Opozitari serb, Nikolla Sanduloviq, u lirua këtë javë nga paraburgimi dhe vajza e tij ka zbuluar se është po aq i rënduar nga shëndeti si në fillim të janarit, kur ai u arrestua.
Kreu i Partisë Republikane u ndalua pak orë pasi postoi një video të vjetër të tijën duke bërë homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz, në kujtim të të vrarëve gjatë luftës në Kosovë.
Pas ndalimit, familjarët e tij kanë deklaruar se ai është dhunuar nga shërbimi sekret serb.
Në një prononcim e bija e Sanduloviq u shpreh se ai rrezikonte jetën po të mbahej më tej në burg.
“Gjendja e tij shëndetësore është ende kritike, ka dhimbje, ende nuk mund të lëvizë anën e djathtë të trupit, por mund të komunikojë. Për momentin ndodhet në kujdes shtëpiak, sepse nuk është në formë për të lëvizur nga shtëpia drejt qendrës shëndetësore.
Dua të falënderoj këdo nga komuniteti ndërkombëtar, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, Komisionin Europian, që folën për këtë çështje dhe na dhanë përkrahje,” tha e bija e politikanit serb, Klara Sanduloviq.
Sipas saj, mbajtja e të atit në burgun qendror në Beograd ka qenë një lehtësi për familjen, edhe pse prokurori i Nishit kishte kërkuar që të transferohej në burgun lokal, “ku edhe mund të vritej”.
Autoritetet serbe i kanë refuzuar deklaratat e familjarëve për keqtrajtimin e z. Sanduloviq.
“E dini që kjo nuk ndryshon ndonjë gjë. Ata mund të thonë ç’të duan, por ka prova, dëshmitarë, shumë akuza dhe thëniet e organizatave të ndryshme. Çdo gjë që thuhet në këto momente nuk qëndron dhe do të ishte keq për qeverinë të fliste ndryshe.
Kjo është çështje e rëndësishme për rajonin dhe nuk duhet marrë parasysh vetëm pse ai është im atë. Është e nevojshme ndërhyrja e organizatave të të drejtave të njeriut. Duhet të jemi të përgjegjshëm dhe llogaridhënës që krime të tilla të mos përsëriten,” u shpreh znjsh. Sanduloviq.