Ng a p a r u l l a e famshme e 1941- it e PKSH se “Pushteti merret me grykën e pushkës” dhe propagandës pa fund për më shumë se gjysëm shekulli, duke na ushqyer me ideologjinë komuniste se pushteti mbrohet me gjak dhe nuk dorëzohet pa luftë. Kemi plot njëzetë e tetë vjet që na shurdhuan veshët me thirrjen “Kryeministri “X” të ikë”! Të ikë! Të ikë! Në vitet e para pas pluralizmit, demostratat, protestat, revoltat e debatet, kudo, në sheshe në salla, në mbledhje, në ekranet e televizioneve, në opinione, konsulta partie, diskutime të zakonshme, debate mes politikanëve, deputetëve, zyrtarëve, familjarëve, hallexhinjve, pasanikëve, bisedat në çifte, i njëjti refren na ka shoqëruar në vite, Meksi ik! Berisha ik! Nano ik! Meta ik! Majko ik!. Rama ik, ik, ik… Nuk ka mbetur një kryeqeveritar shqiptar të mos e ketë ndjerë këtë stuhi. Ngado si rrebeshi, objekt i akuzave, sharjeve, demaskimeve, luftës pa moral dhe ultimatumeve. Kryeministria, kalaja që duhet pushtuar me çdo çmim. “Luftëtarët” e “çlirimtarët” me lloj- lloj pretekstesh, të vërteta e gënjeshtra kanë mobilizuar popullin në marrshim drejt kështjellës së pushtetit. Me kuaj të drunjtë. Me shkallët e mëdha. Me shpatat zhveshur. Me pusi. Intriga e krisma. Filozofia ka qenë vetëm një. Të përmbyset pushteti, të ikin këta e të vijnë ata. Pushtet për vete. Zgjedhë për qytetarët. Populli, si gjithnjë thirret për revolucion dhe në fund i mbetet në dorë një tollon. Bulevardet e sheshet, jo vetëm në Tiranë, po në gjithë qytetet e Shqipërisë në tërë këto vite pas 1990 –ës i kanë shkelur mbi shpinë pesha të rënda. Kanë rënkuar e vuajtur asfaltet e kalldrëmet nga mijëra të revoltuar. Kanë regjistruar në memorie protesta me hunjë në duar. Të armatosur me gurë. Me armë me plumba. Në protestat kurrë nuk ka munguar dhuna. Akuzat pa fund. Dhe zhurma. Nga fillimi në fund janë dëgjuar ultimatumet kundër kryeministrit të radhës. Ultimatumi i prerë. Ik! Ik! Sa më shpejt ik! Refren i çjerrë, dëgjuar miliona herë. Nga veriu në jug. Nga lindja në perëndim. Të gjithë me të njëjtin pretendim. Tërë të revoltuarit një objektiv. Qeveria të ikë! Largohuni të shpëtojë Shqipëria. Dhe vazhdon historia. Kur të vijmë ne në pushtet nuk do ketë varfëri. Zero do e bëjmë papunësinë. Korrupsioni do shkulet me rrënjë. E premtimet lumë. Populli shqiptar në këto vite i ka provuar të gjitha. Ka kaluar mbi shpinë shumë kryeministra. Meksin në fillim. Kur u shkund çeku i bardhë. Ku premtimet vërshuan pa kursim. Sikur deti u bë kos. Dhe askush nuk do mbetej bosh. U ngritën piramidat. U shkërmoq pasuria. U dogj Shqipëria. Mijëra shqiptarë u vranë nga babëzia. U ngrit në këmbë e tërë Shqipëria. Buçitën sheshet. Meksi ik! Kryeministri iku vërtetë. Erdhën pas tij të tjerë. Dhe përsëri refreni i njëjtë. E njëjta melodi. Ndryshimi? Nga Meksi në “Nano ik!” Dhe për të bërë realitet këtë dëshirë, në rrugët e Tiranës, në të gdhirë e errësirë, ulërimat morën zjarr. Në fasadat e Kryeministrisë u zbrazën molotovët. Gurët. Dhe në fund tanket, mitralozët. “Revolucion demokratik” i udhëhequr nga Sali Berisha, kryetar i opozitës pas vrasjes së Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari u gjëmuan trumbetat. Ik, nano, Ik! Të gjithë i kujtojmë ato që u bënë. Pushtimi i Kryeministrisë. Kështjellarët u zunë në çark. Dhe thirrjet ulërimë. Nano ik, ndryshe vrasim. Pas largimit të kryeministrit dhe ardhjes së qeverisë së re, përsëri e njejta mesele. Vetëm emri ndryshoi. Opozita zakonin nuk e harroj. Në thirrjet e opozitës asgjë nuk ndryshoi. Tani, vetëm një çik Majko ik! Po nuk mbaroi këtu historia. Në protesta të vogla e të mëdha, e vetmja parullë mbi të tjerat. Kryeministri të ikë! Të shporret qeveria. Të shpëtojë