Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi një seancë të gjatë këtë të enjte, teksa në mbledhjen e grupit parlamentar kërkoi dje mobilizim. Kosova duket se do të jetë në krye të porosive të Sali Berishës. Teksa ripërsëriti akuzat ndaj Ramës si argat i Vuçiçit, ai përgëzoi Albin Kurtin për refuzimin që i bëri takimit me Kryeministrin shqiptar.“PD përgëzon refuzimin nga autoritetet e Kosovës për të diskutuar me Edi Ramën projektin e Vuçiçit, njësoj siç bëri me hartat e ndarjes së Kosovës”, tha ai. Mobilizim të veçantë Berisha kërkoi për Denar Bibën, kreun e Autoritetit të Konkurrencës, i cili do të raportojë para ligjvënësve.“Nesër vjen para jush Denar Biba. Ky është një njeri që e vunë në krye të prokurimeve. Ky vendin e ka vetëm në burg. Ky e ka asgjësuar këtë autoritet. Edhe këtu nuk duhet të kurseheni?”, tha Berisha. Porosi për deputetët e tij, Berisha e kishte për diskutime të forta edhe për raportin e Departamentit të Administratës publike. “Ky shërbim ka marrë fund. Punonjësit e administratës u shndërruan në një polici politike terrorizuese për qytetarët. Kërcënonin se do të bëjmë copa-copa po nuk votove për ne”, vijoi ai. Aferë të tmerrshme e cilësoi ish Kryeministri marrëveshjen për menaxhimin e Parkut të Butrintit, që do të shqyrtohet të enjten në Gjykatën Kushtetuese. Berisha akuzoi për përfshirje edhe amerikanët. “Aferë të tmerrshme në të cilën shkatërrohet Parku Kombëtar i Butrintit, mafia shqiptare merr 800 hektarë. E tëra sipas një projekti të paramenduar në këtë mënyrë dhe për fatin më të keq i implikuar këtu fund e krye është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan”, nënvizoi Berisha.