Nga Besi BEKTESHI Në fakt, ishte një rast për të treguar se mund të bëjnë së paku një fushatë ndryshe deri në ditën e votimit. Jam i bindur se mbas ditës së votimit, do të jetë modeli i dytë i maskaradës së zgjedhjeve, por akoma vazhdoj të besoj se në këtë vend ka njerëz, dhe jo modele ekstremiste të fuqisë elektorale që bazohet te forca, leku, dhe në fund dhuna. Leku pastaj, është diçka jashtë konceptit qytetar, por do të merrem një ditë tjetër me këtë temë. Nuk kam të drejtë që besoj, por jam i detyruar të besoj, sepse kam vendosur në të mirë apo gabim, të jetoj në këtë vend të bukur që e shëmtojnë përditë njerëzit e tij. Deri tani, fushata ka qenë jo e keqe, sepse nga derivatet e moralit të prishur politik në fund të fundit u bënë të gjithë njësoj “moralprishur”, dhe nuk ka nevojë për ngritje tonesh dhe trumbetash. Por jo, nuk është e thënë të kalojë kështu, sepse lart në të gjitha drejtimet politike lart, nuk duan të dalë paq kjo fushatë. Ju prishen planet ekonomiko-financiare dhe pushtetërore si atyre që janë dhe mund të humbin, dhe atyre që nuk janë, dhe nuk mund të vijnë dot se mund mos fitojnë. Në këtë rast, fillon retorika e fortë, duke futur familjet, gratë, fëmijët, fisin dhe partinë në retorikë dhe lojë, dhe kjo nuk ka rëndësi se kush është i parë, por vazhdon nga të gjithë.
Por në fakt, arsyeja janë aferat e mëdha që luhen në këtë vend dhe që dihen, nuk është e vështirë të kuptohen, dhe shqiptarët as që bëhet fjalë e dinë se aty është fjala dhe jo te parimet e partitë, që medemek moralizojnë popullin. Imagjinoni një farsë e tillë që krye të pamoralshmit, të moralizojnë popullin e tyre!! Kanë ngritur tonet dhe fort, aq sa po vazhduan kështu, do të futen në spiralen e dhunës pjesën poshtë në fillim, deri sa të ngjiten lart. Por ndërkohë dikush, dhe në të gjithë drejtimet, po përpiqet që të shkojmë në 23 qershor me spirale dhune, me dinamite dhe plumba në mure, të cilat paralajmërojnë pastaj edhe të tjera gjëra më direkte. Nga akuzat parimore, tani kanë filluar personalizimet dhe akuzat morale dhe vetjake, të cilat te shqiptarët përfundojnë me dhunë të pastër. Nga kjo kuptohet se dikush, dhe ndoshta është jo vetëm dikush, do një degradim të tillë në fushatë, në mënyrë precize.
Pse nuk duhet ta bëjnë këtë gjë?
Vetëm pse nuk duhet, pse nuk është qytetare, pse nuk është morale? As që bëhet fjalë se edhe për këto, por kryesorja është se ne futemi dhe nuk dalim vetë nga spiralja e dhunës. Nuk jemi të zot të dalim vetë, duhet të na nxjerrin me forcë të huajt. Mirë se nuk kanë besim, mirë se edhe amerikanët kanë filluar të mos jenë më “të zot” në Shqipëri (dhe kjo jo për njërën palë vetëm) mirë se po dështojnë me trysninë e tyre, por po degradojnë të bëhen qesharakë me ne. Nëqoftëse dështojnë edhe me qetësinë e fushatës, e cila është e vetmja e mirë që kemi në një fushatë elektorale, atëhere ne nuk bëjnë asgjë mirë në demokraci, dhe letrat do të jenë shumë të këqija. Kjo gjë, kjo spirale e dhunës, dhe mos të arriturit të fillimit të demokracisë që është liria në zgjedhje dhe arritja e standartit të besueshmërisë së tyre, ateherë vërtetojmë dashje pa dashje, tezat e filozofisë antishqiptare serbe se “shqiptarët nuk janë të zot të vetëqeverisen”!! Por nuk është vetëm kjo, por aty poshtë në popullin e shtresës së vogël me minimum jetik jo të sigurtë dhe që ka jetuar si moshë edhe kohën e Enverit, arrihet të krijohet bindja se pikërisht “Shoku Enver” na paska pasur të drejtë me ne. Po, paska pasur të drejtë që na ka vrarë, na ka detyruar me dhunë të punojmë vullnetarisht, na ka bërë mirë që na ka larguar të drejtën e fjalës dhe të votës! Zoti na ruajt të justifikohet Enveri, pse në të ashtuquajturën demokraci tonën, nuk bëhen zgjedhje normale, nuk ndërrohet pushteti normalisht, kur është vendim nga vota, dhe nuk vendoset respekti për shtetin e kontrollohet plotësisht territori. Kjo është një turp e faqe e zezë. Disa bomba aty dhe disa tritole atje, disa kërcënime aty dhe atje, disa ngritje tone fjalësh dhe batuash aty këtu, janë shenjat e para të spirales së dhunës në fushatë, dhe kjo është turpi më i madh mbas të gjithë marrëzive me shumë e shumë të thëna deri tani.
Në vitin 2013-të, akoma shqiptarët e 28 mijë km katror, nuk janë të zot të kryejnë funksionin e parë të demokracisë që janë zgjedhjet e lira si kudo në Europë dhe Ballkan. Turp, turp, dhe sërish turp. Shqiptarët janë kundra shqiptarëve, dhe kjo tashmë po realizohet me anën e falangistave të fjalës së rëndë, dhe përrallave të stërgjata mitingashe në të gjithë drejtimet, por edhe nga aksionet e turpshme të niveleve të ulta intelektuale, që ka sot politika me shumicë te ne. Rritja e testosterolit politik dhe përgjigjet e forta të kapadainjve si në veri dhe jug të Shqipërisë, janë një kthim absurd në dhunë verbale që kthehet në dhunë fizike dhe pastaj transformohet në histeri politike pa fund. Të tilla shkarje, nuk bëjnë aspak mirë dhe nuk duhet vazhdojnë si rritje e madhësisë së përplasjes. Në fakt, më të mira janë ato vendosje me popullin si “gju më gju”, sepse dëgjohen edhe budallallëqet e popullit me shumicë, krahas edhe ndonjë mençurie, por në fund të fundit, të zbusin impakt dhe jo të ndezin. Sa më larg kapadainjve dhe të fortëve, sa më pak atyre që nuk e kanë për gjë të fillojë shthurja kolektive në Shqipëri. Nuk fitojmë asgjë, përkundrazi humbin akoma më shumë dhe në vazhdim, çdo gjë.