“Jemi të angazhuar për të ndërtuar një projekt, për të vënë në punë Bulqizën dhe gjithë Shqipërinë. Bulqiza është qendër e rëndësishme për gjithë vendin, bashkë me Dibrën është qarku më i harruar nga Qeveria. Më 23 Qershor do ndëshkoni këtë harresë dhe neglizhencë. Nuk i keni asnjë borxh, është Qeveria që i ka borxh popullit tuaj". Kjo ka qenë thirrja e kreut të LSI, Ilir Meta, ndaj banorëve të Bulqizës, ndërsa prezantoi kandidatin për deputet për këtë rreth, Përparim Spahiun.
“U bë kaq kohë që sa herë ka fushatë elektorale, premtohet Rruga e Arbrit. Pranvera vjen cdo ditë, por rinia vetëm një herë. Jam i bindur se të rinjtë s’do pranojnë më të mashtrohen nga premtime boshe të Berishës, por do bashkohen me rrotacionin për ndryshimin e sigurt. Jam i bindur se do bashkoheni me programin tonë për punësimin", tha më tej Meta.
“Berisha premton 250 000 vende pune, por në 8 vite më shumë u mbyllën sesa u hapën se mungon vizioni dhe politika e mençur. Duke votuar për Përparim Spahiun, keni votuar për veten tuaj, fëmijët tuaj, për shkolla më të mira. Ne angazhohemi për tu dhënë të gjithë minatorëve statusin e minatorit, për rritje të fondeve për pushtetin lokal, për të financuar politikat sociale. Do mbështesim zhvillimin e arsimit profesional. Të gjitha politikat tona synojnë rritjen e punësimit dhe nxitjes së ekonomisë konkurruese. Kjo është rruga e progresit dhe mirëqënies sociale”, theksoi kreu i LSI.