Vendimet që përputhen me statusin e Butrintit janë mirëmbajtja, restaurimi dhe rastet e gërmimit, shprehet profesor Gjerak Karaiskaj. Ish drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, profesor Gjerak Karaiskaj me përvojë mbi 40-vjeçare në fushën e trashëgimisë kulturore thotë se kryesore është ruajtja e parkut të Butrintit. Në intervistën për gazetën “SOT” profesor Gjerak Karaiskaj thotë se Ministria e Kulturës ka hequr dorë nga Butrinti, sepse ia ka dhënë dikujt të bëjë një gjë që ajo se bën dot kur flitet për menaxhimin. Sipas, tij nëse në bordin për Butrintin nuk ka specialistë të mirëfilltë për mirëmbajtjen dhe restaurimin, atëherë ai mund të dëmtohet. Reagimi i profesor Gjerak Karaiskajt vjen në vijim dhe të specialistëve të tjerë të fushës së trashëgimisë kulturore, që janë shprehur për planin e menaxhimit të Butrintit gjatë kësaj kohe. Qyteti antik i Butrintit u shpall për herë të parë monument kulture më 1948; më 1999 u regjistrua në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
-Marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe një fondacioni të posaçëm i ngritur për parkun kombëtar të Butrintit ka shkaktuar shumë reagime. Çfarë mund të thoni rreth planit të menaxhimit të parkut kombëtar të Butrintit?
Ajo që më shqetëson mua është jo si do menaxhohet, por si do ruhet Butrinti, se menaxhim është një fjalë tjetër. Tjetër është menaxhimi dhe tjetër është ruajtja. Menaxhim ka kuptim të nxjerrim para nga Butrintit. Kurse ruajtja e Butrintit është tjetër problem. Nëse në bordin për Butrintin dhe nuk e di çfarë mund të ketë të tjerë atje nuk ka specialistë të mirëfilltë për mirëmbajtjen dhe restaurimin, atëherë ai mund të dëmtohet. Butrinti është një monument kompleks, ka arkitekturë, por ka shumë pak vend për të gërmuar, sepse është gërmuar dhe nuk mund të gërmohet deri sa të transformohet në një mënyrë që të hiqet nga lista. Kështu që atë dëshirën e madhe të arkeologjisë, që nuk e di çfarë do të zbulojnë, duhet të mbahet parasysh. Pra vende për gërmimin kanë ngelur shumë pak në parkun e Butrintit, sepse është shpallur si pasuri botërore për kompleksitetin e vet. Për natyrën, bimësinë, për arkeologjinë, për vazhdimësinë që fillon që nga prehistoria…, e për shumë faktorë, dhe nëse nuk merret parasysh njëri nga këto faktorë atëherë do të ç’ekuilibrohet e gjithë vlera e këtij monumenti.
-Flitet për plan menaxhimit, por për ju si specialist i fushës së trashëgimisë kulturore kryesore është ruajtja e Butrintit…
Për mua kryesore është ruajtja e parkut kombëtar të Butrintit. Ai nuk është shpallur për të bërë tregti, është shpallur për të ruajtur.
-Si specialist i fushës së trashëgimisë me këto probleme që janë sot në monumentet e kulturës, a jeni thirrur në konsultime me specialistë nga Ministria e Kulturës?
Mua nuk më kanë thirrur fare. Nuk ka nevojë për specialistë, por ky është problemi kryesor. Ashtu janë ata. Po të shikosh dhe bordin për Butrintin nuk ka asnjë specialist.
-Më parë ministrja e Kulturës ka shprehur se bordi i Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit përbëhet nga 5 anëtarë, ku i pesti për paanshmërinë e bordit. 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës e 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë, që do të sigurojë paanshmërinë e këtij bordi vendimmarrës që është një ekspert i huaj. Organi më i lartë vendimmarrës i fondacionit është bordi, i cili përbëhet nga 5 anëtarë. Si e shikoni këtë bord?
Janë pesë veta në bord. Vendimet kryesore që përputhen me statusin e Butrintit janë mirëmbajtja, restaurimi dhe rastet e gërmimit. Ato tregtirat e tjera nuk më duken se kanë lidhje, se nuk është futur për të bërë tregti aty. Nga këto janë pesë veta, por cili është specialist. Vetëm Richard Hodges, që ky mund të futet tek specialistët nga ana e arkeologjisë. Por gjithë të tjerët më pas janë politikanë dhe nuk kanë lidhje me trashëgiminë kulturore. E përsëris parësore është ruajtja e parkut kombëtar të Butrintit.
-Me problemet që janë diskutuar gjatë kësaj kohe, si e shikoni rolin që ka Ministria e Kulturës për parkun e Butrintit?
