Ministria e Financave ka ashpërsuar ligjin që mban nën kontroll organizatorët e lojërave të fatit, duke i kushtëzuar ata me fondin e ngurtësimit për garancinë e fituesit. Nëpërmjet një udhëzimi të ri, firmosur nga ministri i Financave Ridvan Bode dhe që ka hyrë në fuqi prej datës 17 qershor, kërkohet që për çdo sallë bingo, organizatori të garantojë për çdo lojë, fituesin ose fituesit e lojërave të fatit, me kapitalin themeltar të shoqërisë, si dhe me fondin e ngurtësimit, ky i fundit sipas kategorive; Për sallat në rrethet e kategorisë së parë, në masën 2 milionë lekë, për sallat në rrethet e kategorisë së dytë, në masën 1.5 milion lekë dhe për sallat në rrethet e kategorisë së tretë, në masën 1 milion lekë. Në udhëzimin e mëparshëm të datës 19.1.2009 “Për përcaktimin e fondit të ngurtësimit për garancinë e fituesit/fituesve në lojërat e fatit”, organizatorit të bingos nuk i kërkohej garanci me kapitalin themeltar të shoqërisë, por vetëm fondi i ngurtësimit, i cili ka mbetur po në të njëjtat shifra për kategoritë përkatëse të lojërave të fatit. Në udhëzimin e ri, Bode ka shtuar dhe kategorinë e kazinove elektronike në distancë, për të cilat, fondi i ngurtësimit do të duhet të jetë në masën 200 milionë lekë. Në rast se shoqëria, edhe pse e ka bllokuar fondin e garancisë, nuk është pajisur me leje, zhbllokimi i këtij fondi bëhet nga ministri i Financave pas propozimit të NJMLF.
Tjetër ligj i ri për lojërat e fatit
Dështimit të nismës së kryebashkiakut Lulzim Basha për largimin e lojërave nga Tirana dhe nxjerrjen e tyre në periferi, kryeministri Sali Berisha ka vendosur t’i kundërpërgjigjet me një tjetër ligj të ri, i cili gjithashtu synon të njëjtin qëllim. Brenda 6 muajsh, të gjitha lojërat e fatit do të duhet të dynden nga Tirana, në të kundërt do tu hiqet licensa. Kryeministri Berisha ka vendosur të ndryshojë posaçërisht ligjin për lojërat e fatit, sipas të cilit, të gjithë subjektet që do të krijohen për këtë aktivitet, apo ato ekzistuese, të cilat ndodhen pranë bankave, shkollave, spitaleve, apo institucioneve fetare, brenda 6 muajsh duhet të largohen nga këto ambiente. Ligji i ri nuk përcakton qartë se sa duhet të jetë distanca e këtyre subjekteve me këto institucione, por ajo që nuk ka nevojë për shumë sqarim është fakti që duhet të lëvizin prej aty, në të kundërt do t’u hiqet menjëherë licensa. “Ndalohet ndërtimi/marrja me qira e mjediseve, me fushë veprimtarie lojëra fati, të ekspozuara pranë institucioneve fetare, arsimore e shëndetësore dhe institucioneve bankare. Brenda një periudhe 6 -mujore nga hyrja në fuqi e këtij ligji, subjektet, që ushtrojnë veprimtarinë pranë këtyre institucioneve, duhet të marrin masat për ndryshimin e vendndodhjes. Në rast se brenda kësaj periudhe subjektet nuk kanë ndryshuar vendndodhje, NJMLF-ja procedon me heqjen e lejes së ushtrimit të aktivitetit”, thuhet në ligjin e ri për lojërat e fatit. Aktualisht, në kategoritë e lojërave të fatit që zhvillohen në vendin tonë përfshihen bastet sportive; bastet për gara në pistë; kazinotë; kazino elektronike; lotaria kombëtare; bingo tradicionale dhe bingo televizive.