Në kampionatin turk luan një kontigjent i rëndësishëm lojtarësh shqiptarë, të cilët po paraqiten mirë dhe një pjesë madje kanë rol titullari e lideri në skuadrat ku aktivizohen. Ky kontigjent ka ardhur vazhdimisht në rritje dhe është fakt se sot në kampionatin turk luajnë disa elementë cilësorë që kanë detyruar edhe trajnerin e Kombëtares, brazilianin Silvinjo, të udhëtojë për atje e të shohë disa prej lojtarëve, duke i kontaktuar dhe mësuar rreth vizionit të tyre për lojën. Natyrisht, atje ka elementë të tillë si Cikalleshi, Muçi, Manaj, Roshi e ndonjë tjetër që e bëjnë detyrim shqyrtimin e potencialit të tyre dhe mendohet se të paktën tre lojtarë nga ky kontigjent i madh do të ftohen në Europian.
Muçi vendimtar për suksesin e Beshiktashit në Kupën e Turqisë
Ernest Muçi vendimtar për Beshiktashin në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Turqisë kundër Ankaraguçusë, që u zhvillua në “Tupras Stadium” të Stambollit (ndeshja e parë ka përfunduar në barazim pa gola). Sulmuesi i Kombëtares Kuqezi e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 71-të, duke përfituar nga një gabim i mbrojtjes. Beshiktashi nuk pësoi në minutat e mbetura dhe u kualifikua në finale Kupës. Si Muçi ashtu dhe Rashica janë aktivizuar si titullarë në këtë takim shumë të rëndësishëm për Beshiktashin, që ka shansin e artë për ta mbyllur sezonin me trofe, teksa në finale do të përballet me fituesin e çiftit Trabzonspor-Karagumruk. Pas ndeshjes, Muçi dha një intervistë për mediat turke, ndërkohë që bashkëshoqërohej në këtë intervistë edhe nga lojtari tjetër shqiptar që është pjesë e Beshiktashit, Milot Rashica. Duhet thënë se të dy patën rol në fitoren e Beshiktashit dhe në kalimin e skuadrës së tyre në finalen e madhe të kupës turke. Kujtojmë që të dy lojtarët shqiptarë kanë bërë një sezon përgjithësisht pozitiv dhe kjo vlen sidomos për Muçin, që ka pak muaj që ka mbërritur në radhët e klubit turk të Stambollit (nga merkato e verës, ku u transferua nga Legia e Varshavës në gjirin e Beshiktashit).
Kombëtarja, shans të luajë në Europian
Golat e shumtë që ka shënuar në kampionatin turk dhe asistent, por mbi të gjitha loja e mirë dhe me minuta të konsiderueshme në këmbë, kanë bindur që Muçi mund të marrë ftesë në mënyrë të padiskutueshme nga trajneri Silvinjo, e pse jo të aktivizohet në Europian. Në kushtet kur Armando Broja nuk ka minuta sa duhet dhe është në pikëpyetje ftesa për të, duket e Muçi do të jetë një zgjidhje e detyruar për trajnerin Silvinjo, për më tepër që edhe Uzuni sapo është kthyer nga një dëmtim dhe Cikalleshi është më veteran sesa kërkohet në një Kampionat Europian. Së pari Muçi duhet të marrë ftesë nga Silvinjo, e më pas të mendojë për rol titullari. Nisur nga miqësoret e fundit që zhvilloi Kombëtarja në mars, në ndeshjen ku u aktivizuan Muçi e Broja, pra me Suedinë, pati më shumë cilësi në lojë, ndaj besohet se Silvinjo i ka mbajtur shënim këto ndodhi dhe performanca, për të parë gjendjen e grupit dhe mundësitë që Shqipëria të paraqitet sa më mirë në finalet e Kampionatit Europian Gjermani-2024, aktivitet që nis më 14 qershor e mbaron më 15 korrik.