Shqipëria. Ajo që të habit nuk është kërkesa as ultimatumi po imponimi. Opozita me broçkullat e radhës. Ju nuk jeni për punë. Hajdutëria është profesioni juaj. Dhe premtimet lumë. Ne do ndërtojmë Shqipërinë re. Sapo të vijmë në pushtet do sjellim lumturinë. Do u antarësojmë në NATO. Do hapim dyert e BE-së. Jemi të vetmit reformatorë. Dinjitarët i kemi me bollëk. Ekonominë do e bëjmë pa taksa. Asnjë nuk mbetet i papunë. Kemi miq në Amerikë, në Europë, edhe më shumë. Na do presidenti “X”. Janë gati të investojnë në Shqipëri miliona dollarë. Do lulëzojë bujqësia. Do marrë jetë industria. Nafta do derdhet det. Do kemi bollëk… Ka vetëm një pengesë. Të ikë qeveria e krimit. Të shporret kryeministri. Ai është pengesa. Është fatkeqësia. Të ikin nga pushteti, qeveria. E meritojmë qeverinë se e duan më shumë nga të gjithë Shqipërinë. Jemi novatorë. Burra reformatorë, progresistë. Dimë të bëjmë vepra të mëdha. Kemi 28 vjet, në vesh na buçet e njëjta melodi. Na troket thirrja magjike: Të ikë kryeministri “X”! Me këtë motiv është thirrur populli në protesta në vite. Këtu kanë shigjetuar kërkesat për qeveri teknike, mekanike, antimafie, specifike. Për “Republikën e re”. Ndryshimin e kryeministrit me forcë pa zgjedhje. Të ikë kryeministri! Ai që do vijë, le ta bëjë Shqipërinë lesh arapi. E gjithë përpjekja për tu treguar si shpëtimtar pas ultimatumeve mizore, reduktohet tek një qëllim. Pushtetin me çdo çmim. Dhe për këtë vihen në garë organizatorë e liderë partie. Thirren nën armë militantët, trafikantët, hajdutët, milionerët, të korruptuar, të shantazhuar, edhe pse i shesin të kulluar. Dhe me parulla e pankarta, me simbolika, me kukulla, fotografi e fjalë të mëdha me betime dhe në fund me të vetmen thirrje. Të ikë kryeministri ! Të largohet një orë e më parë. Është pa aleatë. Ka mbetur vetmitar. Nuk ka më moral. Është i ngratë. Nuk e duan shqiptarët dhe këtë të gjithë e shikojmë kur në bulevarde e sheshe parakalojmë. Të gjitha i thonë të eturit për pushtet e pasuri. Flasin për vete jo për Shqipëri. Vetëm një vogëlsi harrojnë. Zgjedhjet dhe votën e popullit. Një ditë para zgjedhjeve shpallin fitoren. Pushteti është i garantuar. Populli i orientuar. Do ta shporrim qeverinë. Në pushtet do të vijmë. Dhe garanci pa limit deri sa qytetarët të drejtohen tek kutitë. Sa del përfundimi. Atje nis tundimi. Nuk dalin llogaritë. Pushteti nuk u fitua. Dështimi i qeverisë. Vjedhje e manipulime të mëdha. Flet lideri i ngrehosur. Faji është i popullit. Nuk na votoi, po shpejt do e provoj. Pushteti na takon. Është e drejta jonë. Bëhen llogaritë, lihet mënjanë hanxhiu. Llogariten të gjitha. Mungon vetëm diçka. Votuesi, more vëlla. Ai e di në cilën kuti e për cilën parti votën do ta japi dhe nuk shkon pas berihajt të partisë, që e do pushtetin për pasuri. Ndaj nuk thotë. Eja ti dhe të iki ai. Sa herë në sheshe kemi dëgjuar. Të ikë qeveria. Të largohet kryeministri. Të futet në burg “X”. Të shpërndahet parlamenti! Nuk është demokratik. Deputet kallashnikovi. U ble pushteti. E njejta filozofi. E ultimatumi vazhdon, herë me ëmbëlsi e herë me ulërima. Ikni. Ikni… Nuk ju duam. Le të ndalemi në protestën e fundit. Gjithë regjisura e skenari ishte reduktuar në një fjalë. Të ikë kryeministri! Nuk të duam. Po cilin kryeministër në këto vite keni dashur dhe nderuar? Askënd. Të gjithë i keni anatemuar. Kjo është kërkesë permanente e opozitës tonë. Fronti i bashkuar opozitar nga zgjedhjet e vitit të kaluar, ka demostruar. Në të gjithë mitingjet në sheshe e salla. Vetëm një kërkesë ka artikuluar. Kryeministër ik! Kujtojmë se në 27 janar e vetmja parullë që dëgjohej e shkruhej ishte urdhëri: Rama ik! Dhe në fund mbetej zhgënjimi. Në fundin e protestës së 27 janarit, dy protestues nga qyteti i Sarandës kur protestuesit ishin duke u larguar nga sheshi i mitingut, mbetën të habitur. Ku shkojnë këta, pse u
