Në lidhje me deklaratat e kreut të PS, Edi Rama, se 3 ligjet e ashtëquajtura të integrimit janë ligje si gjithë të tjerat, ka reaguar Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Me anë të një konference për mediat, Bregu theksoi se Rama duhet t`u kërkojë të falur shqiptarëve për bllokimin që i bëri marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE.
“I çoroditur si gjithmonë, Edi Rama mbajti një konferencë për shtyp sot duke parashtruar më shumë pyetje sesa përgjigje. Edi Rama, në qoftë se këto 3 ligje janë si qindra ligje të tjera, pse nuk i keni votuar ato për më shumë se 230 ditë?
Ndërkohë që keni votuar shumë ligje të tjera edhe me 3/5-at!?Edi Rama, në qoftë se këto 3 ligje janë si qindra ligje të tjera, përse Komisioni i BE në mënyrë specifike i përcaktoi këto tri ligje si kriteret e fundit për marrjen e vendit të statusit të kandidatit!?
Edvin Rama në qoftëse këto ligje janë si gjithë të tjerat, pse përdore Fierin për t’i bllokuar ato për më shumë se 230 ditë!? Edi Rama, në qoftë se këto 3 ligje janë si qindra ligje të tjera, pse u mohove e grabite shqiptareve për më shumë se një vit, statusin e vendit kandidat? Pse u largove shqiptarëve me qindra miliona euro investime dhe dhjetëra mijëra vende pune, duke mos i votuar ato!? Sot, i detyruar nga opinioni publik dhe mediat të thyesh heshtjen, pasi foli e gjithë bota për zhbllokimin e tre ligjeve në Parlament, ti Edi Rama me deklaratën e papërgjegjshme, se këto ishin tre ligje si gjithë të tjerat, në vend që t’ju kërkoje falje qytetarëve shqiptarë se i le pa statusin e vendit kandidat, ju deklaron atyre me cinizëm se këto ligje nuk kërkoheshin për statusin e vendit kandidat”, tha Bregu.