Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Xhaka ka refuzuar Kombëtaren, Reja: Kush mendon se është Mesi gabohet rëndë

Postuar: 14/11/2019 - 07:23

Taulant Xhaka ka refuzuar të grumbullohet me Kombëtaren kuqezi. nuk është zyrtarisht kështu, pasi justifikimi është për një dëmtim muskulor, pra me formën e dobët, por në të vërtetë futbollisti është i pakënaqur me sjelljen e trajnerit Edi Reja, i cili ka zgjedhur për mesfushën futbollistë të tjerë në formacionin titullar dhe Xhaka po e sheh veten gjithnjë e më shumë zëvendësues, diçka e papranueshme për temperamentin e kosovarit që ka një histori pozitive me ngjyrat kuqezi, ku kulmin e formës e arriti në kualifikueset e Euro-2016. Por këtë situatë e ka trajtuar dje në formë më të plotë trajneri Edi Reja, i cili, duke përmendur emrin e Eros Grezdës që ka refuzuar të grumbullohet, indirekt i çoi shigjeta Xhakës, duke thënë se “kushdo që mendon se është Mesi gabohet rëndë”. “Me Xhakën kanë folur bashkëpunëtorët e mi në telefon. Ai na ka shpjeguar se në ndeshjen ne Zvicër kishte një dëmtim muskulor. Ai ka dashur që të qëndrojë në shtëpi. Nëse ai nuk është gati 100%, duhet të mos aktivizohet. Kemi krijuar një ekuilibër në këtë skuadër, që na lejon të kemi shumë opsione. Unë dua që lojtarët që vijnë këtu të jenë të qetë pavarësisht luajnë apo nuk luajnë. Kjo është një detyrë e trajnerit, për të vendosur se kush do luajë apo jo. Kemi një grup solid. Nëse përmendim Eros Grezdës, më vjen keq, pasi mori ftesën dhe nuk pranoj të vijë. Mbi të gjitha është Shqipëria, rëndësi ka grupi. Nëse dikush mendon se është Mesi, nuk është kështu”, theksoi trajneri Edi Reja, i cili në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Andorrën tha se kjo ndeshje duhet të marrë fokusin e të gjithëve dhe lojtarët të japin 110%. “Unë kam një skuadër me djem inteligjentë, që e dinë me siguri vështirësinë që mund të sjellë një ndeshje e caktuar, si kjo ndaj Andorrës. Që ditën e parë ua kam thënë disa herë që pika e referimit është ndeshja me Andorrën, pasi nëse nuk fitojmë aty, nuk ka vlerë më ndeshja tjetër më pas. Duhet të tregojmë se jemi rritur nga ana mentale dhe duhet ta trajtojmë Andorrën me përqendrimin dhe respektin maksimal. Në futbollin e sotëm nuk ka skuadra të lehtë dhe kjo është një ndeshje që duhet përballuar me maksimumin tonë”, nënvizoi më tej Reja, dukshëm entuziast për grupin që ka krijuar dhe i ndërgjegjshëm që ata i duhen Kombëtaren në kualifikueset e ardhshme. Në këtë ndeshje mungon Sokol Cikalleshi, që është i dëmtuar. “Cikalleshi ka luajtur gjithmonë me rendiment të lartë, por unë kam një grup lojtarësh, që pak a shumë janë të barabartë në atë që japin. Kemi 5 futbollistë, kemi përfshirë Manajn, kemi Uzunin, risinë Kamberi dhe zgjedhje të ndryshme. Duhet të shoh fillimisht gjendjen fizike të të gjithëve dhe më pas do të bëj zgjedhjet e mia. Nuk dua që të varemi nga prania apo mungesa e një individi, por të luajmë si grup dhe të bëjmë mirë detyrën në fushë. Kemi edhe Seferin e Balajn, pra na bëhen 5 sulmues përpara dhe kemi opsione të ndryshme e të rëndësishme”, shtoi trajneri italian i Kombëtares. Më pas vjen radha për të diskutuar për skemën taktike, ku ai bën një “driblim”, duke thënë se 4-3-3 është skema e preferuar, por në përfaqësuesen kuqezi preferon të luajë me 3-5-2. “4-3-3 është moduli im i preferuar, e kam thënë më para, por me 3-5-2 ne kemi dy sulmues qendrorë, dy anësorë që sulmojmë dhe dy mesfushorë qendre. Kështu që kemi më shumë mundësi të sulmojmë. Nëse nuk ke dy sulmues krahu të shpejtë dhe dy mbrojtës krahu është e vështirë. Është e vështirë, pasi nuk kemi shumë kohë për të provuar modul të ri. Ndihemi mirë me këtë modul dhe djemtë mund të arrijnë rezultate më të mira. Shpesh mendohem se kur luan me 5 mbrojtës, je difensiv. Por varet nga filozofia. Lojtarët tanë të krahëve kanë shumë detyra sulmuese. Ky lloj moduli, nuk duhet konsideruar shumë difensiv. Mënyra se si sillemi ne në fushë, tentojmë të sulmojmë më shumë”, nënvizoi Reja. Në fund ai ka një koment për afrimet e reja, Seferin e Kamberin dhe shanset e aktivizimit të tyre. “Që të dy këta lojtarët mund të aktivizohen. Kamberi ka ardhur nga një dëmtim dhe ka bërë një punë të diferencuar. Nëse ai është mirë, do të luajë pasi dua t’i njoh pak më shumë”, përfundoi trajneri Reja.

Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 11/12/2019 - 08:50

Bota e futbollit ka marrë një lajm të hidhur mëngjesin e sotëm.

Postuar: 11/12/2019 - 07:12

Liga e Kampioneve dhuroi mbrëmë emocione të mëdha në xhiron e fundit në grupe, teksa u eliminuan

Postuar: 11/12/2019 - 07:11

Tirana nuk e gjeti trajnerin as dje, madje dhe kur pritej një emër në orët e fundit të ditës.

Postuar: 11/12/2019 - 07:11

Ekipet kombëtare të moshave kanë dështuar në objektivat e tyre dhe është fakt se shumë pak ndeshj

Postuar: 10/12/2019 - 23:53

Napoli triumfoi 4-0 përballë Genk dhe u kualifikua për në fazën me eliminim direkt të UEFA Champi

Postuar: 10/12/2019 - 23:08

Barcelona ka mposhtur 2 me 1 Interin në Itali për t’ia shuar ëndrrën për kalim të fazës së