BREAKING NEWS

Shëndetësia shqiptare promotore mediatike e koronavirusit që po ushtron terror mbi psiqikën e shqiptarëve nën regjinë e supernovës të Surrelit

Shëndetësia shqiptare promotore mediatike e koronavirusit që po
x

Sport

Ylli Tomori: E ndershme do të ishte që Erzeni të shpallej kampion,volejbolli ka nevojë për vëmendjen e shtetit

Ylli Tomori: E ndershme do të ishte që Erzeni të shpallej

Volejbolli shqiptar i mbylli aktivitetet e sezonit në tavolinë. Nuk pati kohë të kthehej në parket, ndërsa klubet po nxitojnë të bëjnë llogaritë me sezonin që lamë pas e të përgatiten për sezonin e ri. Erzeni u shpall fitues i kampionatit, por për të, çuditërisht, nuk u dha titull. Kjo shkaktoi jo pak debate, dhe në këtë debat nuk kishte si të mungonte zëri i një prej personaliteteve të volejbollit tonë, ish-kampionit të Partizanit, e njëherësh trajnerit historik të Studentit e tani të Partizanit, Ylli Tomorrit, i radhitur në rangun e teknikëve “gjeneralë”, krahas të mëdhenjve të volejbollit tonë, siç janë Vangjel Koja e Kreshnik Tartari. Tomorri jep mendimin e tij për këtë çështje (titullit të munguar), duke mos kursyer kritikën ndaj federatës së volejbollit. Në këtë intervistë të tij për gazetën “SOT”, ka vend edhe për një analizë të shkurtër të sezonit që u mbyll, problemeve që shqetësojnë këtë sport në vijimësi, puna me elementët e rinj e padyshim dhe prania e lojtarëve të huaj në kampionatin shqiptar të volejbollit. Dhe përgjigjet e profesor Tomorrit kanë vlerë, pasi eksperienca, sukseset e mëdha dhe autoriteti i tij në këtë sport janë bindës e të padiskutueshëm.

-Nisur nga debati i krijuar së fundmi për njohjen (çuditërisht pa titull) të Erzenit si fitues të kampionatit, dhe qëndrimin tuaj në media, pse mendoni se ka shkelje? Fundja, në situata të pazakonta, a nuk ka edhe vendime të pazakonta?

Po e nis nga fundi i kësaj pyetjeje. Po, në fakt në situata të pazakonta ka dhe vendime të pazakonta, siç thoni ju. Por këto duhet të argumentohen më qartë. Nuk ka vend në botë që të shpallë fitues sezoni dhe mos të shpallet kampion. Për mendimin tim fjala “fitues sezoni” nuk ka vlerë (është një lugë bosh). Do të kishte qenë më e ndershme të shpallej kampion. Pra formulimi i deklaratës së FSHV-së nuk përkon me vendimin e Asamblesë që u mblodh më përpara ku u shprehën se nuk do të ketë fitues dhe aq më tepër as kampion. Ndërsa, përsa i përket pjesës për ekipet që do të marrin pjesë në Kupat e Europës, FSHV për herë të parë e ka liberalizuar pjesëmarrjen, ku cilido ekip që renditet i pari, fituesi i kupës, si dhe ekipe të tjera, që dëshirojnë dhe i kanë mundësitë financiare, mund të jetë pjesëmarrës. Pikërisht për këtë unë u shpreha që të mos kishte fitues sezoni. Nuk jam shprehur që ka shkelje, por paqartësi vendimi, e thënë shkurt, për të gjitha skuadrat është e paqartë.

-Duke qenë trajner me përvojë të gjatë, çfarë note do t’i vinit kampionatit shqiptar të volejbollit të meshkujve për aq kohë sa u luajt në fushë? Po Partizanit tuaj?

