Në mbështetje të fituesve të konkursit të krijimtarisë muzikore me rastin e 100-vjetorit, është dhe kompozitori Nestor Kraja. Sipas tij, organizimi i konkursit të krijimtarisë shqiptare me rastin e 100-vjetorit nga Ministria e Kulturës ka kaluar tashmë një odise të turpshme për ministrinë dhe në tërësi për trajtimin që kjo ministri i ka rezervuar gjithë muzikës shqiptare bashkëkohore. Prof. As. Nestor Kraja, Pedagog i Kompozicionit dhe Historisë së Muzikës në UA, pohon se e bën këtë pohim bazuar në punën dhe njohjen e tij si kompozitor, si studiues i artit shqiptar (pedagog i Historisë së Muzikës në Universitetin e Arteve) dhe si organizator që prej 22 vitesh i aktiviteteve muzikore në vend. Gjithashtu ai shprehet se këtë mendim për këtë konkurs ai ka dhe mbi pohimin e ministrit të Kulturës (mars 2012 në prezencë edhe të Kryetarit të Shoqatës Muzika e Re Shqiptare) se prej katër vitesh nuk është akorduar asnjë fond për krijimtarinë muzikore në vend. Sipas kompozitor Nestor Krajës, konkurset e këtij lloji zhvillohen duke garantuar edhe ekzekutimin e veprave fituese dhe se, as sot nuk janë bërë të ditur emrat e jurisë së konkursit të 100 vjetorit, sipas normave elementare të konkurseve në të gjithë botën. “Pra transparenca e konkursit dhe cilësia e organizimit janë jashtë standardit. Bazuar në këto të dhëna mund të komentoj se pohimi i autorëve fitues se: “Pas një pritje prej gjysmë viti, ne laureantët kërkojmë urgjentisht që ju të jepni urdhrin për shpalljen e çmimeve në web të MTKRS dhe të na paguani lekët”, është jo vetëm i ligjshëm por edhe i domosdoshëm për punën normale të një dikasteri shtetëror. Mos harroni zotërinj se, paratë që duhet të paguani, janë të taksapaguesve shqiptarë të cilët kanë paguar edhe për zhvillimin e artit dhe krijimtarisë muzikore në Shqipëri”, pohon në kompozitori Nestor Kraja. Më tej, në reagimin e tij në mbështetje të kompozitorëve shqiptarë që kanë qenë pjesëmarrës në këtë konkurs, pedagogu i UA, shprehet se tashmë MTKRS ka vetëm përgjigje të stilit të zyrtarëve të papërgjegjshëm. “Përgjigja e MTRKS se: “akuzat e ngritura përmes letrës së artistëve apo në deklaratat personale të kompozitorit Aleksandër Peçi, nuk qëndrojnë” është vetëm një përgjigje dredharake sipas stilit të zyrtarëve të papërgjegjshëm në këtë dikaster. Mendoj se Konkursi i Muzikës shqiptare me rastin e 100-vjetorit nuk u zhvillua me transparencë dhe ishte jashtë kritereve të konkurseve analoge, dhe se pjesa e përgjigjes së ministrisë se: “ky konkurs u realizua në përputhje me të gjitha kriteret dhe rregullat e një konkurrimi të hapur”, kjo tingëllon si kënga e sirenave, është vetëm një justifikim, për të mos thënë jashtë realitetit”, shprehet kompozitori Kraja, pedagog në UA.
Konkurse pa standard, demotivim për krijuesit
Duke folur për konkursin e 100-vjetorit për veprat muzikore, kompozitori Nestor Kraja, i cili herë pas here ka bërë publike parregullsitë që ka ky konkurs tregon se kjo gjë nuk është aspak inkurajuese për kompozitorët shqiptarë, të cilët së bashku dhe me të rinjtë do të përballen me shumë vështirësi. “Më e rëndësishmja qëndron në faktin se kjo praktikë demotivon të gjithë krijuesit në vend dhe kryesisht krijuesit e rinj, të cilët duke përballuar dhe vështirësitë sfidat e profesionit të tyre me durim dhe pasion përballen që në hapat e para të tyre me praktika të tilla që shprehin jo vetëm shpërfilljen, por edhe ofendimin nga institucionet kryesore të artit muzikor në vend. A mundet që MTKRS të organizojë përsëri këtë vit ndonjë konkurs kombëtar sipas idesë së (ish) Ministrit Bumçi? Realiteti që po kalojmë i ka kaluar të gjitha caqet e durimit dhe shprehja e përgjigjes së MTRKS se: “Z. Peçi nuk ka pasur durimin të presë përfundimin e trajtimit të kësaj çështje”, tingëllon se banale aq dhe e pavërtetë”, pohon prof. as. Nestor Kraja, kompozitor. Prej vitesh kompozitorët shqiptarë kërkojnë më shumë vëmendje nga MTKRS, sepse sipas tyre ata janë të braktisur nga çdo lloj stimuli financiar. Në një kohë kur situata nuk kishte ndryshuar, MTKRS një vit më parë shpalli një konkurs për veprat muzikore të 100-vjetorit. Por që nga ajo kohë dhe deri më sot veprat nuk janë vënë në skenë. Ka qenë vetë MTKRS që ngritit jurinë, dhe tashmë në reagimin e saj zyrtar duket se fajin ia ka lënë asaj, por ndërsa MTKRS mbetet me reagime, kompozitorët shqiptarë me të drejtë pyesin se kur do të marrin shpërblimin financiar që ju takon. Nga Julia Vrapi