Me dhjetëra koncerte dhe festivale muzikore kanë qenë nën drejtimin e dirigjentit Oleg Arapi, i cili prej dekadash zhvillon një aktivitet të pasur artistik. Pas vlerësimit në skenat shqiptare ai është nderuar në shtetin fqinj, Itali, për kontributin e tij në krijimtarinë muzikore. Mes një ceremonie ku ishin mbledhur emra të njohur të muzikës shqiptare dhe italiane, Akademia Imperiale në Itali i jep “Yllin e Artë” (Çmim Ndërkombëtar) maestros, profesor Oleg Arapi, dirigjent i Orkestrës Simfonike të RTSH dhe Orkestrës Simfonike “Çajkovski” të Moskës. I ftuar në shumë koncerte duke drejtuar orkestra të ndryshme në botë, edhe ky çmim për mjeshtrin Oleg Arapi është një vlerësim që nderon të gjithë artistët shqiptarë. “Ylli i Artë” për dirigjentin Oleg Arapi u dha me motivacionin: “Për një profesionalizëm të lartë dhe dedikim në transmetimin e potencialeve të mëdha të muzikës, si vlera universale për paqe në botë dhe në veçanti midis Rusisë-Shqipërisë-Italisë”. Franco Bruno, përfaqësues i CICAL (Qendra Ndërkombëtare e Kulturës) në Brindisi dhe i Akademisë Ndërkombëtare të Kështjellës Imperiale të krijuar në vitin 1705, në fjalën e tij e cilëson dirigjentin shqiptar si një personalitet të artit, dhe sipas tij ky çmim është një mirënjohje ndërkombëtare. “Pa dyshim është një personalitet, si dirigjent dhe si personazh. Ka demonstruar një profesionalizëm të madh artistik, dhe në mënyrë të veçantë në përcjelljen e ndjenjave njerëzore në shoqëri. Ky çmim është një Mirënjohje Ndërkombëtare. Me këtë ne duam të evidentojmë talentet shqiptare, sepse në këto 22 vjet që unë kam frekuentuar në mënyrë konstante Shqipërinë, ka rezultuar njëri prej dirigjentëve më të mëdhenj”, pohon mjeshtri italian Franco Bruno. Më tej përfaqësuesi i CICAL, vlerëson jo pak dhe turnet muzikorë që kanë zhvilluar me dirigjentin shqiptar dhe orkestrat në vendin tonë, sipas tij janë aq shumë sa është e pamundur të përmend të gjitha. “Kemi bërë shumë turne me dirigjentin Oleg Arapi dhe instrumentistë të RTSH, Akademisë së Arteve etj, por është e pamundur t’i përmendim të gjithë në aktivitetin tonë në 22 vite”, përfundon në mesazhin e tij Franco Bruno. Në vijim të aktivitetit të tij, dirigjenti Oleg Arapi në muajin korrik do të dirigjojë koncert me fituesit e festivalit “Epta”. Në këtë koncert do të luaje edhe “Premierën Absolute ” të Symphonyse të kompozitores Diana Ziu, për të vijuar dhe me orkestra jashtë vendit.
Të gjithë prisnin këngën, Ylli dhe Dhurata surprizojnë kështu fansat
“A ki sy me pa që zemra do me m’plas”- është kjo fjalia që çdo kush e këndon në çdo...
Lexo më shumë