Me afrimin e ditëve të Europianit situata nis të marrë vlerë edhe në radhët e Kombëtares tonë, e cila për herë të dytë në historinë e saj merr pjesë në një eveniment të tillë të futbollit europian. Padyshim që trajneri Silvinjo e ka të qartë strategjinë e tij që do të ndjekë gjatë ndeshjeve në grup dhe misionin e tij për të bërë jo thjesht një performancë të mirë, por pse jo për të përmbushur ëndrrën e kualifikimit. Për ta përmbushur këtë ëndërr duhet të kesh një grup lojtarësh në formë dhe trajneri ka nisur prej ditësh monitorimet, duke ndjekur ecurinë e lojtarëve të tij dhe duke dhënë edhe udhëzime. Ndërkohë, duhet pranuar se në Itali luan kontigjenti më i rëndësishëm i lojtarëve të Kombëtares, titullarë dhe më cilësorët. Tek ky kontigjent do të bazohet kryesisht Silvinjo. Forma e tyre në këtë moment duket e mirë, sidomos Asllani, Bajrami e Hysaj, por së fundmi ka shqetësuar disi Ramadani, për shkak dëmtimi. Por nuk besohet e gjendja e tij të ndikojë për në Europian. Nga ana tjetër, në Serie A të rëndësishëm janë edhe Berisha, Ismajli, Kumbulla, Kastrati, e padyshim edhe kapiteni Gjimshiti që po bën një sezon madhështor me Atalantën e tij, gjendur në gjysmëfinale të Ligës së Europës.
Gjendja e Ramadanit pa pasoja për Europianit
Klasifikimi i përgjithshëm ka filluar t’i buzëqeshë Leçes pas fitores së pastër të arritur në fushën e Sasuolos, mirëpo situata në ekipin puljez nuk është aq e qetë sa u përket mungesave. Përmes një shënimi të shkurtër, zyra e shtypit e klubit të Leçes ka bërë të ditur se futbollisti shqiptar, “Ylber Ramadani, është i padisponueshëm për ndeshjen e së shtunës. Ditët e fundit atij i është shfaqur një infeksion në qafë, që i ka shkaktuar vështirësi në frymëmarrje. Mesfushori iu nënshtrua menjëherë testeve dhe terapive të specializuara që e ndihmuan të shmangte operacionin. Deri më sot ai e ka kapërcyer fazën akute dhe së shpejti do të jetë në dispozicion të trajnerit Goti. Më tej, anësori ofensiv Banda, i cili vuan nga dhimbjet e gjurit të djathtë, sot do t’i nënshtrohet një operacioni në Peruxhia, të cilin do ta kryejë profesor Cerulli”, Ramadani konsiderohet lojtar kyç në formacionin e Leçes, teksa gjatë sezonit aktual është aktivizuar në 30 ndeshje të Serisë A, në të gjithë si titullar, si dhe ka shënuar një gol, atë të fitores 2-1 përballë Frozinones me 16 dhjetor.
Asllani komenton festën e fitores në derbi
Në festën e titullit të zikaltërve, që njëkohësisht shënon edhe qepjen e yllit të dytë në fanellë nuk mund të mungonte Kristjan Asllani, që ka peshën e tij, gjithsesi, në këtë arritje të madhe të Interit. Si futbollist, por edhe si tifozët i zikaltërve, futbollisti i Kombëtares Shqiptare po përjeton një moment magjik. “Jemi shumë të lumtur, nuk ka fjalë që e përshkruan. Si tifoz i Interit, nuk mund të kërkoja asgjë më të mirë. Jemi të lumtur, edhe sot ishim larg shtëpisë, por kishte shumë tifozë. Ndoshta ende nuk e kam kuptuar që e kemi fituar këtë kampionat, do të shohim nesër në mëngjes”. Fitorja në derbi ndoshta ka edhe më shumë rëndësi. Ne e donim “skudeton”, ia dolëm. Tani le të vazhdojmë”, deklaroi Asllani.