larguan papritur, pyet bashkëprotestuesi? Puna nuk ka mbaruar? Dera e Kryeministrisë është e mbyllur. Nuk e morëm qeverinë? Ç’është kjo tragjedi? Për kaq pak udhëtuam? Dhe vazhdoi monologun. Ç`bëhet kështu? Vijmë. Sorollatemi. Bërtasim. Ngjiremi, ikim. Mbetet e njejta qeveri. Më mirë të mos vijmë më në protesta! Me sa duket, në mend do na mbetet vetëm gënjeshtra. Ah, i tha protestuesi me përvojë. Ik, o kryeministër e themi vetëm me gojë. Po dije se kryeministri atje do qëndroj. Deri sa populli do ta dojë! Ftesa për protestën e 26 majit në qendër kishte video skandalin. Të gjithë kishin në mendje Albert Babale gënjeshtarin. Dhe derdhën në shesh mllefe e inate. Rrethuan ministrinë. U përleshën militantët me policinë. Po ajo që gjëmonte kudo e mbi gjithçka. Të ikë ministri Xhafa! Të shporret kryeministri Rama! Dhe “babai” i protestave të dhunshme, Berisha pasi pa protestën e cunguar e gjeti dhe e sqaroi menjëherë dështimin. Iku ai në tunelet e Skraparit u fsheh si mi. Po herës tjetër ta dijë. Do ta kapim në çark se nuk do lëmë rrugë pa bllokuar deri sa të kemi fituar. E përsëri sheshi brohoret dhe zëri ngrihet deri tek rretë. Të ik kryeministri! Të zhduket i poshtri! Ti hapw rrugën lirisë. Të lulëzojë demokracia. Të shpëtojë Shqipëria! Të fitojë vegjëlia. Të marrë fund korrupsioni. Të shkojmë në Europë. Dhe të gjitha këto se kështu do Basha, Monika dhe opozita. Barazimi i tërë mazhorancës edhe simbolikisht me një emër të përveçëm është i pakuptimit. Kryeministër apo president. Ministër a kryetar partie dhe ngritja e tonit kundër individëve edhe kur flitet për kryeministrin nuk zbret fitorja nga qielli. Ai që vulos me votë është vetëm një. Populli. Besoj se protestuesit VIP të 26 majit e morën të plot mesazhin. E dëgjuan e panë organizatorët. E mati Lulzim Basha shkallën e mbështetjes popullore. Nuk i bën asnjë punë as mburrja me metër katror as llogaritë në numërator. Besoj se mesazhin e mori edhe Monika. Populli foli po jo për atë. Nga ky 26 maji, opozita e bashkuar shpresojmë të këtë mësuar. Se protesta e dështuar është shumë më keq sa e munguar. Aq më pak dhuna për pushtet. As refreni si stuhi, të ikë kryeministri. Për të ardhur në pushtet nuk mjaftojnë ultimatumet. As të intrigosh. As video përgjimet. As të filmosh. Të luash me ndjenja e opozitarëve për t`i mashtruar se me një protestë do hapen dyert e pushtetit i ngjan më shumë një maskarade. Ta barazosh Shqipërinë me një inat është paradoksale. Të kënaqesh me iluzionin se të gjithë janë me ty kur realiteti flet ndryshe është pafuqi. Shumë mësime duhet të nxjerrë opozita me protestën e fundmajit. Në se kërkon të vijë në pushtet. Janë të pamjaftueshme shfaqjet. Të etiketoj dhunë policore në se policia të ndal të pushtosh institucionet. Opozita le t`i kthej sytë nga “qetësia” e ish kryeministrit Berisha si shtriu me plumb në sheshin para kryeministrisë katër martirë vetëm se iu shkel gardhi i shtëpisë. Mazhoranca e sotme kurrë këtë të mos e bëj. Po nëse e gjithë kauza ngurtësohet në shpifje, dëshira, marrëzi përgatitu për dështimin. Në këto tri dekada politika jonë një mësim duhet ta ketë marrë. Se pushtetin askush s`ta fal. Vota është pushteti. Jo ultimatumet: Deri sot në këto 28 vjet i vetmi refren është agresiviteti opozitar. Të ikë kryeministri “X” që të shpëtojë populli shqiptar!/Nga Bardhyl BEJKO
“Nuk mban më ujë pilafi”/ ‘Shpërthen’ Luizi: Ku mund ta gjej këtë njeri
Luiz Ejlli është një nga personazhet më të komentuar të momentit. Edhe pse kaloi kohë nga edicioni i “BBV” ku...
Lexo më shumë