Kampionati Shqiptar i Volejbollit po pasqyronte një rritje cilësore tek meshkujt, falë rivalitetit dhe cilësisë që po paraqitnin skuadrat e Erzenit, Skënderbeut, Tiranës, Vllaznisë dhe Partizanit. Këto skuadra do të rivalizonin deri në fund të “Play-Off”-it. Erzeni, Tirana, Skënderbeu ishin skuadra më të kompletuara në fillim të kampionatit, kurse Partizani e Vllaznia u përpoqën të kompletoheshin (pas largimit të disa lojtarëve kryesore) në fazën e dytë të kampionatit. Për aq kohë sa u luajt në parket, në fazën e parë dominoi Erzeni, duke mos pësuar asnjë humbje, ku kryesoi me meritë. Kurse në fazën e dytë deri në javën e gjashtë që u ndërpre kampionati, ishte Partizani që kryesonte pa asnjë humbje, duke fituar edhe ndaj Erzenit. Pra rivaliteti drejt titullit kampion u pa dukshëm në këtë kampionat, gjë që do të zgjidhej në fund të “play-off”-it për të shpallur ekipin kampion. Mos të harrojmë që Partizani vitin që kaloi renditej në vend të pestë, dhe me meritë në fund u shpall kampion duke kaluar dhe Erzenin që ishte që në fillim të kampionatit në vend të parë. Pra formula e kampionatit e lejon një kthesë të tillë. Po ashtu, këtë vit në Kupën e Shqipërisë ne si Partizan ishim në vend të katërt dhe triumfuam duke ngritur Kupën, përballë Erzenit që kishte qenë në vend të parë.

-Si mund të spjegohet paqëndrueshmëria (në tërësi) e shumë klubeve të volejbollit (veçanërisht jashtë kryeqytetit) gjatë viteve të fundit në Shqipëri?

Paqëndrueshmëria e shumë klubeve spjegohet me faktin se nuk ka baza të shëndosha të ekipeve të moshave, sepse puna me fëmijët mungon, duket sikur ka humbur interesi. Por edhe nëqoftëse bëjnë ndonjë ekip cilësor, lojtarët drejtohen drejt ekipeve të kryeqytetit, për studime jashtë shtetit, e kështu gjithnjë e më shumë varfërohen klubet respektive. Për këtë problem që është shumë shqetësues duhet ndërhyrja e FSHV-së që me politika ambicioze afatgjata të bëjë që nesër t'u thuhet që vunë një gur themeli në këtë ndërtesë që quhet "volejboll".

-Sa kohë Ligji për Sportin ka shumë paqartësi, sidomos sa i takon moskalimit ende të çështjes së tij kryesore që ka të bëjë me sponsorizimet, çfarë propozoni si zgjidhje?

Përsa i takon Ligjit për Sportin, kam shumë për të shprehur, por do ta përmbledh vetëm me një fjali. Për sa kohë që sporti nuk ka qenë dhe vazhdon të mos të jetë ndër prioritetet e qeverive ndër vite, nuk mund të mendosh e të diskutosh për Ligj Sponsorizimi.

-Flitet shumë për numrin e lojtarëve të huaj në volejbollin shqiptar, sipas jush, sa duhet të jetë shifra e pranueshme? Ndërkohë, më të mirët ikin jashtë, shenjë e mirë apo e keqe?

Lojtarët e huaj, në fakt, i kanë dhënë një shtysë rivalitetit në kampionatin tonë. Natyrisht, ata ndikojnë tek ato skuadra të cilat kanë një mundësi financiare për të afruar këta lojtarë. Në Shqipëri ka shumë pak lojtarë të rinj cilësorë. Edhe ata që spikasin menjëherë largohen, për t'u bërë pjesë e ekipeve jashtë Shqipërisë, për një pagesë më të mirë. Natyrisht ata vetë rriten e bëhen një kontigjent i mirë për ekipin tonë kombëtar. Për mendimin tim, FSHV veproi drejt, duke lejuar që pranë ekipeve tona mund të luajnë 3 lojtarë të huaj, sepse kjo ndikon direkt në cilësinë e lojës dhe në rivalitet.

