Ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu deklaroi mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Politiko’ se mbi 5 mijë delegatë do t’i bashkohen nesër Kuvendit të PD të thirrur nga Sali Berisha.
Balliu tha se gjithçka do të jetë transparente, pasi delegatët janë të pajisur me një kod, i cili skanohet.
Sipas ish-deputetit, Kuvendi do finalizohet me shkarkimin e Lulzim Bashës.
“Gjerat po shkojnë në mënyrë të shkëlqyer. Nesër është ditë historike. Kemi një Kuvend të thirrur nga baza, nga ata që luftojnë në frontin e parë. Mbi 5 mijë delegatë do të jenë të pranishëm. Do të ketë transparencë të plotë. Çdo delegat është i pajisur me një kod, i cili skanohet. Lista është në një server, që del në një ekran që do shihet të gjithë. Të dhënat e çdo delegate do të jenë publike. Do publikohet edhe numri i kartës së identitetit. Gjithçka do të shihet në një ekran të madh.
Për shkarkimin e Lulzim Bashës do të bëhet votim i fshehtë. Nesër rithemelohet PD”, tha Balliu.
Por si është e mundur që dy kampet kanë deklaruar në total pjesëmarrjen e 10 mijë delegatëve, kur në fakt nuk janë as 8 mijë.
Sipas Klevis Balliut Gazment Bardhi ka abuzuar me emrat.
“Gaz Bardhi na shtensionoi pak. E falenderoj. Na ktheu buzëqeshjen. Në vetëm 20 minuta pasi ai lexoi emrin, të paktën 20 persona reaguan duke e përgënjeshtruar. Këto janë lojëra”, tha Klevis Balliu.