Merkato është në prag dhe klubet po nisin lëvizjet e tyre në treg, me shpresën se do të gjejnë elementët e dëshiruar për sezonin e ardhshëm. Nuk ka vetëm lëvizje lojtarësh, por edhe trajnerësh. Madje ka lëvizje edhe atje ku ishte thënë se nuk do të kishte ndryshime, sikurse po ndodh me klubin e Barcelonës, më saktë me pankinën e këtij klubi. Mediat aludojnë se trajneri Ksavi do të largohet e do të vijë Rafa Markez, por ndryshime në pankinë të sigurt do të ketë te Liverpuli, pasi Jurgen Klop e mbylli ciklin e tij në krye të skuadrës së kuqe. Por nuk po largohet vetëm trajneri gjerman, pasi mediat britanike shkruajnë se ka nisur edhe lëvizja dalëse e disa lojtarëve, madje lojtarë formacioni. Kështu, mesfushori Thiago Alkantara dhe mbrojtësi Joel Matip do të largohen në fund të edicionit nga skuadra e Liverpulit. Lajmi është bërë i ditur të premten nga vetë klubi anglez. Spanjolli Thiago iu bashkua Liverpulit në vitin 2020 nga Bajerni i Munihut për 22 milionë euro. Ai në 98 paraqitje për skuadrën angleze ka shënuar tri gola dhe ka kontribuar me gjashtë asistime. 33-vjeçari, Thiago i ka falënderuar gjithë mbështetësit për aventurën e kaluar në “Anfield”. “Vlerësim dhe mirënjohje. Këto janë dy fjalët që më vijnë në mendje ditën kur ju them lamtumirë të gjithëve. Ju faleminderit shumë për mundësinë që më keni dhënë që të jem pjesë e këtij qyteti, këtij klubi dhe këtij komuniteti. Mbështetja e vazhdueshme që kam marrë nga dita e parë ka qenë e pabesueshme. Këto katër vitet e fundit kanë qenë një përvojë mësimi për mua dhe familjen time. Disa fitore, disa humbje, por pa dyshim, një përvojë që më ka ndryshuar jetën”, deklaroi Thiago. Mbrojtësi Joel Matip te Liverpuli u transferua si lojtar i lirë nga skuadra gjermane Shalke në vitin 2016. Kamerunasi me Liverpulin ka shënuar 11 gola dhe ka bërë gjashtë asistime në 201 paraqitje. 32-vjeçari është shprehur i lumtur për periudhën e kaluar te Liverpuli. “Kanë qenë tetë vite të mrekullueshme këtu në Liverpul. Më lejuan të jem pjesë e një historie emocionuese me një trajner të madh dhe një ekip mahnitës në një klub të jashtëzakonshëm. Kemi arritur tituj të mëdhenj dhe kemi tifozët më të mirë në botë”, u shpreh Matip. Me Liverpulin, Matip ka fituar shtatë trofe të mëdhenj duke përfshirë Ligën e Kampionëve në vitin 2019 dhe Premier League në vitin 2020. Mbetet të shihet se si do të jetë Liverpuli i sezonit të ardhshëm, por kjo varet nga trajneri i ri Slot që do të marrë së shpejti detyrën.
Romeo dhe Heidi janë celebruar në fshehtësi? Aktori bën deklaratën e papritur
Romeo Veshaj dhe Heidi Baci janë duke jetuar lidhjen e tyre të dashurisë pas përfundimit të eksperiencën në Big Brother...
Lexo më shumë