Kampionatit i kanë mbetur dhe dy ndeshje për të dhënë verdiktet finale. Janë dy finale, një e madhe dhe një e vogël. Kjo e dyta do të luhej mes Skënderbeut dhe Vllaznisë për vendin e tretë e të katërt (pasi “Final Four” funksionon si kupat, me eliminim direkt deri sa të shkohet tek trofeu, vendi i tretë merr medalje, ndaj është i rëndësishëm dueli), kurse finalja e madhe që do të luhet më 26 maj është mes Partizanit dhe Egnatias, dy skuadrave më të mira të këtij edicioni. Në fakt, edhe dy ditë nga finalja e madhe për titullin kampion në kampionatin “Abissnet Superiore”, Partizani – Egnatia. Në stadiumin “Air Albania” pritet një finale spektakolare ku të dyja skuadrat kërkojnë vetëm fitimin e trofeut. Partizani drejt finales së madhe të titullit vjen me objektivin e qartë, për të mbrojtur kurorën e kampionit dhe një arsye e madhe për të besuar është forma e mirë që po kalon skuadra e Orges Shehit. Gjashtë fitore radhazi në ndeshjet e fundit dhe tani të kuqtë janë në kërkim të “mrekullisë” së shtatë që do t’i jepte titullin e 18-të në histori. Në anën tjetër, Egnatia në këtë sfidë vjen më e motivuar se kurrë për të shkruar historinë. Një sezon fantastik i dominuar nga rrogozhinasit që triumfuan edhe në Kupën e Shqipërisë për të dytin sezon radhazi. Egnatia i ka të gjitha mundësitë dhe të dielën në “Air Albania” do të kërkojë lavdinë. Finalja e madhe për titullin kampion Partizani – Egnatia, do të luhet të dielën më datë 26 maj në stadiumin “Air Albania” në orën 19:00. Ndërkohë nesër në stadiumin “Air Albania” në orën 19:00, do të luhet edhe finalja e vogël për vendin e tretë/katërt në kampionatin “Abissnet Superiore”, Skënderbeu-Vllaznia. Biletat për ndeshjen e titullit kampion Partizani – Egnatia dhe për finalen e vogël për vendin e tretë/katërt Skënderbeu – Vllaznia mund të blihen online në ebileta.al si edhe në pikat fizike pranë stadiumit “Air Albania” dhe stadiumit “Selman Stermasi” në fashën orare 10:00-18:00.
Shehi do të zbresë titullarët më të mirë
Partizani është skuadra më e qëndrueshme e sezonit aktual, ndaj dhe pritshmëritë e skuadrës së kuqe në “Final Four” janë shumë të mëdha, pra Partizani pretendon të fitojë titullin kampion. Trajneri Orges Shehi e ka të qartë grupin që do të zbresë në fushë si dhe modulin taktik me të cilin do të luajë. Ai po e vlerëson maksimalisht këtë finale me Egnatian dhe u duk qartë edhe në fjalët e tij pak ditë më parë kur tha se pas 6 fitoresh radhazi, tani Partizani ka objektiv fitoren e shtatë, pra ai i referohej titullit. Prej javësh trajneri ka arritur të gjejë pikat e duhura të referimit dhe të caktojë 11-shen standarde që duhet të zbresë në fushë në ndeshje kaq të rëndësishme. Kështu, Qirko duket sikur e ka “blinduar” vendin mes shtyllave, ndërsa edhe Sembene ka fituar avantazh ndaj gjithë mbrojtësve të tjerë. Sota, Hadroj dhe Atanaskoski konsiderohen të palëvizshëm. Edhe mesfusha është 100% e caktuar, me Maget-Murataj-Rrapaj, që janë ndër mesfushat më të mira të këtij kampionati. Në sulm pritet që Shehi ta nisë me treshen startuese kundër Skënderbeut, me Skukën, Mba dhe Bintsuka. Shanset për “demat e kuq” janë të mëdha të përsërisin suksesin e vjetshëm.