Java e 35-të e Kategorisë Superiore, e zhvilluar dje pasdite, dhuroi emocione të forta, por edhe rezultate surprizë, megjithatë, pa cenuar rëndë objektivat e disa skuadrave pretendente. Mund të thuhet se ekipet që dolën të humbura dje ishin Tirana dhe Vllaznia, që barazuan së bashku e morën nga një pikë secila, por ky rezultat rezultoi si një humbje për ta dhe për objektivat që kishin. Kurse Egnatia edhe me 10 vetë në fushë ia del sërish të fitojë dhe të mbajë të paprekur kryesimin, duke marrë edhe shpërblimin e fituesit të garës, pasi siguron matematikisht kreun, pavarësisht se për të fituar titullin do t’i duhet të fitojë edhe ndeshjet e “play-off”-it, ose siç njihet formula e re e garës, “Final Four”. Një fitore me vlerë korri edhe Partizani, 1-0 ndaj Kukësit, një trepikësh që e mban në garë për titullin këtë sezon.
Rezultatet dhe situata në tabelë
Teuta prek “Final Four”-in e titullit kampion. Durrsakët vijojnë të kalojnë një moment të shkëlqyer, duke siguruar matematikisht mbijetesën dhe duke e parë veten një pikë larg vendit të katërt. Skuadra e Edi Martinit triumfoi me rezultatin 0-3 në transfertën ndaj Erzenit të rënë tashmë në Kategorinë e parë dhe u ngjit përkohësisht në vendin e katërt me 47 pikë, po aq sa kanë edhe Tirana, Skënderbeu e Dinamo. Bardheblutë nuk shkuan dot përtej barazimit pa gola në klasiken e futbollit shqiptar ndaj Vllaznisë në “Air Albania”, ndonëse në pjesën e dytë patën 2-3 mundësi të arta për të shënuar golin e fitores. Nga ana tjetër Dinamo u mposht në shtëpi nga Egnatia me rezultatet minimale 0-1. Po me shifrat 0-1 triumfoi edhe Partizani në Kukës, duke u ngjitur në vendin e dytë të renditjes me një pikë më shumë se Vllaznia. Vlen të theksohet se me suksesin e sotëm ndaj Dinamos, Egnatia ka mbyllur sezonin e rregullt në vendin e parë, pasi askush nuk mund ta parakalojë, me rrogozhinasit që do të shpërblehen me 100 mln lekë dhe do të garojnë për titull në “Final 4”. Një barazim në shtesë ndaj Laçit, ngiti Skënderbeun të vetëm në vendin e katërt, me 48 pikë, ndërsa kurbinasit janë matematikisht në “Play Out”-in e titullit kampion. Java e fundit e Kategorisë Superiore do të zhvillohet të shtunën, me Teutën, Tiranën, Dinamon e Skënderbeun, që do të duelojnë për të përcaktuar të katërtën e Final 4 për titullin kampion.
Java e fundit
Ndeshjet e javës së 36-të e Kategorisë Superiore do të kthehen menjëherë të shtunën, për t’i vendosur kapakun sfidave të sezonit të rregullt e dekretuar katërshen e fundit për “Final Four”. Enigma e madhe është vetëm për biletën e katërt mes skuadrave që do të luftojnë për trofeun dhe do të ketë përballje shumë interesante dhe të zjarrta, mes të cilave edhe ndeshje direkte për atë pozicion. Sipas rregullores të aktivitetit, të gjitha ndeshjet do të luhen në të njëjtën kohë, të shtunën në orën 16:00, për të mos lejuar avantazhimin e një skuadre apo tjetrës.