Është miratuar sot në Kuvendin e Kosovës, një rezolutë në lidhje me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, rolin e EULEX-it, Qeverisë së Kosovës dhe periudhën e tranzicionit. Sipas rezolutës, qeveria e Kosovës autorizohet të përgatisë planin e vet tranzicional deri më 1 shtator, për t’i marrë përgjegjësitë nga misioni i EULEX-it, nga qershori i vitit 2014, kur këtij misioni, sipas vendimeve të fundit të BE, i skadon mandati.
Edhe pse BE e ka lënë të hapur mundësinë që misionit të EULEX, ti vazhdohet mandati edhe pas vitit 2014, rezoluta e Kuvendit parasheh fundin e mandatit të tij, pas pakënaqësive të shumta me rolin që ky mision po luan në trajtimin, hetimin dhe gjykimin e rasteve të cilësuara si krime lufte.
Rezoluta e sotme në Kuvend, pasoi me debate dhe arrestimin e disa udhëheqësve të UÇK, ndër ta edhe të ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm, Sylejman Selimi, nga ana e misionit të BE, për sundim të ligjit nën akuzat për krime lufte. Njëherësh, ky mision po vazhdon një proces të tillë gjyqësor edhe ndaj deputetit të PDK, Fatmir Limaj.