Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha për mediat në Bruksel se gjatë raundit të dialogut të nivelit të lartë, ai nuk është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht se një takim i tillë ishte paralajmëruar nga Bashkimi Evropian.
“Nuk ka pasur takim me Kurtin sepse Kurti nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë. Besoj se do të mësoni më shumë për këtë nga evropianët”, tha Vuçiç gjatë një deklarate për mediat.
Vuçiç tha se është kthyer tri herë në takimin me Borrellin dhe Lajçakun, të cilët ia kanë përcjellë mesazhet e Kurtit, të cilave ai i është përgjigjur.
“Ai nuk ka dashur të më takoj”, tha Vuçiç kur u pyet nga gazetaret se pse nuk pati një takim të përbashkët, duke shtuar se Kurti ka thënë se “nuk është gati për një takim me Vuçiçin”.
“Jam i sigurt se BE-ja në njoftimin e saj do të thotë se kush nuk donte bisedime sot”.
Më tej, Vuçiç tha se gjatë takimeve dypalëshe është folur për gjithçka që ka të bëjë me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve, teksa i ka konsideruar “të suksesshme” takimet në Bruksel.