BREAKING NEWS

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme të vendit/ Kallëzohen 7 funksionarë publikë në Prokurori. Kush janë zyrtarët e lartë dhe akuzat që rëndojnë mbi to

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme
x

Sport

Vrioni merr elozhe nga Juventusi, Abazaj bëhet protagonist në Turqi

Vrioni merr elozhe nga Juventusi, Abazaj bëhet protagonist në Turqi

Lojtarët e përfaqësueses kuqezi po nxitojnë të përmirësojnë treguesit e tyre sportivë në këtë fund sezoni, duke u përpjekur të lënë gjurmë me skuadrat ku aktivizohen. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për ata që janë bërthamë e skuadrës kuqezi apo pjesëtarë të formacionit titullar, por edhe për lojtarët e rinj dhe ata që kanë pretendime të marrin ftesë nga trajneri Edi Reja në ndeshjet e ardhshme, duke nisur nga miqësoret e qershorit. Për momentin, vëmendjen e ka marrë i riu i sulmit juventin, Xhakomo Vrioni, që aktivizohet me Juventusin U-23, sulmuesi Kristal Abazaj që aktivizohet me Istanbulsporin në Turqi si dhe ish-sulmuesi i Partizanit Fili që po shkëlqen me Botoshanin në Rumani.

Vrioni spektakël me Juven U-23, merr elozhe nga “Zonja e Vjetër”

Goli i Xhakomo Vrionit sot në ndeshjen e Juventusit U-23 ka gëzuar jo vetëm djaloshin shqiptar, por edhe klubin bardhezi që sheh t’i kthehet një lojtar i rëndësishëm në dispozicion në mbylljen e edicionit. Vrioni ishte projektuar në fillim si sulmuesi kryesor i skuadrës që gjendet në Serinë C, por një dëmtim i rëndë e la për 5 muaj jashtë fushave. Këtë e pranoi edhe trajneri i U-23, Lamberto Zauli, i cili tregoi vlerësimin që kishte për futbollistin shqiptar që tashmë do të ketë mundësinë të ndihmojë ekipin në rrugëtimin drejt “play-off” e një ngjitje të mundshme në Serinë B. “Ai ka qenë një mungesë shumë e rëndësishme. Djaloshi ka personalitet, eksperiencë, cilësi. Për ne është themelor. Pastaj mendoj se ky gol është shumë i rëndësishëm për të. Edhe unë si lojtar kam përjetuar një dëmtim shumë të keq. Të kthehesh në fushë dhe të jesh menjëherë protagonist nuk fshehin 5 muajt e sakrificave, por i shlyen ato”, tha trajneri i Juventusit U23 që iu gëzua kthimit të sulmuesit shqiptar në momentin më të rëndësishëm të sezonit.

Abazaj bën protagonistin me Istanbulsporin

Kristal Abazaj rikthehet të jetë protagonist me Istanbulspor në ligën e parë turke. Sulmuesi shqiptar shkëlqeu në sfidën e javës së 32-të ndaj një ekipi me emër të madh si Bursaspor duke udhëhequr verdhezinjtë nga Stambolli drejt fitores së 4-t radhazi në kampionat. Me një gol dhe një asist Abazaj ishte më i miri në fushë për Istanbulspor që falë këtij suksesi u ngjit në vendin e 4-t dhe përveç se ka siguruar zonën “play-off” ka ende shanse në 2 javët e mbetura për të tentuar dy vendet e para që do ta ngjisnin direkt në Superligën turke. Pa Rrocën të dëmtuar, e nisën si titullarë sfidën ndaj Bursaspor dy shqiptarët e tjerë Valon E’themi dhe Kristal Abazaj. Pas vetëm 15 minutash ish-sulmuesi i Luftëtarit dhe Kukësit mori krahun nga e djathta duke i servirur Aydin një pasim të përsosur për golin e 0-1. Ky ishte asisti i 5-të i Abazajt në këtë sezon. Bursaspor megjithatë barazoi ndeshjen me Guler në minutën e 33-të duke i futur të dridhurat Istanbulsporit por jo Abazajt që 5 minuta më vonë bëri njeriun gol duke kaluar sërish në epërsi skuadrën nga Stambolli, finalizim ky që vendosi fatet e ndeshjes. Për Abazajn ky ishte goli i 3-të sezonal. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund pasi rrjetës së realizuar nga sulmuesi shqiptar me Istanbulsporin që me këtë fitore u ngjit në kuotën e 60 pikëve.

Fili, dygolësh për Botoshanin në Rumani

Një tjetër futbollist shqiptar që po spikat në Europë është Realdo Fili. Sulmuesi shqiptar ishte deçiziv për të dytën ndeshje radhazi pasi arriti të shënonte dy gola në sfidën mes Botoshanit dhe Academica Clinceni duke i dhënë fitoren skuadrës së tij. Pasi realizoi ndaj Universitateas së Kraiovës duke ndihmuar Botoshanin të merrte një pikë, Fili ishte protagonist në fitoren e parë të skuadrës së tij në fazën “play-off” të kampionatit duke realizuar nga një gol për çdo pjesë për të udhëhequr Botoshanin drejt suksesit 2-1 ndaj Academicas në një ndeshje ku titullar ishte edhe Enriko Papa. Me këto dy finalizime, Fili arriti kuotën e 6 golave sezonalë.