Të enjten u shpallën fitues të çmimit Nobel për Letërsinë, autorja polake Olga Tokarçuk dhe shkrimtari austriak Peter Handke. Të dy çmimet për vitin 2018 dhe 2019 u dhanë njëherësh sepse për vitin 2018 nuk u dha për shkak të një skandali seksual që shpërtheu atë vit në Akademinë suedeze. Tokarçuk e cila fitoi edhe çmimin ndërkombëtar të “Njeriut të Librit” ishte vlerësuar me çmimin Nobel në 2018, çmim i cili i kaloi Peter Handke për 2019. 76-vjeçari Handke, një dramaturg dhe romancier u njoh për një punë influenciale me “mendjemprehtësinë” linguistike për të eksploruar periferinë dhe specifitetin e eksperiencës njerëzore”, thuhet në deklaratën e Akademisë suedeze. Megjithatë Handke mbetet një person i kundërshtuar dhe i diskutueshëm për përkrahjen që i ka dhënë ai Millosheviçit në luftën jugosllave në vitet 1990 dhe për fjalën e tij në funeralin e liderit serb Millosheviç në 2006, i cili është akuzuar për genocid dhe krime lufte (https://www.bbc.com/news/entertainment-arts-49976107, https://www.gazeta.ru/culture/news/2019/03/05/n_12710863.shtml). Olga Tokarsczuk, e cila fitoi çmimin Nobel per Letërsinë për vitin 2018, është një aktiviste intelektuale dhe kritike e politikave polake është cituar nga Komiteti për dhënien e çmimit Nobel “për imagjinatën narrative e cila me pasionin enciklopedik përfaqëson kapërcimin e kufijve si formë të jetës”. Ajo është bestseller në Poloni dhe është shumë e njohur në Angli, sidomos pas fitimit të Çmimit Ndërkombëtar të Librit për romanin e saj të gjashtë “Flights” – “Ikja”. Anders Olson përfaqësues i Komisionit Nobel tha se: “Puna e saj e cila përqendron në një pikë migrimin dhe tranzicionin kultural, ishte plot inteligjencë dhe mendjemprehtësi”. (https://www.theguardian.com/books/2018/may/22/olga-tokarczuk-flights-wins-man-booker-international-prize-polish).
Përse Ismail Kadare nuk mund të fitojë çmimin Nobel? Mendoj sepse Kadare ka rënë pikërisht në kurthin e ideve raciste dhe nacionaliste në veprën e tij, njëlloj si Gjergj Fishta, kandidati i parë për çmimin Nobel të propozuar nga gjermanët në vitin 1937. Dihet se Gjergj Fishta një personalitet i famshëm katolik shqiptar, i cili ka merita të padiskutueshme në krijimin e germave të gjuhës shqipe njëlloj si ato latine në Kongresin e Manastirit, në të cilin ishte dhe drejtuesi kryesor i Kongresit, ka edhe merita të tjera të padiskutueshme në veprat e tij nacionaliste si "Lahuta e Malcisë", kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Më 1907 boton përmbledhjen satirike "Anzat e Parnasit", më 1909 përmbledhjen lirike "Pika voese", më 1913 "Mrizi i Zanave". Po të krahasojmë veprat e Gjergj Fishtës me veprat e Ismail Kadaresë, ka një karakteristikë të përbashkët: nacionalizimin dhe racizmin ndaj fqinjëve (ndonëse një racizëm i justifikuar). Panagjerizmi ndaj Gjergj Fishtës është i njohur në Shqipëri dhe në gjithë Europën, përveç diktaturës komuniste. E njihnin natyrisht edhe për dekoratat e titujt që i ishin akorduar: Nga Austria “Ritterkreuz” më 1912, ose nga Turqia “Mearif” po më 1912, nga Vatikani “Medaglia al Merito” më 1925, nga Greqia “Phoenix” më 1931, etj. etj., e pse jo, e njihnin edhe si kandidat i propozuar për çmimin Nobel! E si pasojë, kur patër Gjergji e refuzoi dekoratën e lartë të qeverisë fashiste italiane, akademikët e Italisë u trandën (https://shkoder.net/fishta6/).
At Gjergj Fishta ishte kryetar i komisionit në Kongresin e Manastirit më 1908, që miratoi alfabetin. Ishte përkthyes i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, pastaj, sekretar i delegacionit. Në fund të vitit 1920, Shkodra e zgjodhi deputet të saj në Parlamentin shqiptar. Pas vendosjes së regjimit të Zogut, Fishta u vetë-mërgua në Itali në vitin 1925 /1926, para se të rifillonte punën si mësues, poet dhe shkrimtar në Shkodër; vdiq më 30 dhjetor 1940. Fishta ishte redaktor i revistës “Hylli i Dritës” (1913) dhe gazetës “Posta e Shypnisë” (1916-1917). At Gjergj Fisha ishte gjithashtu shqiptari i parë kandidat për çmimin Nobel për letërsi. I mohuar e përçudnuar zyrtarisht për 45 vjet nga regjimi komunist, emri iu harrua, ndërsa vargjet e tij qarkullonin në popull, fshehurazi, gojë-më-gojë.
(https://lajmiexpress.net/cfare-ka-ndodhur-23-tetor-pergjate-historise/).
