Laku sa vjen dhe po ngushtohet për kryeministrin Edi Rama pasi po afron data e gjyqit të 16 shkurtit, për ish-agjentin e korruptuar të FBI McGonigal, i cili mund të sjellë surpriza për të. Dosja “McGonigal” është shndërruar në një fortunal, ku në qendër të këtij fenomeni është vënë kreu i kësaj qeverie. Nëse do i referohemi dosjes hetimore të agjentit të FBI, Rama shfaqet qartë se ka një lidhje të fortë me të dhe personat që kanë qenë ndërmjetësit e tij. Takimet e shpeshta të një kryeministri me një personazh që nuk ka asnjë lidhje me politikën shqiptare, ekzekutivin apo me çfarëdolloj institucioni që i përket këtij shteti, janë një pikë e errët për një personazh që drejton shtetin shqiptar, i cili e fut drejtimin e shtetit në hulli spiunësh, personazhesh të dyshimtë apo dhe pazaresh të rëndomta. Se ç’farë ka ndodhur, ç’farë kanë thurur, apo në ç’farë aferash janë zhytur këtë mund ta tregojë spiuni McGonigal në datën 16 shkurt. Faktet dhe provat sa vijnë dhe shtohen. Në një raport prej 156 faqesh të quajtur “Shtëpia e Bardhë në shitje” që u prodhua nga zyrtarë të Partisë Demokratike të SHBA në Komitetin Mbikëqyrës të Dhomës së Kongresit ( stafi i Jamie Raskin), ofron prova konkrete se, qeveria Rama ka fjetur në hotelin e Trump në SHBA, për rreth 6 mijë dollarë, për datat e janarit, marsit dhe qershorit 2018, me Agron Neza, informator i FBI dhe Charles Mcgonigal. Raportohet se “në netët e 3 dhe 4 marsit 2018, në hotelin Trump International në Uashington, D.C., ka qëndruar kryeministri shqiptar Edi Rama së bashku me dy këshilltarë. Hetuesit e FBI kanë pretenduar se më 4 mars, zoti Rama darkoi me Charles McGonigal, një ish-Shefi i kundërzbulimit të FBI-së dhe Agron Neza, një biznesmen nga Neë Jersey i cili më parë ka punuar në një agjenci të inteligjencës shqiptare. Takimi ishte për të goditur rivalin e Edi Ramës në Tiranë, Lulzim Basha. Agron Neza fjeti në të njëjtin kat me këshilltarët e qeverisë Rama”.
Zbardhet raporti
Sipas raportit që disponon Birn, në janar dhe mars të vitit 2018, këshilltarët e Ramës, Dorjan Duçka, Endri Fuga dhe Keisi Seferi shpenzuan secili mbi 1,000 USD. Vetë Rama shpenzoi 1,158 USD gjatë një vizite në mars 2018. Gjithashtu, Damian Gjiknuri, atëherë ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, shpenzoi për një qëndrim prej 1,025 USD në qershor 2018. Shpenzimet përkojnë me një periudhë të trazuar në politikën shqiptare që erdhi pas zgjedhjes në detyrë të presidentit Trump. Në atë kohë, Partia Demokratike e Shqipërisë në opozitë, e udhëhequr nga Lulzim Basha ndërmori një fushatë që përkonte me retorikën e Trump [Bëjeni Shqipërinë të madhe sërish] dhe i akuzoi socialistët me në krye Edi Ramën për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Zgjedhjet e vitit 2017 në Shqipëri u karakterizuan nga bojkotet, protestat dhe akuzat për manipulim të votave. Sipas raportit, përplasja politike lokale në Tiranë u transferua në një përpjekje përtej oqeanit nga PD dhe PS për të influencuar administratën Trump nëpërmjet lobimit. Partia Socialiste e Ramës punësoi lobistin Brian Ballard, një mbledhës