Klubet në Shqipëri nuk kanë një status të paqartë. Në shumicën e kategorive inferiore klubet mbahen me paratë e bashkive, pra me rroga shtetërore, ndërkohë që në Superligë ka menaxhim me anë të presidentëve, por këta të fundit shpesh abuzojnë dhe niveli futbollistik lë për të dëshiruar. Këtë e dëshmon më mirë edhe fakti se nga kampionati shqiptar nuk ka asnjë lojtar në radhët e ekipit përfaqësues, aq më pak në formacionin titullar. Ndërkohë, problemet me pagesat janë të përhershme, më të shprehura në klubet e rretheve. Por janë konstatuar probleme edhe në kryeqytet. Tirana ka prej kohësh në krizë të brendshme, por media të caktuara dje qarkuan edhe emrin e Vllaznisë si klub që s’ka shlyer detyrimet dhe për këtë FIFA dhe UEFA e kishin futur në rreth dhe klube të tilla rrezikojnë të mos pranohen në garat e UEFA-s për sezonin e ri. Referuar këtyre informacioneve, në listë është edhe Dinamo City. Siç shihet, nuk është mbyllur ende sezoni 2023-2024, por problemet në klubet shqiptare janë evidente me gjyqet e humbura në FIFA. Nëse për Tiranën nuk përbën më lajm fakti që e ka merkaton e bllokuar, pasi thuajse në çdo sesion gjatë viteve të fundit ka pasur një problematikë të tillë, tashmë listës i janë shtuar edhe dy klube të tjera. Mediat sportive zbulojnë nga sistemi zyrtar i regjistrimeve të futbollistëve në FIFA, se për momentin janë të bllokuara përveç Tiranës, edhe Dinamo e Vllaznia. Në fakt, të dyja këto skuadra janë futur në sistem vetëm në muajt e fundit, pasi kanë pasur çështje të hapur në FIFA me lojtarë që kanë pasur në përbërje në vitet e kaluara dhe ka humbur gjyqet. FIFA ka marrë vendim të formës së presë, ndërsa klubi blu dhe ai shkodran, po negociojnë për të arritur një marrëveshje, në mënyrë që me hapjen e merkatos së verës, të mos ketë asnjë problem për të regjistruar lojtarë të rinj. Më e komplikuar është çështja e Tiranës, që prej dy sesionesh qëndron e bllokuar prej borxheve ndaj ish-futbollistëve.
Reagimi i Vllaznisë
Klubi i Vllaznisë ka reaguar këtë të martë pas lajmeve të përhapura së fundmi për një bllokim të mundshëm të merkatos. Në deklaratën e lëshuar në kanalet zyrtare theksohet se nuk ka asnjë çështje të ndonjë lojtari, si dhe nuk ka asnjë vendim në fuqi të organeve të drejtësisë sportive që imponojnë bllokimin e merkatos së KF Vllaznia. “Klubi i Futbollit Vllaznia është informuar sot në lidhje me disa lajme të përhapura në disa media për bllokimin e merkatos të saj. KF Vllaznia sqaron opinionin publik me përgjegjësi të plotë se nuk ka asnjë çështje të asnjë lojtari që është apo ka qenë në marrëdhënie kontraktuale, si dhe nuk ka asnjë vendim në fuqi të organeve të drejtësisë sportive që imponojnë bllokimin e merkatos së KF Vllaznia. Këtë gjë e tregon më së miri edhe fotoja bashkëngjitur, që tregon sistemin e transferimit të futbollistëve, ku nuk ka asnjë penalitet për KF Vllaznia. Duke qenë të ndërgjegjshëm se lufta për arritjen e objektivave sportive nuk zhvillohet vetëm në fushën e blertë, garantojmë sportdashësit tonë të zjarrtë, kudo ndodhen, se me përkushtim dhe profesionalizëm jemi të vendosur të përballemi me dinjitet ndaj çdo sfide!”, shkruhet në njoftimin e klubit shkodran.