Kampionati shqiptar po luan javët e fundit të tij për këtë sezon. Egnatia vijon të mbajë kryesimin me 60 pikë, por humbja e saj në xhiron e 34-t dhe fitorja që korrën Partizani dhe Vllaznia, e kanë ngushtuar diferencën e rrogozhinasve me ndjekësit dhe gara për titull mbetet e hapur dhe që mund të sjellë edhe të papritura në fazën finale të saj, ose më saktë në “Final Four”. Egnatia ka 60 pikë, në vend të parë, kurse në vend të dytë është Vllaznia me 58 pikë, e në vend të tretë është Partizani me 57 pikë. Kur mbeten edhe dy xhiro nga fundi i garës së rregullt, tri vendet e para të kampionatit e kanë siguruar fazën “play-off”, ndaj mbetet të mësohet emri i skuadrës së katërt që do të kompletojë “Final Four”. Natyrisht, Egnatia mbetet ende skuadra favorite, nisur nga cilësia e grupit, por me humbjen e fundit ndaj Teutës, skuadra rrogozhinase ndihet e kërcënuar, pasi Partizani fitoi 1-0 ndaj Skënderbeut, ndërsa Vllaznia mundi Dinamon 1-0. Ndaj, kur mbeten edhe dy xhiro nga fundi, gara për titullin në Superiore mbetet e hapur tërësisht. Sa i takon vendit të katërt që do të marrë pjesë në “Final Four”, rivaliteti deri në fund do të jetë mes tri skuadrave, Dinamos, Skënderbeut dhe Tiranës, që kanë momentalisht 47, 47 dhe 46 pikë respektivisht. Siç shihet, pozicioni i skuadrave dhe pretendimet e tyre, e bëjnë garën sa interesante aq dhe rivalizuese. Mbetet të shihen dy xhirot e fundit çfarë do të prodhojnë, por verdiktet e para janë dhënë, pasi Kukësi dhe Erzeni, dy ekipet e fundit në tabelën e renditjes, kanë rënë nga kategoria tashmë.
Tri skuadra në garë për titull edhe në Kosovë
Në Kosovë kampionati po shkon drejt fundit, mbeten dhe katër xhiro, por gara për titull mbetet e hapur. Ballkani, Llapi dhe Drita nuk gabojnë në ndeshjet e javës së 32 në elitën e Kosovës, duke lënë llogaritë tërësisht të hapura kur kanë mbetur edhe katër javë nga fundi i kampionatit. Kështu, skuadra kampione në fuqi, Ballkani fitoi në shtëpi ndaj Dukagjinit me rezultatin e pastër 3-0. Golat për suharekasit u shënuan nga Emerllahu dhe Kuc në pjesën e parë, ndërsa në të dytën, Gripshi realizoi në të 96-tën. Pas kësaj fitoreje, Ballkani mban vendin e parë me 66 pikë, dy më shumë se Llapi ndjekës, teksa Dukagjini mbetet me 39 pikë në vend të gjashtë. Llapi fitoi 3-2 me Feronikelin, por vuajti jo pak pasi vendasit e panë veten në disavantazh. Megjithatë, ia dolën të fitonin falë golit të Hysenit në minutën e 51, që rezultoi edhe si goli vendimtar i sfidës. Kështu, Llapi mbetet i dyti me 64 pikë, dy më pak se Ballkani kryesues ndërsa nga ana tjetër, Feronikeli mban vendin e tetë me 34 pikë. Po ashtu edhe Drita nuk gaboi në shtëpi duke mposhtur me rezultatin 3-1, Fushë-Kosovën. Skuadra nga Gjilani renditet në vendin e tretë me 62 pikë, gjithashtu në garë për titullin. Sakaq, Fushë-Kosova mbetet në vendin e nëntë me 20 pikë. Në ndeshjet e tjera, Prishtina mposhti 0-1 në transfertë Lirinë ndërsa Malisheva me Gjilanin u mbyll në barazim 0-0.