Mbrëmjen e së dielës, kryeministri çek, Petr Necas dha dorëheqjen pas shpërthimit të skandalit ku përfshihej ndihmësi i tij më i ngushtë e që ka të bëjë me marrje ryshfeti dhe përgjime. Sipas kushtetutës çeke, e gjitha Qeveria tashmë duhet të dorëhiqet dhe me shumë mundësi, do të ketë negociata të vështira e plot kompromise midis anëtarëve të koalicionit qeverisës, opozitës e presidentit, përpara se të ketë një zgjidhje.
Petr Necas dha dorëheqjen, disa ditë pasi prokurorët ngritën padi penale ndaj shefit të kabinetit të tij, Jana Nagyova, me akuzat e dhënies së rryshfetit për deputetët dhe urdhërimin e agjentëve të shërbimeve sekrete të përgjonin njerëzit.
Skandali kishte edhe një lidhje personale me kryeministrin, pasi një nga personat e përgjuar ishte edhe gruaja e tij, Radka. Çifti ndodhet në proces divorci.