Eurovision është eveniment më i rëndësishëm artistik që i kushtohet shumë vëmendje në Europë dhe më gjerë, dhe këtë vit Shqipëria u prezantua denjësisht. Drejtori muzikor i festivalit të këngës në RTSH, kompozitori i mirënjohur Sokol Marsi shprehet se ky vit ishte një histori suksesi dhe Shqipëria pas disa vitesh ishte sërish në finalen e Festivalit Europian. Në intervistën për “SOT”, drejtori muzikor Sokol Marsi shprehet se ky vit ishte prej atyre rasteve kur kënga fituese e festivalit në RTSH arrin majat e suksesit dhe në Europë. Ai tregon se Eurovision në tërësinë e tij është një event multi-dimensional, që do të thotë në çdo element duhet të plotësosh parametrat e duhur. Për drejtorin muzikor Sokol Marsi kënga, baleti, skenografia, ndriçimi, performanca etj., si elementë të Eurovision duhet të jenë në nivel maksimal për të pasur edhe një sukses dhe synimi është që të jemi ndër 22 vendet e përzgjedhura në natën finale dhe të bëjmë një përfaqësim sa më dinjitoz. Drejtor muzikor Sokol Marsi pohon se festivali i këngës në RTSH është institucioni më i rëndësishëm muzikor në Shqipëri dhe ishte pikësynimi i të gjithëve duke filluar nga drejtuesit e RTSH e deri tek stafi artistik, që edicioni i 56 të quhej “Rikthimi i të mëdhenjve”. Ndërsa jehona e festivalit të 56 vijon, RTSH tashmë ka nxjerrë dhe spotin publicitar për edicionin e 57. Për drejtorin muzikor dhe kompozitorin Sokol Marsi puna ka nisur që tani për të pasur një festival akoma më të mirë se ai i një viti më parë.
-Jeni kthyer nga Eurovision, për ju çfarë solli prezantimi i këtij viti?
Eurovision është eventi më i rëndësishëm artistik, që organizohet nga EBU-ja dhe si i tillë i kushtohet shumë vëmendje në Europë dhe më gjerë. Sivjet, Shqipëria për mua u paraqitet denjësisht dhe korri një sukses të madh, pasi u rikthye pas disa vitesh sërish në finale dhe u vlerësua mjaft pozitivisht në renditjen finale, pra ky vit me pak fjalë ishte një histori suksesi.
– Media europiane e vlerësoi maksimalisht vokalin e Eugent Bushpepës me këngën “Mall”, fitues në festivalin e 56 të këngës në RTSH, por a patët ndopak zhgënjim nga vlerësimi final sidomos pikët e jurisë italiane?
Të jem i sinqertë jo vetëm unë, por i gjithë stafi jonë mbeti pak i habitur nga vlerësimi i jurisë italiane, madje edhe Ermal Meta u shpreh personalisht mbi vlerësimin e jurisë italiane. Më pas, kur jemi kthyer, të gjithë më pyesnin se përse juria e Italisë nuk e votoi Shqipërinë, por unë akoma edhe vetë nuk kam një përgjigje për këtë rast!
-Mund të themi se këtë vit ishte rasti që kënga fituese e festivalit në RTSH konfirmohet si e suksesshme edhe në Festivalin Europian?
Po, ky është njëri prej atyre rasteve kur kënga fituese në festivalin tonë arrin majat e suksesit edhe në Europë, dhe për këtë sigurisht që ka sukses absolut festivali, pasi përzgjedhja e fituesit është një element kyç për sa i përket përfaqësimi në Eurovision, jo gjithmonë ka ndodhur kështu. Nuk është e lehtë në shumë raste të evidentosh atë këngë, e cila do të ketë sukses edhe në Eurovision, por kur konfirmohet atëherë është qershia mbi tortë.
-A mendoni se më në fund Shqipëria nisur nga suksesi i këtij viti, e ka gjetur çelësin e duhur për të pasur një përfaqësim të suksesshëm në Eurovision?
Eurovision në tërësinë e tij është një event multi-dimensional, që do të thotë në çdo element duhet të plotësosh parametrat e duhur. Kënga, baleti, skenografia, ndriçimi, performancë etj, si elementë të tij duhet të jenë në nivel maksimal për të pasur edhe një sukses absolut. Synimi ynë në këtë rast është që të jemi ndër 22 vendet e përzgjedhura në natën finale dhe të bëjmë një përfaqësim sa më dinjitoz. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se ka shtete donatorë që paguajnë për organizmin e Eurovisionit si psh; Anglia, Franca apo Spanja, që në rastet kur kemi qenë finalistë janë renditur gjithmonë pas Shqipërisë. Me këtë nuk dua të nënkuptojmë se ne qëndrojmë artistikisht më lart se ata, por dua të nënvizojmë se konkurrojmë gjithmonë si të barabartë dhe nuk ka kurrfarë paragjykimi, por gjithmonë duhet të jemi konkretë, realistë dhe koherentë pa delire dhe euforizma të panevojshme. Ky është çelësi.
-Ju jeni kompozitor dhe autor i mirënjohur, fitues çmimesh dhe disa herë pjesëmarrës në Eurovision. Nga eksperienca juaj emocionet janë më të forta si krijues apo si drejtues?