Shqiptarët nuk kanë fituar ndonjëherë çmimin Nobel për letërsi. Por, gjatë historisë së tyre, kanë pasur shkrimtarë të mëdhenj, të cilët janë bërë të famshëm në botë dhe shkrimtarë që janë propozuar edhe për çmimin Nobel. Më 1937, gjermanët propozuan Gjergj Fishtën. Nuk ka rëndësi që Fishta nuk e fitoi atë çmim. E rëndësishme është se Fishta u çmua shumë edhe nga të huajt dhe nga ata u propozua për çmimin Nobel. Për çmimin Nobel para disa vitesh është propozuar edhe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare. As në këtë rast, nuk ka rëndësi fort se a do ta fitojë Kadare çmimin Nobel. Megjithë rekomandimet për Ismail Kadarenë për të fituar çmimin Nobel, është e habitshme se përse disa qarqe shqiptare kërkojnë me insistim që ky shkrimtar oborri duhet patjetër të fitojë çmimin Nobel. Ismail Kadare e ka të pamundur për ta fituar këtë çmim, megjithë keqardhjen tonë hipokrite. Përse? Sepse Ismail Kadare ka qenë dhe mbetet një përfaqësues i nomenklaturës së kuqe, ka qënë deputet dhe zv. kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë para viteve `90, dhe zëvendës i Nexhmije Hoxhës, e cila atëherë ishte kryetare e Frontit Demokratik. Së dyti, Ismail Kadare ka qenë deputet për një kohë të gjatë i diktaturës komuniste. Së treti Ismail Kadare i ka zgjatur jetën regjimit diktatorial të Enver Hoxhës me librat e tij si “Dimri i vetmisë së madhe” dhe “Pashallarët e kuq”. Së katërti, nuk ishte e rastësishme që Enver Hoxha afroi përreth tij shkrimtarët dhe artistët më të dëshiruar nga populli sepse sipas mendjes së tij djallëzore e dinte që nëse populli i do artistët dhe shkrimtarët e vet, automatikisht do të dojë edhe politikanët dhe udhëheqësit që këta shkrimtarë dhe artistë preferojnë. Nuk është e rastësishme që Ismail Kadare në veprën e tij ka shkruar mesazhin e qartë për popullin shqiptar në kohën e diktaturës, që pak a shumë kuptohet me këtë frazë: “Uji nga burimi del i pastër, por e ndyjnë ata poshtë”. Pra justifikonte veprën e diktatorit dhe dënonte “pashallarët e kuq”. Djallëzore ishte dhe ikja e tij mjerane në Francë për të justifikuar se gjoja ai gjurmohej nga sigurimi i shtetit- gjë që nuk është aspak e vërtetë. Ai iku sepse i tha Ramiz Alia, i cili kërkonte që kur Ismail Kadare të vinte, ta bënte President të Shqipërisë. Por nuk ndodhi ashtu sepse brerja e ndërgjegjes së Kadaresë ishte në atë kohë ekzistente. Më vonë Kadare e ktheu pllakën 180 gradë duke bërë shkrime kundër komunizmit. Ndonëse ato mund të ishin dhe janë të vërteta, të thëna nga një ish-eksponent i PPSH sado i talentuar qoftë, nuk mund ti mbushin mendjen popullit që Ismail Kadare të ishte disident. Për fat të keq, Shqipëria nuk pati disidencë si në Çekosllovaki (ish-presidenti Havel), Poloni, Rusi, Jugosllavi, por vetëm individë të veçantë si i madhi Pjetër Arbnori, i vetmi disident politik i Shqipërisë, i gjallë pas viteve `90. Hipokrizia e inteligjencës shqiptare (të emëruar nga Ramiz Alia si e tillë), e trashëguar madje deri në ditët e sotme në forma nga më të ndryshmet, si p.sh., nostalgjitë e të kaluarës, janë koncentruar në idenë që Kadare mbetet si një shkrimtar i talentuar, por që talentin e tij e përdori për ti zgjatur regjimit komunist jetën (shumë e quajnë shkrimtar oborri), të fitojë çmimin kapitalist Nobel. Por ja që kapitalistët e kuptojnë fare mirë se Kadare nuk është shkrimtari i cili duhet të fitojë këtë çmim. Përse? Sepse ai nuk ka asnjë mesazh për të dhënë: as popullit të tij dhe as botës si shkrimtarët e tjerë që e kanë marrë këtë çmim për shkak të talentit tyre, por edhe për shkak të mesazhit që ata i kanë dhënë popujve të tyre përkatës dhe botës. Kështu që as Ismail Kadare dhe as at Gjergj Fishta nuk mund të marrin dot këtë çmim, sepse nuk kanë asnjë mesazh optimist për popullin e tyre dhe as për botën përveç mesazhit nacionalist dhe racist që ata kanë shprehur në veprat e tyre të botuara. Sot shqiptarët e kanë të vështirë të kuptojnë këtë që po shkruaj dhe e kanë të vështirë të kuptojnë mungesën e interesit të Komisionit të Çmimeve Nobel për Letërsinë, për Kadarenë dhe për Fishtën. Shqipëria dhe Kosova ka plot shkrimtarë mjaft të talentuar për të dërguar vitin e ardhshëm për të pretenduar këtë çmim. Mjaft me një Kadare nacionalist dhe mjaft me panagjerizma për shkrimtarë nacionalistë që në veprat e tyre shprehin vetëm urrejtje, racizëm, nacionalizëm të verbër. Shpresojmë që tranzicioni shqiptar përfundon krahas hyrjes në BE edhe me largimin e nostalgjikëve që po errësojnë pamjen e Shqipërisë ndaj të ardhmes.
Kadare largohu, mjaft me hipokrizi dhe gënjeshtra.
Nga Pirro Prifti