- Kuadri teknik është pjesë e rëndësishme në çdo sport. Volejbolli ka pasur “gjeneralët” e tij, si tek meshkujt dhe tek femrat. A ka qenë korrekte në këtë drejtim politika e federatës, për t’i dhënë të ardhme edhe këtij elementi?

Kjo pyetje është me vend, por të të them të drejtën kam pesë vjet që jam në pension dhe nuk di për ndonjë politikë të mirëfilltë të FSHV-së. Kam dëgjuar që organizohen kurse kualifikimi për trajnerët me organizma europiane për marrjen e licencave ndërkombëtare, gjë shumë e mirë kjo, por jo e mjaftueshme. Federata ka mundësi të aktivizojë trajnerë të shquar shqiptarë si Vangjel Koja, Kreshnik Tartari, Todi Driza etj, për të mbajtur seminare teorike dhe praktike me trajnerët e rinj, për punën me fëmijë e të rinj. Ky është mendimi im, se ka dhe pensionistë që janë progresistë.

-Pse volejbollin, si tek meshkujt dhe tek femrat, e krahasojmë me nivelin e para vitit 1990? A tregon kjo që volejbolli i atyre viteve ishte maksimumi ynë, apo është ekzagjerim?

Mendoj që çdo epokë ka pasur sukseset e veta. Për sportin para viteve '90 ka pasur më shumë interesim nga shteti, çdo rezultat i mirë bënte bujë, sepse dhe rezultatet kanë qenë të mira dhe njerëzit jetonin me sportin. Unë mendoj që, pa krahasuar epokat si: para '90, para '80, para '70, niveli është i mirë por duhet dhe më shumë aktivizim ndërkombëtar, pasi lojtarë cilësore ka, si tek meshkujt, ashtu dhe tek femrat. Po të mendojmë se sot në Europë luajnë 6 lojtarë shqiptarë, në kampionate të ndryshme, të cilët janë pjesëtarë të ekipit kombëtar për meshkuj, kjo tregon anën e mirë dhe ballafaqim në një nivel më cilësor. Padyshim që ky është një "luks" i madh për ekipin tonë kombëtar.

-Cilat janë objektivat tuaja në këtë periudhë dhe në sezonin në vijim në krye të Partizanit?

Ne, sigurisht, objektiv kryesor kemi fitimin e Kupës së Shqipërisë dhe atë të Kampionatit Kombëtar. Jemi në riorganizim të skuadrës me lojtarë të rinj, natyrisht duke ruajtur grupin. Mendoj se me një punë serioze do t’ia dalim.

-Meqë basketbolli në Shqipëri dhe në Kosove po tenton një Ligë Mbarëkombëtare, me idenë e një bashkimi ligash, sipas jush a mund të ndodhë kjo në volejboll dhe a do të ishte kjo në interes të cilësisë së volejbollit në të dy shtetet shqiptare (kujtojmë që Kosova, ndryshe nga basketbolli, nuk ka nivelin tonë në volejboll, por mund të ketë elementë me pritshmëri të mëdha)?

Për ta thënë shkurt, unë personalisht kam qenë gjithnjë i mendimit që të krijohej një Ligë Mbarëkombëtare që do të shërbente për rritje cilësore dhe rivalitet në volejboll. Por, natyrisht, këtë gjë e kanë në dorë federatat përkatëse.

-Si e shihni të ardhmen e volejbollit shqiptar në tërësi, bazuar në 4 elementë kryesorë: talenti, kuadri teknik, infrastruktura dhe suporti financiar?

Kjo është një tematikë e gjerë, por po e mbyll me një fjali kritike të shkurtër. Për sa kohë nuk funksionon Ligji i Sponsorizimit dhe qeveria nuk do ta ketë sportin ndër prioritetet e saj, do të shterojnë talentet, kuadrot teknike, infrastruktura dhe suporti financiar. Të gjithë këta elementë marrin vlerë kur sporti merr vëmendjen e duhur të shtetit dhe me këtë kuptohen politikat efikase sportive nga institucionet.

Intervistoi: Adriatik BALLA