Volumet e Tregtisë së Jashtme janë rritur gjatë muajit Korrik si në eksporte, ashtu edhe në importe. Sipas të dhënave të publikuara sot nga INSTAT, eksportet u rritën me 23.9%, ndërsa importet u rritën 1.2% me bazë vjetore. Këto të dhëna përforcojnë më tej ecurinë e mirë të eksporteve dhe një përmirësim të lehtë, por të pamjaftueshëm të importeve. Kështu, për 7-mujorin eksportet shqiptare arritën vlerën e 142 miliardë lekëve, me një rritje prej 18.4% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Rritja e eksporteve vazhdon të udhëhiqet nga ritmet e larta të eksportit të lëndëve të para. Sipas INSTAT, eksportet e grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji” për 7-mujorin u rritën me 46%. Pikërisht kërkesa e huaj për pasuritë natyrore si nafta bruto apo kromi po mban të larta eksportet edhe këtë vit. Së bashku me shpenzimet publike, kërkesa e huaj vlerësohet të kenë qenë kolonat e ruajtjes së rritjes pozitive të ekonomisë shqiptare në dy vitet e fundit.
Nga ana tjetër, kërkesa e brendshme duket se vijon të jetë e dobët. Pavarësisht nga një rritje e lehtë në tre muajt e fundit, për 7-mujorin importet rezultojnë në rënie me 5% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Rënia e importeve vlerësohet ndër simptomat kryesore të tkurrjes së konsumit në ekonomi. Ecuria e kombinuar e importeve dhe eksporteve ka zbutur një ndër problemet strukturore të ekonomisë shqiptare, deficitin tregtar. Për 7-mujorin, deficiti tregtar ra me 21% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, ndërsa shkalla e mbulimit të importeve nga eksportet ishte 50.4%, niveli më i lartë historik.