Këto janë gjëra ligjore, e ka një i huaj apo e ka shqiptari, ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, dhjetë vjet janë shumë. Mund të ishte një periudhë prove prej pesë vitesh. Ka shumë gjëra që dalin pikëpyetje. Përshembull ai nxjerr 1 apo 2 milionë euro nga biletat, ato janë shumë për mirëmbajtjen e Butrintit. Edhe nëse do të bësh ndonjë gërmim, që shumë pak vende ka mjaftojnë. Problemi është që me këto para të restaurohen monumentet e të gjithë zonës dhe jo vetëm të Butrintit. Se po të qe vetëm për Butrintin nuk ia vlen. Por unë dëgjova dhe diçka, që do të investohen 5 milionë euro? Çfarë është ky investim? Butrinti nuk është fabrikë, investimet bëhen në fabrika. Si mund të investohet nuk është e qartë? Çfarë kuptimi ka? Çfarë do të investosh? Të paktën në drejtim të kësaj, të asaj, duhet një term se mund të quhet investim dhe një hotel, por nuk ka lidhje me Butrintin. Kjo duhet të jetë e qartë nga të dyja palët, jo vetëm nga njëra palë.
-Me problemet që ju pohuat në fushën e trashëgimisë kulturore, sa janë këto pasoja nga ligji “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” i miratuar në 2018 ?
Ligji vazhdimisht ndryshon. Nuk e di çfarë ndryshimesh kanë bërë. Por aty është dhe një problem tjetër shumë i madh. Bordi është organi vendimmarrës më i lartë. Restaurimet si do bëhen atje, do bëhen me tendera? Bordi është për të përcaktuar tenderat dhe fituesit. A e dini ju se sa licensa për restaurim ka nga njerëz, që nuk e kanë idenë fare të restaurimit? Studio grafike që bëjnë projekte. Një nga mënyrat ose shkaqet e dëmtimit të një monumenti është dhe ndërhyrja pa kriter. Dëmtime në monumente të kulturës ka pasur. Dhe kjo përfshihet në atë që thashë dhe më parë, që në Ministri të Kulturës nuk kanë nevojë për specialistë. Mjafton të jenë njerëz besnikë, etj. Themi ne që ka nevojë për specialistë, por ata që e kanë në dorë thonë nuk ka nevojë, ose e emërojnë e specialistin. Filloje punën se të ndihmon partia, kështu thonin atëherë në kohën e Enverit. Dilte ndonjë që thoshte nuk di ta bëj këtë detyrë, i thonin filloje se të ndihmon partia.
-Në rast se mund të ketë ndërtime, struktura të reja brenda parkut, sa mund të jetë problem?
Varet se për çfarë janë. Por nuk ke pse të përdorësh përshembull biletat e parkut të Butrintit për të bërë këto ndërtime të reja. Ta zëmë e kanë zvogëluar, do të bëjnë dhe një ndërtim për turizmin, por se kam të qartë se nuk e di. Por nuk është detyra e Butrintit, që nga të ardhurat e Butrintit të ndërtojë ndërtesa të tjera që nuk kanë lidhje me mirëmbajtjen e tij. Siç u shpreha më parë duhet të sqarohet, çfarë kuptim ka fjala investim? Unë investim e di në fabrika, qendra të banuara, ndërtime rrugësh, etj. Kjo është diçka që duhet sqaruar.
-Për ju sa ka përgjegjësi Ministria e Kulturës për çfarë po ndodh me parkun e Butrintit?
Kjo është e qartë, nëse ti heq dorë nga një monument kulture domethënë tregon që nuk e menaxhon dot, dhe ia jep një të huaji ta menaxhojë. Si është menaxhuar Butrinti kaq vite para 1990? Kishte një skuadër aty që e mirëmbante, punëtorë të përhershëm. Projektet bëheshin nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, zbatoheshin nga IMK dhe nuk kishte as fitime atëherë se ishte pa bileta fare, jo tani që është shumë më e thjeshtë. Nuk është ndonjë mburrje, që të thuash unë po heq dorë se nuk e bëj dot.
-Marrëveshja për administrimin e pasurisë kulturore të nënzonës së trashëgimisë dhe peizazhit kulturor të parkut kombëtar të Butrintit, lidhet ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin Butrintit. Sipas jush ministria ka hequr dorë me çfarë po ndodh me Butrintin?
Patjetër që ka hequr dorë, sepse ti ia jep një tjetri të bëjë një gjë që se bën dot. Këtu nuk është çështja për fonde, sepse fondet i ka vetë Butrinti. Tani pse ka hequr dorë Ministria e Kulturës nga Butrinti, çfarë ka mbrapa kësaj do parë. Ajo që në bord janë politikanë dhe nuk ka specialistë të lë të dyshosh.
Intervistoi: Julia Vrapi