Harizajt. Edhe 45-minutëshi i dytë nisi mjaft mirë për shkodranët, që në minutën e 53-të shënuan edhe golin e katërt me brazilianin Da Silva, i cili kompletoi edhe dopietën personale në këtë takim. Ky gol mbylli njëherë e mirë llogaritë dhe i dha mundësinë trajnerit gjerman Thomas Brdaric që të racionalizojë forcat dhe njëkohësisht t’i japë kënaqësinë e debutimit edhe djalit të tij 21-vjeçar, Tim Brdariç. Ky i fundit iu bashkua shkodranëve vetëm në muajin dhjetor dhe pas disa aktivizimeve me skuadrën B, debutoi edhe me ekipin e parë, duke mbajtur mbi shpinë numrin 5 dhe duke treguar autoritet e saktësi në vendosje e ndërhyrje. Përveç aftësive mjaft të mira në mbrojtje, Brdariç tregoi nuhatje edhe për sulmin, pasi shënoi fillimisht me kokë, por goli iu anulua nga arbitri për pozicion jashtë loje milimetrik, ndërsa në minutën e 81-të ndoqi mirë aksionin dhe dërgoi sërish topin në rrjetë, këtë herë në mënyrë të rregullt, teksa festës për golin nuk mund t’i mungonte edhe një përqafim me babanë e njëkohësisht trajnerin e tij. Shkodranët u treguan të pamëshirshëm ndaj vendasve dhe pas dy tentativave nga distanca të ndalura nga Harizaj, gjetën edhe golin e 6 në minutën e 90’, me anë të sulmuesit vlonjat Ardit Hoxhaj, që ekzekutoi në mënyrë mjeshtërore një goditje dënimi dhe kompletoi gjithashtu dopietën personale. Kjo ishte fitorja më e thellë e Vllaznisë në kampionat, me kuqeblutë që rigjejnë entuziazmin e duhur për t’u rikthyer në garë për titullin kampion, ndërsa Apolonia duket inekzistente në fushë dhe e dorëzuar totalisht sa i përket garës për titull.

Teuta hakmerret ndaj Skënderbeut, fiton dhe rimerr kreun e Superiores

Teuta ruajti kreun e Kategorisë Superiore edhe pas javës së 28-të. Durrsakët u “hakmorrën” ndaj Skënderbeut për eliminimin nga Kupa e Shqipërisë duke triumfuar minimalisht 0-1 në Korçë dhe duke ndalur ecurinë positive të korçarëve në kampionat. Mjaftoi një gol i Dejvi Bregut në fundin e pjesës së parë me penallti për t’i dhënë tre pikët e radhës skuadrës së Edi Martinit që regjistroi fitoren e 3-të rresht në kampionat dhe u ngjit në kuotën e 52 pikëve teksa kryeson Superioren me 2 pikë më shumë se Vllaznia dhe Partizani. Në pjesën e dytë skuadra e Memellit iu afrua shumë barazimit por fati nuk ishte me korçarët pasi një goditje standarte e Uerdi Marës u ndal nga shtylla. Ndërkohë, ruajti ritmin e kryesueseve edhe Laçi që u rikthye te fitorja pasi mposhti 2-1 Bylisin në Kurbin. Për skuadrën e Shpëtim Duros realizuan Deliu dhe Ndrecaj ndërkohë që në fund për ballshiotët ngushtoi shifrat Edison Ndreca me 11-metërsh.