fondesh i shquar për Trump dhe lobist në Uashington, kundrejt një tarife prej për 20 mijë USD në muaj. Rivali i tij politik, Basha, angazhoi Nicholas Muzin, një ish-ndihmës i Senatorit Ted Cruz dhe këshilltar i fushatës së Trump. Nëpërmjet lobisitit Nicholas Muzin, kreu i Partisë Demokratike Luzlim Basha arriti të siguronte një foto me Donald Trump dhe e përdori atë gjerësisht në fushatën për zgjedhjet parlamentare ne vitin 2017, ku ai rezultoi i pasukseshëm. “Fakti që politikanët e huaj mund të marrin një takim, të bëjnë një shtrëngim duarsh dhe të bëjnë një foto që shpërndahet gjerësisht në vendin e tyre – kjo është me shumë vlerë për ta,” vlerëson raporti, duke cituar një lobist amerikan. “Ata do të bënin pothuajse çdo gjë për ta arritur këtë.” Sipas raporti të Komitetit të Mbikëqyrjes dhe Llogaridhënies, qëndrimi i kryeministrit Edi Rama në hotelin e Trump në Uashington me datë 3 dhe 4 mars 2018, lidhet me një takim me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, ndaj të cilit u ngritën akuza nga prokurorë Federalë për mosdeklarimin e marrëdhënies me Ramën dhe oligarkun rus, Oleg Deripaska.
Prapaskenat
Gjithashtu, McGonigal akuzohet se përfitoi qindra mijë dollarë në cash nga një biznesmen shqiptaro-amerikan nga Nju Xhersi, Agron Neza, i lidhur me këshilltarin e Edi Ramës, Dorian Duçka. “Departamenti i Drejtësisë në SHBA përcaktoi se zoti McGonigal kishte udhëtuar më parë në Shqipëri për të takuar zotin Rama disa herë dhe, deri në takimin e 4 marsit, zoti McGonigal kishte marrë 225 mijë USD në pagesa cash nga zoti Neza,” shkruan raporti. “Gjithashtu, pretendohet se zoti McGonigal kishte kaluar informacione potencialisht dëmtuese rreth zotit Muzin lobisti amerikan për kundërshtarin kryesor të zotit Rama nga zyra e zotit Rama tek zyrtarë të tjerët në SHBA,” shton raporti. Sipas prokurorëve federalë në SHBA, Edi Rama ka darkuar me Charles McGonigal dhe Agron Nezën me 4 mars 2018 në hotelin Trump në Uashington. McGonigal është deklaruar fajtor për fshehjen e aktivitetit të tij në favor të kryeministrit shqiptar. Kryeministri Edi Rama zgjodhi ta frekuentonte hotelin ndërkombëtar Trump në Uashington, gjatë vizitës së tij në Mars 2018. Gjatë dy netëve, Rama dhe ndihmësit e tij shpenzuan 3,474 USD në hotel. Ata qëndruan në të njëjtin kat me Agron Nezën. Nuk ka asnjë të dhënë që McGonigal të ketë qëndruar në Hotelin Ndërkombëtar Trump gjatë kësaj periudhe. Ndërsa, Dorjan Duçka, një tjetër këshilltar i Ramës i përfolur në çështjen McGonigal, rezervoi katër dhoma gjatë dy netëve në Hotelin Ndërkombëtar Trump në Uashington, më 18 dhe 19 Janar 2018, me një kosto prej 1,503 USD. Të dhënat e siguruara nga kongresmenët e SHBA, tregojnë gjithashtu se ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, ka qëndruar gjithashtu në Hotelin Ndërkombëtar Trump në Uashington nga 24 qershor deri më 26 qershor 2018, duke shpenzuar 1,025.66 USD. Përveç qeveritarëve shqiptarë, edhe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe këshilltarët e tij kanë shpenzuar gati 5 mijë USD në Hotelin Ndërkombëtar Trump në Uashington.