Nga Vora ku PD prezantoi sot kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 23 Qershorit, Berisha tha se në 8 vite, kjo forcë ka hapur një kapitull të ri në historinë e vendit. "Ne hapëm një kapitull të ri në historinë tonë, firmosëm anëtarësimin në NATO, marrëveshjen e asocim-stabilizimit, heqjen e vizave dhe rekomandimin për status. Shqipëria nuk është kurrë më ajo që ishte pak vite më parë. Në pak vite ne kemi bërë ndryshime të mëdha në Shqipëri, nga Konispoli në Vermosh, nga lindja në perëndim me mund e djersë është ndërtuar një sistem i ri rrugor, që kanë ndryshuar gjeografinë e këtij vendi. Ndërtuam dhe rindërtuam mbi 1300 shkolla, mbi 420 sisteme kanalizimesh, 400 qendra shëndetësore dhe spitale. Në Vorë kemi ndërtuar mbi 50 km rrugë, 6 ujësjellësa dhe kanalizime, 4 shkolla, kopshte si dhe rindërtim të rrjetit elektrik. Vora është sot porta moderne e kryeqytetit të vendit”, tha Berisha.
“Shoku i autobusit na pengoi 1 vit, por më në fund u dorëzua. Ne do marrim statusin, do hapim negociatat me BE, do bëjmë gjithçka për të liberalizuar vizat me SHBA. Do bëjmë cdo gjë për punësimin e 250 mijë shqiptarëve. Shoku i autobusit ju premtoi qytetarëve se kur të vijë në pushtet do heqë taksat mbi makinerinë, i them shko tek dogana moderne që ndërtuam dhe do shikosh se që nga 1 maji bizneset nuk paguajnë më asnjë taksë për makineritë. Ne i bëjmë realitet premtimet tona”, shtoi Berisha.
“Premton se do ulë taksat për 95% të shqiptarëve, në çdo vend të lirë të botës ekonomia nuk zhvillohet nga sipër-poshtë, por është klasa e mesme ajo që gjeneron mbi 90% të ardhurave në cdo vend. Ti përpiqesh të mbjellësh urrejtjen klasore ndaj të pasurve”, tha ai më tej.