Për mua emocionet janë njësoj, por sigurisht si krijues e ke më të brendshme dhe më të fortë emocionin, pasi kur shikon emrin tënd në titrat e ekranit të duket sikur po mban mbi shpinë gjithë peshën e botës, kaq e fortë është, kurse si drejtues është një punë e madhe dhe e rëndësishme pasi duhet të koordinosh e drejtosh në çdo moment grupin artistik në çdo detaj.
-Festivali i 56 në RTSH u vlerësua shumë, spikati organizimi, përzgjedhja e këngëve, dhe kryesorja rikthimi i shumë emrave që ishin larguar prej vitesh nga festivali. Si funksionoi kësaj here?
Festivali i këngës është institucioni më i rëndësishëm muzikor në Shqipëri. Ka mbi shpatulla 56 vite jete, qindra artistë, poet, muzikantë, skenaristë, regjisorë, skenograf e mbi të gjitha një publik që e do dhe është rritur me festivalin ndaj kur të jepet rasti të organizosh festivalin duhet të pyesësh veten mirë, pasi merr përsipër peshë të madhe. Ishte pikësynimi i të gjithëve ne, duke filluar nga drejtuesit e RTSH e deri tek stafi artistik, që ky edicion të quhej “Rikthimi i të mëdhenjve” dhe mendoj se ia arritëm qëllimit. Sigurisht që na është dashur shumë punë për ta arritur këtë, por ishim një staf shumë kompakt me ide të qarta dhe gjithçka funksionoi më së miri, dhe sa herë më është dhënë rasti unë kam falenderuar dhe do ta bëj gjithmonë gjithë ekipin e festivalit të 56 duke filluar nga drejtuesit e RTSH, z. Thoma Gëllçi, Martin Leka, Rezart Aga, Henri Muça, Kleart Duraj, Arben Hixha; stafi artistik me Pali Kuke, Albi Çifligu, Adi Krasta, Elton Deda; Orkestra e RTSH, bendi muzikor dhe të gjithë që kontribuuan në organizimin e këtij festivali, pasi ishte një skuadër shumë e madhe. Personalisht jam shumë i lumtur për këtë arritje.
-Mendoni se tashmë festivali ka shpëtuar nga paragjykimet e zakonshme se fituesi paracaktohej?
Kjo është pyetja 1 milion dollarëshe dhe po kaq dollarë duhen për përgjigjen, (qesh). Që ti kthehemi seriozisht përgjigjes, festivali është eveniment kombëtar dhe realizohet nga RTSH si i vetmi televizion publik shtetëror, plotëson të gjitha parametrat artistikë të një show të madh, duke filluar nga interpretimi live, orkestra live, të ftuarit vip e deri tek transmetimi direkt në disa kanale televizive europiane përfshi edhe atë të Eurovision, ndaj vëmendja publike sa herë fillon festivali është shumë e madhe. I përmenda të gjitha këto pasi një artist fitues është shumë i vogël në gjithë këtë tempull të madh siç është festivali, me gjithë këtë makineri gjigande dhe nuk mendoj se RTSH do të kishte interes që për fitoren personale të një artisti të hidhte poshtë gjithë këtë punë të madhe vit pas viti. Jo çdo vit ka të njëjtat prurje në festival për sa i përket krijimtarisë ndaj edhe fituesi del në bazë të konkurrimit të këngëve brenda atij viti. Nuk duhet të ngatërrojmë tregun muzikor dhe përfaqësimet apo sukseset personale të një artisti me garën e festivalit. Shpesh qëllimisht përdorin emra artistësh si të denjë për ta fituar festivalin apo për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision, por e citoj; rruga për në Eurovision kalon nga Festivali i Këngës! Kështu nisi edhe rruga e Eugent Bushpepës, ndaj çdo artist është i mirëpritur të konkurrojë në festival për të qenë pjesë e një gare të madhe. Më vjen keq ta them, por shqiptarët i kanë pjesë të ditës paragjykimet, thashethemet, konspiracionet, duan me patjetër të flasin për diçka edhe kur nuk ju takon dhe gjithmonë gjejnë diçka për ta bërë pis apo për ti vënë bisht. Gjithsesi më mirëkuptoni, pasi unë nuk jam drejtuesi i 56 festivaleve dhe nuk marr përsipër të sqaroj gjëra që mund të kenë ndodhur edhe jashtë vëmendjes time.
-RTSH ka nxjerrë spotin publicitar për festivalin e 57, përse kaq shpejt si asnjëherë tjetër në zhvillimin e tij?
Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, por kësaj here është menduar që puna organizative të fillojë më herët për të pasur një festival akoma më të mirë se i kaluari dhe jam i sigurt që do të ndodhi. Unë besoj shumë tek shprehja: suksesin është e lehtë për ta arritur dhe vështir për ta mbajtur, ndaj kemi ndezur motorrët më shpejt. Përfitoj nga rasti të ftoj gjithë artistët, kompozitorë, poetë, interpretues që të sjellin krijimet e tyre për të qenë pjesëmarrës në festivalin që po vjen shpejt dhe dua ta mbyll me sloganin “Eja në Festival”.
Intervistoi: Julia Vrapi