Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila po merr pjesë në samitin e Brdos, të presidentëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, ka shpalosur dedikimet e Kosovës ndaj agjendës evropiane dhe ndaj forcimit të marrëdhënieve bilaterale, si një platformë që unifikon të gjithë qytetarët dhe e cila ka shtruar rrugën e stabilitetit dhe prosperitetit në regjionin tonë.
Ajo posaçërisht i është drejtuar presidentit francez, François Hollande, që mbështeti iniciativën e Sllovenisë dhe Kroacisë për ndihmë, gjashtë vendeve të tjera të regjionit drejt përmbushjes së kritereve të nevojshme për anëtarësim në BE, si dhe drejt forcimit të marrëdhënieve fqinjësore. “Rruga evropiane e secilit shtet duhet të jetë e garantuar dhe e qëndrueshme’, është shprehur Jahjaga, duke shtuar se “ne kemi nevojë për ndihmën tuaj. Në perceptojmë integrimin tonë në BE si një rezultat me të cilin fitojnë të gjithë”.
Jahjaga u shpreh më tej se: "Asnjë lloj bashkëpunimi në regjion nuk do të jetë i kompletuar pa pjesëmarrjen e Kosovës, asnjë nga politikat regjionale nuk do të mund të vihet në funksion pa përfshirjen e Kosovës dhe projekti i Bashkimit Evropian do të jetë i papërfunduar pa anëtarësimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor".